Mbresa pas leximit të librit “Vargmale nën dhé” të Nurie Emrullait

Blerim Rrecaj

Libri “Vargmale nën dhé” është një libër voluminoz me poezi prej gati treqind faqesh. Sapo e hap, (sikurse një ditar shkolle, siç bënin mësuesit dikur për të na pyetur, atë që do t’i binte fati), të lë ndjenja të mira poezia që ka fatin që të lexohet e para. Është poezia “At-DHE-mëmë”, që flet për të rënët, dëshmorët, mbi të cilët ka mbirë bari i cili “e ka ndjerë se si kanë rënë të plagosur” shpirtrat e tyre…

Vazhdojmë “lojën” e nisur për të dalur te poezia e dytë, asaj së cilës do të i bie fati për ta lexuar. Dhe hedhim sytë tash te kjo me titull “koketëri hipokrite”, ku na flet për politikën dhe mjetet e saj ndihmëse, të thirrur në një (kinse)demokraci  që s’e do artin, e që përkulet veç para të “fortëve” që vrërin e kthjellin ashtu siç ua do qejfi.

Lëmë këtë lojë dhe fillojmë leximin prej fillimit, prej poezisë në poezi, prej ciklit në cikël.

Dhe nëpër këtë rrugëtim poetik shohim, dëgjojmë e ndjejmë larushi ngjyrash, pamjesh, tingujsh, psherëtimash e drithërimash, shpeshherë nën shoqërinë ngushëlluese të hënës e cila di të “lidh për qiellit”…

Fjalët e bukura nga të cilat “gatuhen” poezitë na flasin dhe për vetminë e poetes, aty nëpër strehëza ku ajo përballet me veten e me botën që e rrethon. Aty ku bën pyetje, gjen e është në kërkim të përgjigjjeve, duke kërkuar të bukurën, të madhërishmen dhe rrugën drejt mirësisë që s’mbaron, e është e përjetshme.

Poetja hidhet e noton në një “det kujtimesh” për ta parë veten me sinqeritet e dëlirësi, aty ku lindi e u rrit, mes rrëfimesh e ninullash, mes pafajësisë prej fëmije, mes të dashurve të familjes, të afërmëve, rrethit shoqërisë, dhe ja, dy vargje nga poezia “Pafajsia e jetës”:

“Unë nuk isha një vajzë me imagjinatë të plleshme,/Askujt s’dija t’i flas(njësoj si sot”).

Vazhdon jeta nëpër valë medituese nëpër ditë e net, nëpër çaste e stinë, duke u rritur me drojë e frikë, se fare pak nektar po arrijmë të mbledhim nga jeta.

Dhe vazhdon kërkimi pavarësisht se shpeshherë mund ta ndjejmë veten të dorëzuar para fatit e lutjeve, britmave, pengesave, e pendimeve për ëndrra “të mëdha” që kemi thurur symbullur a syhapur, sikurse thurjen e një kurore me lule, diku në një lëndinë fëmijërie.

Dhe dashtë e padashtë, patjetër që jo vetëm na del, por edhe përballemi duke marrë plagë gjithfarësh me një realitet të vrazhdë, siç thonë këto vargje nga poezia: “Përmbytje dekade”:

“qesh se s’ka rend këtu,/s’ka rend këtu,/shumë njerëz këtu,/shumë njerëz këtu…”. Në vendin ku ka aq kokëçarje, strese, trauma, e që herë-herë i afrohet greminave a kufinjëve të çmendurisë, por që e mban shpresa t’i tejkalojë këto kohë të turbullta e të liga.

Ndjeshmëri e lartë vërejmë edhe te poezitë e dashurisë, qoftë atëherë kur flitet për kultivimin e saj, qoftë atëherë kur e karakterizojnë mëdyshjet, pritjet e shkurtëra a të gjata, malli, dalldisjet, paqartësitë, ikjet, mospërfilljet, misteret, tradhtitë. A deri te moskuptimi i dashurisë nga të tjerët, të cilët një vajzë të brishtë e të ëmbël, që i pëlqen të vrapojë pas gjërave të bukura e të lira, siç janë lulet e fluturat, erërat e ëndërrat, i thonë se s’di të dashurojë, çfarë ironie!…

E pashmangshme në këtë vepër edhe gjuha ironike kur poetja kërkon që veç fjalën dhe qiellin mos t’ia marrin, sa “t’i çlodh sytë ndonjëherë”, e edhe kur flet për fytyra të trishta të poetëve me lotët që u rrjedhin nën lëkurë, fateve të poetëve që mbahen për një fije floku në punët e ndryshme që bëjnë për mbijetesë.

Vepra e Nuries është vepër e mëdyshjeve të mëdha, por  shpresa për ngadhënjimin e të mirës lë gjurmë e jehon, siç e vërejmë te poezia: “Njeriut tim”:

“Njeriu im i mirë,/Hapi krahët dhe gëzo/ Sepse I-lirë je,/I lirë do rilindesh për jetë e mot.”

Libri i Nurie Emrullait “Vargmale mbi dhé” befason  për të mirë, poezi pas poezie e që ia vlen të kthehemi për të shijuar poezibukurat me të cilat do zbukurojmë shpirtrat tanë…