Që kur filluan vaksinimet kundër koronavirusit në Zvicer, Swissmedic ( Instituti zviceran i produkteve terapeutike), është informuar për 95 raste të efekteve anësore serioze.
Nga Mirishahe Limani Hiler
Gjashtëmbëdhjetë vdekje i atribuohen sëmundjeve para-ekzistuese.
Vdekjet u analizuan “me shumë kujdes”, tha Swissmedic në një njoftim për shtyp këtë të premte. Gjashtëmbëdhjetë njerëz kanë vdekur brenda një “periudhe më të shkurtër ose më të gjatë” të vaksinimit. Pavarësisht nga “pajtimi kohor”, nuk ka asnjë provë konkrete se këto vdekje ishin për shkak të vaksinës.
Të prekurit ishin mesatarisht 86 vjeç. Shumica e tyre vuanin nga sëmundje serioze para-ekzistuese. Sipas të dhënave në dispozicion, vdekjet u atribuohen këtyre sëmundjeve.
Pas administrimit të rreth 750,000 dozave të vaksinës, Swissmedic ka marrë të mërkurën e kaluar 364 raporte të “reagimeve të dyshuara anësore ndaj vaksinave Covid-19”.
Në tërësi, 199 ishin për vaksinën Pfizer / BioNTech, 154 për vaksinën Moderna. Rreth dy të tretat e rasteve kishin të bënin me gra, dhe rreth 45% ishin ato mbi 75 vjeç.
Zona ( Herpes*) dhe dhimbje koke
Rreth një e katërta e raporteve u klasifikuan nga Swissmedic si serioze, që do të thotë se të prekurit duhej të shtroheshin në spital ose se reagimet u konsideruan të rëndësishme nga ana mjekësore për arsye të tjera, përcjellë e përditshmja, Tribuna e Gjenevës, sot.
Nga këto reaksione zakonisht më të pranishme ishin herpes, dhimbje koke, sëmundje Covid-19 ose reaksione alergjike.
Tre të katërtat e efekteve anësore të raportuara konsiderohen “jo serioze”. Këto përfshijnë reaksione në vendin e injektimit, të tilla si skuqje, ose dhimbje koke, ethe dhe të dridhura. Reagimet e vonuara të lëkurës rreth vendit të injektimit pas dhënies së vaksinês Moderna, kanë tërhequr vëmendjen e Swissmedic, thuhej në deklaratë.
Përfitimi i rrezikut pozitiv
Këto deklarata konfirmojnë profilin e efektit anësor që ishte vërejtur në provat para se të jepej autorizimi. Ato nuk zbulojnë ndonjë shqetësim të ri për sigurinë. Këto reagime anësore të raportuara nuk modifikojnë profilin pozitiv të rrezikut të përfitimit të vaksinave kundër Covid-19, nënvizon Swissmedic.
Reagime të njohura, jo serioze dhe të shpeshta, të tilla si dhimbje kalimtare e ënjtje në vendin e injeksionit, lodhje, të dridhura, ethe, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore dhe kyçesh nuk kanë nevojë të raportohen njofton sot ATS ( Agjencia telegrafike zvicerane).
Shpjegim: *Herpes zoster (zona) është një sëmundje që shkakton dhimbje të lëkurës e shkaktuar nga virusi varicella-zoster që është gjithashtu përgjegjës për varicelle. Zonat shkaktohen nga riaktivizimi i virusit të pranishëm në trup. Prandaj, herpes mund të ndodhë vetëm nëse pacienti ka pasur tashmë varicelin. Ekzistojnë faktorë nxitës që mund të riaktivizojnë varicelën zoster siç janë situatat stresuese, një gjendje e ngjashme me gripin ose një sistem imunitar i dobësuar.
Foto: TDG/ Keystone/MT