Martin Çuni e Avni Azizi: Dy poetë, veprimtarë e luftëtarë

826

22.06.2019, Cyrih/Zvicër

Në Cyrih u promovuan librat e dy autorëve shqiptarë, njërit me banim në Gjermani e tjetri me banim në Francë. Me këtë rast përmes fjalëve të rastit u vlerësuan jeta dhe veprimtaria me theks të veçantë ajo letrare të autorëve Martin Çuni e Avni Azizi dhe u lexuan edhe fragmente të përzgjedhura nga veprat e tyre.

Dashamirët e veprave letrare ndjekin me vëmendje vlersimet për autorët dhe veprat e tyre

Në këtë mbrëmje promovimi, të iniciuar dhe organizuar nga prointerga.ch në bashkëpunim me Grupin Sindikalist Shqiptar të regjionit Cyrih-Shafhauzen si dhe me SHOQATA E KRIJUESVE SHQIPTARË NË ZVICËR (SHKSHZ), morën pjesë një numër i konsiderueshëm i artdashësve dhe njerzve të letrave si dhe veprimtarë atdhetarë e shoqërorë nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, e të cilët me fjalët e tyre vlerësuese për jetëveprimtarinë e autorëve dhe veprave të botuara të tyre pasuruan dhe madhështuan tubimin letrar.

Në promovim ishin të pranishëm dashamirë të letrave shqipe nga pjesë të ndryshme të Zvicrës

Pas promovimit të së shtunës së 22 qershorit në Cyrih, një ditë më pas të dielën e 23 qershorit, ndaras janë organizuar manifestime promovimi të veprave e të dy autorëve, në Stuttgart të Gjermanisë për Martin Çunin, ndërsa në Gjenevë të Zvicrës për Avni Azizin.

Fjalimet vlerësuese

Në vijim do të publikojmë disa nga vlerësimet e përgatitura jetëpërshkruese për autorët me theks veprat e tyre letrare, të prezantuara në promovim.

Isuf Ismaili, i pari nga djathta, me rastin e vlerësimit të veprës letrare të Martin Çunit “Lulet e jetës”

 

Nysret Hajdari:
Avni Azizi poet e veprimtar i shquar i atdheut

 Cyrih, 22 qershor 2019

Të nderuar pjesëmarrës, ju përshëndes dhe ju faleminderit të gjithë juve, që jeni mbledhur këtu për t`i bërë nder librit dhe gjuhës shqipe, në veçanti i përshëndes shoqëruesit e Avniut nga Franca, që kanë ardhur me të, për t’u bërë, kështu, pjesë e këtij përurimi dhe që janë duke na shoqëruar neve këtu në Zvicër.

Falënderoj shumë sindikalistët e “UNIA-s” dhe Osman Osmanin për organizimin dhe krijimin e kushteve të mbajtjes së këtij promovimi të Librit  të Avni Azizit.

Falënderim të veçantë për Redaktoren Violeta Allmuça nga Shqipëria, shkrimtare e dalluar dhe Recensentin Prof. Fehmi Pirevën të cilët me punën e tyre artistike i kanë dhënë librit dëshmi, shije dhe stilizim.

Avni Azizi nga fshati Tërpezë i Anamoravës, është një pedagog dhe veprimtar i çështjes kombëtare qysh në moshë të re. Avniun, pata rastin që viteve 90-ta ta njoh më për së afërmi kur organizonte tubime informative së bashku me një grup intelektualësh nga Tërpeza, ku edhe ishte i suksesshëm. Në disa tubime informative që i organizonte Avniu me shokë, më ftonte mua dhe Ajet Azizin. Çdo tubim në Tërpezë ishte masiv, lokali ku bëhej tubimi ishte plot e përplot me vajza e djem, vërtetë ishte mahnitës ky numër kaq i madh, në kohë shumë të vështira, në kohë kur regjimi serb ishte egërsuar përtej çdo mase dhe mund ta pësonin edhe fizikisht e me burgosje e sidomos organizatorët, mirëpo Avniu me shumë pedagogë si me Adem Muratin, Kadrush Murtezin, Imri Halilin, Agim Sylejmanin etj., vazhdimisht vepronin, vepronin dhe fare nuk pushonin…

Nuk befasohesha me aktivitetin e denjë të Avniut, sepse kishte trashëguar edukim e frymëzim njerëzor e kombëtar nga të parët e tij, duke marrë shembullin e pedagogut të shquar Sylejman Salihut ku ky person në vitin 1907 diplomon për mësues, oficer dhe hoxhë, ndërsa më 1908 ishte pjesëmarrës i organizimeve patriotike në Kuvendin e Ferizajt dhe pjesëmarrës në Kongresin e manastirit për themelimin e Alfabetit në gjuhën shqipe, më 1909 ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës dhe të Elbasanit, në vjeshtën e vitit 1909 e filloi punën në arsim për herë të parë në gjuhën shqipe në fshatin Pozheran të Anamoravës, në vitin 1910 Sylejman Salihu ishte edhe në Kongresin e dytë të Manstirit, ndërsa në vitin 1910 ishte pjesëmarrës në organizimin e kryengritjes nën udhëheqjen e Idriz Seferit në tubimin e Gjilanit, më pastaj, po ashtu i afërm i Avni Azizit, ishte Ejup Gjemë Salihu kryengritës mali, të njohur si komit mali. Ai po ashtu  ishte pjesëtar i lëvizjes kombëtare në vitin 1945, i cili me pushkë në dorë ra heroikisht në fushën e nderit duke luftuar ballë-përballë me çetnikët serbë në malet e Zllatarit të cilin fshatarët e Zllatarit edhe se ishte kohë e kasaphanës dhe mund te rrezikonin me jetë, e varrosën me dinjitetin më të lartë në sheshin e fshatit afër shkollës fillore, atëherë mejtep fetar. Po ashtu Ajet Azizi kushëri i Avniut, vitet 80-ta ishte frymëzues dhe agronomi i parë i fermave bujqësore e blegtorale në Kosovë…

Andaj Avniun e adhuroj shumë, sepse çështjen shqiptare dhe bashkimin e kombit shqiptar nuk e kishte farsë politike, por, edukatë në kulturën familjare.

Avniut i them pa asnjë dyshim, se për punët e mira që ka bërë, nuk e adhuroj vetëm unë, por i gjithë fshati Tërpezë dhe gjithë ata veprimtarë që bashkëpunoi me ta, ku njëri prej tyre është këtu pra një qerrata, Skënder Hajdari, në dukje i heshtur, por regjimit pushtues i nxirrte probleme të mëdha…

Andaj nuk është rastësi që edhe Avniu të jetë një poet dhe veprimtar i çështjes së rëndësishme për liri, drejtësi e çlirim kombëtar, kuptohet padyshim kishte edhe frymëzim dhe edukim të trashëguar nga të parët e tij. Ky element me vlerë kulturore e kombëtare i Avniut, është gëzim jo vetëm për mua, por është edhe gëzim i përgjithshëm sepse punimet e tij shkencore të shkruara, kanë të bëjnë me goditje të fuqishme të devijimeve shoqërore, ide për veprime të reja të çështjeve shoqërore, njerëzore dhe kombëtare.

Avniut i them edhe tani jo edhe aq me shaka: Avni Rrustemi lum ne që të kemi. Dhe kjo e ka kuptimin e një fjale të urtë popullore: Kur të përkrahë fisi, e kur të do fisi, vetë të shtrembërohet plisi.

I nderuar Avni Azizi, edhe njëherë të përgëzoj dhe të falënderoj nga zemra për prezantimin e librit tuaj të katërt dhe të pestë, me titull: “Fonemat e Ribërjes” dhe “Fusha e Heshtjes”, të cilat po i përjetoj me pasion ende pa i shfletuar.

Andaj për këto libra të botuara dua ta falënderoj dhe ta përgëzoj sinqerisht edhe njëherë autorin Avni Azizin, sepse si kurrë më parë kemi nevojë të dëshmojmë punën tonë, kulturën tonë të lashtë, për të cilën breznitë apo pasardhësit tanë sot dhe në të ardhmen do të krenohen.

Meqë Avniu është shumë më i ri se unë dhe kjo me gëzon shumë, kam një porosi: Mos ta pushoj penën e tij, sepse në një të ardhme jo të largët do të ndodhë  bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm i quajtur Shqipëria Natyrore dhe Avniu le t`i radhitë të gjithë ata meritorë që i kontribuuan këtij akti sublim dhe shumë të shenjtë….

Ju faleminderit, 22.06.2019, Zürich — CH, Fitim Luani


Martin Çuni shkrimtar e veprimtar i shquar, por edhe i lidhur me botën fëmijërore

Isuf Ismaili, 22 qershor 2019, Cyrih

Kumtesë e lexuar në Zyrih të Zvicrës, më 22 qershor 2919 me rastin e përurimit të disa veprave letrare të shkrimtarëve Martin Çuni e Avni Azizi.

Përurimi i veprave letrare është një nga veprimtaritë e veçanta kulturore, që sjellin një shije e harmoni të madhe në jetën njerëzore. Vepra letrare në njërën anë dhe veprimtaria, kritika e shëndoshë, evidentimi i përbërësve të krijimtarisë së një autori, të disa autorëve apo të veprave të veçanta të tyre sjellin dobi e interes jo vetëm për të krijuesit e ri, për dashamirët e veprave artistike, por edhe për vetë autorët, veprat e të cilëve merren në shqyrtim, në analiza, në përurime dhe këndvështrime kritike.

Padyshim krijimtaria letrare qëndron në majat e pasurisë artistike, që rrok përbërësit më të shumtë të jetës së gjallë njerëzore, botës së veçantë të shkrimtarëve, të cilët me krijimtarinë e tyre futen thellë në ndërgjegjen njerëzore, sidomos të të gjithë atyre që provojnë për të përvetësuar, lexuar e shijuar veprat letrare, ndaj kështu i shërbehet pikërisht pasurisë shpirtërore duke dhënë mundësi, por edhe harmoni përgjithësisht jetës kulturore.

Veprimtaria letrare e krijuesve shqiptarë është e pasur në të gjitha trojet shqiptare, por edhe se cilët krijues në trojet shqiptare kanë të përbërësit e përbashkët, gjuhën e gjallërinë e të shprehurit në shqipen e bukur letrare, si dhe trajtimet në botën e përbashkësisë shqiptare, por natyrisht edhe veçantitë e trajtim ngjarjeve të dhe temave e zhvillimeve ku ndodhin ato ngjarje.

Një veprimtari e veçantë, qoftë si veprimtari artistike, qoftë si kuptim dokumentar i ngjarjeve sa të dhembshme aq edhe të rëndësishme, që ngërthen në vete edhe karakterin e qëndrueshmërisë krenare të bijve e bijave më të mirë të kombit shqiptar në burgjet jugosllave, të ngjarjeve heroike e luftarake shqiptare, por edhe të porosisë përçuese te masat e gjëra shqiptare është edhe vepra e shkrimtarit, veprimtarit, atdhedashësit, luftëtarit të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gazetarit të Radios Kosova e Lirë Martin Çuni.

Martin Çuni duke qenë një veprimtar i shquar, duke qenë ish i burgosur për veprimtari atdhetare, pa hezituar fare u radhit në shërbim të luftës heroike të UÇK-ës, ai veproi në dy mediat e luftës çlirimtare në “Radion Kosova e Lirë” e në agjencinë “Kosovapress”. Ai veproi pa u ndalur, përshkoi me këmbë fshatra e vendet të shumta të Kosovës shqiptare duke dhënë informacione e duke përshkruar ngjarje nga frontet e luftës, duke bërë intervista me luftëtarë e komandantë të UÇK-ës, me familjet e dëshmorëve me njerëzit e përkushtuar e familjet e shëndosha shqiptare, që ishin vënë në shërbim të luftës çlirimtare. Ai veproi me shkrimtarin, veprimtarin, atdhedashësin shquar e drejtorin e Radios Kosova e Lirë, profesorin e nderuar Ahmet Qeriqi, me veprimtarët e shquar Nezir Murtaj, Nysret Pllana etj.

Martin Çuni ka shkruar, ka vepruar, ka luftuar, ka folur e ka krijuar ashtu bukur, veçantë, me dashurinë e përkushtimin e pashoq të një veprimtari e atdhedashësi shqiptar të një atdhedashësi e luftëtari stoik. Vepra e tij sa letrare, poetike, prozaike, informative, përshkruese, dokumentare është e pasur dhe veçantë në letërsinë e krijimtarinë e sotme kulturore shqiptare, ajo qëndron në majat e kurorës së krijimtarisë së mirëfilltë.
Përmbledhja “Lulet e jetës” të shkrimtarit Martin Çuni është një vepër që brenda saj ngërthen ngjarje e komunikime sa emocionale, të dhembshme me botën fëmijërore, aq edhe të rëndësishme në planin e përshkrimeve atdhetare e qëndresës krenare në burgjet jugosllave, duke i treguar pushtuesit jugosllav se lidhshmëria e karakterit shqiptar është një përçues jo vetëm admirues por edhe i pathyeshëm i botës së të rriturve dhe vazhdimësisë së tyre me fëmijët, me fëmijët shqiptarë të cilët ishin e do jenë ata që do të trashëgojnë jetësimin e idealeve të lirisë e bashkimit të Shqipërisë dhe tërësisë së saj të natyrshme.

Siç ka vënë në dukje profesor Ahmet Qeriqi kjo vepër e Martin Çunit është e veçantë, sepse, tregimet e poezitë “janë shkruar në qelitë e burgjeve gjithnjë në rrethana specifike dhe si të tilla mbajnë vulën e kohës, ato kanë edhe vlera të mirëfillta letrare e artistike, pedagogjike e arsimore, sepse janë shkruar me një përmbajtje qëllim të tillë”.
Në këtë vepër siç u vu dukje, më sipër emocionet e dhembja janë disa nga përbërësit e tregimeve dhe poezive, letrave që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij Agronit e Teutës. Në letrën e datës pesë shtator 1983 Martin Çuni, duke përshëndetur fëmijët e tij shpreh dashurinë e urimin e veçantë për ditëlindjet e Agronit e Teutës. Vetëkuptohet dhembja, emocioni, babai në burgje jugosllave i shpreh urimet për fëmijët e tij, për ditëlindjet e tyre. Këtu ja vlen të ndalemi dhe të analizojmë se sa të rëndësishme janë shkrimet e tilla për brezat e rinj, që ata të mësojnë se për lirinë për idealet e shëndosha njerëzore, kombëtare shumë prindër atdhetarë e veprimtarë të shquar janë burgosur nga jugosllavët dhe janë ndarë me dhembje të madhe nga fëmijët e tyre me vite të tëra. Këto janë sakrifica të mëdha e të dhembshme, por krenare për të fituar lirinë e për të jetësuar idealet e fuqishme shqiptare. Martin Çuni duke shkruar kështu kalon nga përshkrimet, porositë e vlerat të tjera pedagogjike, letrare tek porosia e madhe që ka vepra letrare e kulturore në jetësinë e idealeve të shëndosha kombëtare e njerëzore njëkohësisht.

Në letrën e 10 qershorit të vitit 1985, që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij, përralla që e përshkruan është jo vetëm e rëndësishme për botën fëmijërore, por edhe një porosi e një e ndërlidhje për moshat madhore, sidomos kur e përshkruan qyqen e cila i lëshon vezët në çerdhet e shpendëve të tjerë.

Poezia e tij edhe në këtë përmbledhje është metaforike e rimuar, se edhe fëmijët e duan harmoninë metaforike, rimën e muzikalitetin, përveç fantazisë, personifikimit e vlerave të tjera që bota fëmijërore i pëlqen.

I uroj shkrimtarit e veprimtarit të shquar Martin Çuni, të mos i pushojë dora e pena, por të shkruajë e të botojë edhe vepra të tjera të shquara, siç ka shkruar e botuar deri më tani!

Gani Bytyçi gjatë vlerësimit të veprës së Martin Cunit “Universi i jetës”

Poetja e sindikalistja Zarije Bajrami, bashkëshortja e heroit Agim Bajrami, gjatë prezantimit të jetëpërshkrimit të autorit Avni Azizit

 

MARTIN ÇUNI, POET I DHEMBJES DERI NË TRISHTIM
Gani Bytyçi, Cyrih, më 22. 06. 2019

Martin Cuni, idealist i lirisë së kombit deri në sacrificë e flijim, atdhetar përmbajtësor, fanatik e i përkushtuar ndaj Adheut, njeri afrues, dashamirës e tolerant, por i vendosur e i papërkulur në të drejtën e tij, në të drejtën e kombit të tij si dhe në të drejtën si nocion universal.

Martin Cuni është nga ata krijues, që Atdheun e tij me të gjitha vuajtjet, dhembjet, shqetësimet e dramat, që i kanë shkaktuar atij pushtimet e robëria e gjatë dhe e egër, e ka bartur në tërë dimensionin e tij, së pari në shpirt e në zemër e pastaj atë e ka nxjerr në vargun e tij si dhembje poetike e letrare. Ndaj, vargu atij i vjen herë si thirrje e kushtrim, herë si dhembje e rënkim, herë si qëndresë e durim, herë si gjëmë e trishtim.

Po jo rrallë, autorit vargu i shpërthen edhe si lutje e dëshprim. Po përherë, vargu atij i vjen krenari, sakrificë e flijim. Po të shikojmë titujt e veprave të tij të botuara, do të kuptojmë se sa shumë autori i tyre ishte i lidhur për jetën e Atdheut e të Kombit të tij. Me titullin «Jetë e furtunë», autori sikur nxjerr një përmisë filozofike e historike, për të thënë se jeta (vërtet) ishte fortunë, stuhi, rrëbesh, shtëngatë. Pra, janë vargje që na bëjnë të kuptojmë se jeta është betejë e pafundme. Ndërkaq, jeta jonë, historikisht ishte dramë e tragjedi shumaktëshe.

Libri Universi i jetës, që e kemi në dorë, hapet me një akt aq dramatik të kalvarit të jetës sonë kombëtare, që të jep një dhembje drithëruese, që të përshkon tej përtej trupin e shpirtin. Poeti shprehet:
Gjurmëve të Rrugës së Kryqes, vazhdë
U kemi ra
Trup, mishra e kocka me helm e vrer
Na i kanë la
Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas
Heq na kanë.

Pastaj në vargjet e tjera autori vargun e kthen në lutje e përshpirtje kur thotë:
O Zot, me rrugën e Jezusit profet
Gjatë na shëlbove
Lumenjë rrjedhash gjaku nëper vite
E nuk na shpagove
Kahdo që erdhi e keqja , futë e shemër
Te ne bëri fole
Gjergj e Adem, çdo shekull, Perendi
Pse s`munden me u le…

Këtu autori nëpërmjet, figurave të heronjëve, Gjergjit e Ademit, sikur i lidh skaj me skaj kohët, shekujt, epokat, duke ua lënë peng këtyre shpëtimin e Atdheut nga robëria. Më tej autori, nëpërmjet vargut të tij, sikur bën thirrje për të mos e prishur Shqipërinë, poezia « Mos e prishni Shqipërinë».

Poezitë e Martin Cunit, një pjesë e madhe e tyre, janë përkushtime që autori u bënë figurave historike, dëshmorëve, heronjëve, si Adem Jasharit legjendar, të cilin autori e krahason me Shën Martinin.

Pastaj poezia kushtuar Zahide Geci-Jasharit, Nënë e motër, që autori e quan Legjendë prej Guri.

Ditës së Shpalljes së Pavarsisë, si sublimim i përkushtimt, gjakimit dhe përpjekjeve të parreshtura për idealin e lirisë, autori i ka kushtuar një poemë, ku thotë se kjo ditë e madhe, është ndërtuar mbi dhembjen e gjithë kombit, mbi jetën dhe gjakun e dëshmorëve, herionjëve e luftëtarëve të lirë , të të gjithë brezave ndër shekuj:
Sonte jam larg fishekzjarreve të zemrës sime
Larg lotëve të gëzimit të miqve të mi në Atdhe
Afër dhembjeve, që për jetë të jetëve nuk bëhen harrim

Këtu autori na e kujton se sakrifica e bërë për idealin e lirisë, nuk harrohet kurrë. Se ajo është dhembja e vuajtja e pafundme, që nuk harrohen asnjëherë. Këtu, autori sikur ka frikë nga harrimi i vuajtjes dhe përsëritjes së historisë tragjike të kombit tonë, ndaj ai, gjithë shqetësimin e tij për të ardhmen e kthen në lutje:
O Zot, na mbush mend njëherë e mirë
Sado që është vonë, ke prore mëshirë.
Mbaje zgjatur drejt nesh dorën tëde të jetës.

Autori, jo rrallë, i bindur se gjërat nuk ecin siç është dashur dhe ashtu si kemi pritur, shpreh edhe dëshprim prej idealisti, kur thotë:
E harruam pasmesnatën
E natës së pare
Kryqëzimin dhe kurorat e zjarrit mbi kokë
E harruam pasmesnatën
E natës së dytë
Kur me kokat tona u bënë mure…
Poezia : Harrimi i netëve të zeza.

Por vjen një çast, kur poeti ma nuk e idealizon bashkëkombasin e tij. Ai atë e shikon jasht idealizimit, e sheh me sy real dhe këtë e shpreh me vargjet tek poezia: Mbeten njerëz, fq. 35.

Pastaj, bashkëkombasit e vetë autori i shkon edhe në protesta e demostrata….faqe 36.

Poeti bashkëkombasit (shqiptarët) i sheh që nuk ndalen kurrë, përherë në lëvizje e zhvillim, poezia Ec e ec Shqiptarët , fq. 37.

Ndonjëherë, autori bën dialog edhe me hënën.

Martin Cuni, me vargjet e tij shpesh mediton, bën rezyme, nxjerr përfundime, jep përmisa filozofike mbi ngjarje, njerëz, procese, por përherë mbi jetën, si tek poezia Jetë mori jetë fq. 39.

Krejt në fund të këtij shënimi të themi se Martin Cuni është poet i dhembjes e i shqetësimit deri në trishtim. I dhembjes së tij (individuale), i dhembjes së Kombit e Atdheut të tij por edhe poet i dhembjes universale.

Ju falemnderit për vëmendjen.


Avni Azizi – Jetëshkrim

Zarije Bajrami, 22 qershor 2019, Cyrih

Krijuesi Avni Azizi u lind më 6 shtator 1970 në fshatin Tërpezë të Vitisë. Ai shkollën fillore e kreu në vendlindje të mesmen në Viti, ndërsa Gjeografinë dhe Letërsinë në Universitetin e Prishtinës.

Veprimtarinë e tij e fillon që në moshë të re… Në mbarim të viteve ’80 angazhohet në Lëvizjen Popullore Për Republikën e Kosovës Bashkë me shokët e idealeve në shërbim të lirisë, do bëjnë shpërndarjen e shumë trakteve politike, literaturës ilegale dhe frymëzimin e rinisë kundër pushtuesit.

Po në këto rrethana, Avni Azizi më 11 mars të vitit 1992 do të formoi dhe udhëheq grupin letrar “Jusuf Gërvalla” në vendlindjen e tij. Organizim ky kulturor që do tubonte me dhjetëra të rinj e të reja, ku me punën dhe kontributin e tyre do të mbanin shumë tubime popullore, përvjetorë kombëtar, për të ndikuar në zgjimin e vetëdijes sidomos tek pjesa e rinisë…

Me formimin e Lëvizjes Kombëtare Për Çlirimin e Kosovës në vitin 1993, ai bashkohet radhëve të saj.
Kështu në nëntor të vitit 1993 bashkë me shokët veprimtarë Sali Lajçi, Selim Lulaj dhe Hyrë Emini (tashmë dëshmore e kombit) përmes “Klubit të Studentëve” mobilizuan studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës në mbështetje të rrugës së lirisë.

Në dhjetorin e vitit 1996 Avni Azizi bashkë me Bedri Halimin dhe shokë të tjerë organizuan në mesin e studentëve të Universitetit të Prishtinës peticionin e njohur si peticioni i 550 studentëve duke ju dërguar atë qendrave të vendosjes së kohës, në këmbëngulje për të marrë objektet shkollore që ishin uzurpuar nga pushtuesi serbë.
Po ashtu, në vitin 1996 ai në bashkëpunim me veprimtarët Bajram Kosumi, Merxhan Avdyli, Myrvete Dreshaj, Nysret Pllana e të tjerë formuan Fondin për Letërsi, Art e Kulturë “Brezi ‘81” fond ky ku do ndihmonte në botimet e disa veprave të autorëve të ndaluar dhe persekutuar nga pushtuesi…

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Avni Azizi u angazhua në Zonën Operative të Karadakut ku ushtroi detyrën e zëdhënësit për informim publik pranë brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani” Pas mbarimit të luftës çlirimtare Avniu do jetë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, ku do të jep kontributin e tij në përparimin e vendit dhe realizimin deri në fund të ëndrrave shekullore…

Veprimtaria krijuese e autorit

Vrulli i tij krijues nisi që nga mosha e re. Alkimia e pasioneve dhe emocioneve të magjishme, e ushqyen nëpër vite dhe i shërbyen për të forcuar hulumtimin në zemër të fjalëve. Mesazhi i thellë, i pasionuar dhe realist përmes artit e inkurajon atë për të theksuar këtë punë të formësuar në ushtrimin shkrimor

Në fillim të vitit 1993 kur në Kosovë kishte rënë terri informativ shkaktuar nga pushtuesi, Avniu bëhet anëtar i redaksisë së revistës komunale “Lajmëtari” ku bashkë me Merxhan Avdylin, Ekrem Qerimin Axhim Hajrizin, Daut Xhemajlin e të tjerë, do të bëhen zëri informues dhe frymëzues i opinionit lokal e më gjerë…

Në vitin 1995 Avni Azizi do të botoj përmbledhjen e parë të poezive “Buzëqeshjet e thyera” ku brenda kësaj përmbledhje do dëshmohej pjekuria dhe talenti i një poeti që po vinte, andaj me të drejtë kjo vepër në vitin 1997 u cilësua si vepra më e mirë në “Pranverën poetike studentore”…

Njëri nga veprimtarët i cili atëbotë ndodhej në burgun e Dubravës Bajrush Xhemajli do shkruante…. Poezia e Avni Azizit është një klithje e fuqishme për ndërgjegjësimin e ngjeshjes së radhëve për liri. Me këtë vepër, poezisë sonë atdhetare, padyshim që i janë shtuar vargje të mirëfillta…

Avniu asnjëherë nuk e ndali pendën e tij, shkroi artikuj të shumtë publicistik nëpër gazeta e shtypin e kohës. Në vitin 1999 bëhet anëtarë i revistës javore politike “Çlirimi” ndërsa në vitin 2003 emërohet edhe Kryeredaktor i saj. Gjithashtu ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “24 Orë” ku me shkrimet dhe artikujt të ndryshëm u angazhua për të dhënë kontributin e tij, jo vetëm publicistikës por edhe shumë veprave letrare të cilat janë botuar nëpër kohë!

Edhe në mërgim shkrimtari nuk do të ndalet për asnjë çast… Në vitin 2012 në qytetin e Lion të Francës në rolin e kryeredaktorit do udhëheq revistën për mërgatën shqiptare “Fjala” dhe më vonë do angazhohet në rolin e moderatorit në “Radio Natyra” ku përmes emisioneve të shumta, trajton tema të ndryshme edukuese, kulturore e aktuale sidomos për mërgatën shqiptare…

Në vitin 2018 ai emërohet Kryeredaktor i “Albswiss TV” me seli në Gjenevë ku shkrimet, reportazhet, kronikat dhe temat politike sensibilizuan jo vetëm njerëzit e mërgatës por, edhe më gjerë…

Autori ka publikuar një vistër shkrimesh të zhanreve të ndryshme publicistike, letrare, studiuese e politike. Në vitin 2015 boton përmbledhjen poetike “Fonemat e Ribërjes” ndërsa më 2016 romanin “Kodërrahu” dhe librin eseistikë “Shpërputhje Kulturore” ndërsa sot vjen para nesh me përmbledhjen poetike “Fusha e heshtjes” ndërsa në dorëshkrim ka një numër të madh të veprave.

Avniu është i martuar me gruan Venerën dhe në jetën bashkëshortore kanë tre fëmijë: Deltina, Endi dhe Dea. Për ta formësuar një mendim dhe ide të tillë politiko-vepruese pa mëdyshje është dashur guxim, mençuri, kohë dhe dashuri për krijimin, njeriun e atdheun… Avni Azizi me këto virtyte sot vjen para nesh, si një njeri i heshtur, modest por me një vepër të madhe….

 

Irfan Musmurati, i pari nga e djathta, duke lexuar vlerësimin e shkrimtares Violeta Allmuçaj për veprën e bashkëveprimtari të tij Avni Azizit
Shkrimtarja Violeta ALLMUÇA gjatë një prezantimit me një rast tjetër

 

KOHA ARTISTIKE E FJALËS
Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare

(Mbi librin me poezi: „Fusha e heshtjes“ së poetit Avni Azizi)Si një lexuese e poezisë së mirëfilltë, teksa mbetem adhuruese selektive e mijëra vargjeve me rrënjët në pemën e madhe poetike, arrij të zbuloj Unin e çdo poeti/poeteje. Kur lexova disa poezi të poetit Avni Azizi, u çudita që ai poet shkruante vetëm në të tashmen. Kjo ishte, koha artistike e fjalës, e vërteta e tij thuajse rebele, ndërkohë që kthimin në retrospektivë e kishte kthyer në meditime poetike. Vargjet e tij ishin plot dritë pasi kishin medituar disa kohë në errëti dhe lidhja e brendshme artistike e krijuesit me kohën apo hapësirën lidhej me botën e jashtme shpirtërore të lexuesit. Nuk është aq e lehtë të hysh në mendimin e lexuesit dhe të mbetesh në kujtesën e tij. Rrallë e prekin poetët këtë dimension, ku lënda e fjalës poetike të sjell jetë dhe emocione nëpërmjet shprehjes artistike, edhe pse poetët në përgjithësi jetojnë në vetmi. Ata gjithsesi në këtë dimension dëshirojnë të komunikojnë me njerëzimin nëpërmjet figurave artistike. Në dhomë heshtja
Qëndron si trëndafil
Në kopsht shpërthen
BreshërNë një nga degët e pemës poetike Avni Azizi ulet dhe gjen motivet e poezisë, nga nostalgjia, kujtesa dhe ëndrra e së tashmes. Është “sekret” pse ky poet që shkruan poezi moderne, jeton dhe shkruan vetëm në një kohë! Gjithsesi meqë poetët duan të mbështeten në fushën e lirisë, hyjnë edhe fushën e heshtjes. Kështu është jeta. Kështu mendon edhe ky poet.

Në të ndarat e hambarit
Petale prerë në copa
Kokrra e lashtësi
Dhe varieteti “Evropa”

Kam besuar se nëpërmjet ëndrrës Azizi nuk shfaqet si një poet “surrealist”. Ai është një poet dallues, tokësor dhe e mbush pemën e tij poetike me ekstraktin e lëndës artistike. Në librin “FUSHA E HESHTJES” ndjejmë pulsin lirik të vargjeve brenda boshtit kohor të së tashmes, ndjesinë e këtij krijuesi të veçantë në letërsinë shqipe dhe më gjerë.

Do bashkohemi
Do kryqëzojmë rrugët
Ëndrrat e mëshiruara shikimet
S`do jemi qielli i zi

Avni Azizi është një poet befasues i cili e lind poezinë nga vetja e tij, ashtu si rrezja që lind nën diell, nga ëndrrat e tij, ashtu si ëndërrimi e bën të padukshmen të dukshme, nga dhembjet e tij, të cilat i shfaqen në vargje sa herë që ka dhembje bota e gjerë, me ndjenjën e tij, për të bukurën dhe shpresën. Me artin figurativ dhe gjuhësor ai shkruan për njeriun, për baltën e atdheut, për dashurinë, për vdekjen me një stil të gjallë pa droje, ku rrok kujtesën e së përditshmes me ndjesinë artistike, lirike e filozofike, për të na treguar se poezia nuk përputhet me jashtëkohoren, por me zbulimin e shenjave të kodit të së pamundurës brenda të mundurës estetike.