Marsh solidarizues “Unë jam Astriti”

Sot në orët e mbrëmjes do të mbahet një aktivitet simbolik në përkujtim të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje! Astrit Dehari, i cili humbi jetën në burgun e Prizrenit, në rrethana të dyshimta dhe ende të panjohura.

Grupi organizativ i quajtur “Unë jam Astriti”, ka bërë të ditur se do të mbajnë një marsh i cili do të fillojë në ora 18:00, afër kinemasë ABC në Prishtinë, në vendin ku edhe është ngritur një mural pak ditë më parë, kushtuar pikërisht të ndjerit Astrit Deharit.

Organizatorët e këtij marshi kanë bërë të ditur se do të mblidhen për tu solidarizuar dhe ndarë dhimbjen me familjen e Astrit Deharit. Ata ndër të tjera janë shprehur se kjo dhimbje e thellë e kësaj familje, tanimë është bërë dhimbje e të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj kanë vendosur të ndezin qirinjë dhe vendosin kartolina, në shenjë përkujtimi dhe dhimbje për fatin e Astritit.

Astrit Dehari, vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana krejtësisht të dyshimta, ndërsa nga prokurorët dhe përfaqësuesit institucional të Kosovës, disa herë është thënë se ai kishte kryer vetëvrasje. Mirëpo pak ditë më parë, familjarët e Astritit, kanë pranuar raportin 58 faqësh të kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjorë në Lozanë të Zvicrës, të cilët kanë konstatuar se Astriti nuk është vetëvrarë, por që duhet të kihet parasysh ndërhyrja e një personi të tretë në vrasjen e tij.

Ky raport ka trazuar përsëri Kosovën, ku mijëra qytetarë e aktivistë kanë shprehur mllefin dhe zhgënjimin e tyre me organet tona të drejtësisë, duke bërë thirrje që ky rast të zbardhet sa më shpejtë që të jetë e mundur.