Arbitrazhi zyrtar dhe natyralizimi në Zvicër

Mërgim Ahmetit, një të riu të lindur e rritur në Zvicër, para pak kohësh me arsyetime absurde deri edhe banale iu refuzua natyralizimi (marrja e shtetësisë zvicerane). Rasti i tij pati dhe vazhdon të ketë jehonë në mediat zvicerane të pjesës gjermano folëse. Tani atij i dalin në krah edhe politikan të angazhuar, siç është rasti me nënkryetarit të Partisë Socialdemokrate të Kantonit St. Gallen, veprimtari i mirënjohur shqiptarozviceran, Arbër Bullakaj.

Aktivisti dhe politikani Arbër Bullakaj, ndër të tjera thekson se pyetjet e autoriteteve komunale për natyralizim duhet të jenë të njohura dhe transparente, për të parë nëse pyetjet kanë apo jo të bëjnë fare me procedurat e marrjes së shtetësisë, apo nëse ato thjeshtë janë ngacmime provokuese personale. Si të tilla ato paraqesin diskriminim.

Intervistë me Mërgim Ahmetin

Për të mësuar drejtpërdrejtë më shumë nga rasti në fjalë, ne zhvilluam një intervistë me te, të cilën mund ta lexoni në vijim.

Rasti juaj u bë i njohur në shumë media zvicerane të pjesës gjermano folesë. A mund të prezantohesh shkurt për lexuesit shqiptarë?

Unë jam Mërgim Ahmeti, jam 22 vjeçar, punoj në një zyrë, punë administrative dhe jam duke e vazhduar shkollën ekonomike. Ne kohen e lirë merrem me sport, si për shembull ‘bodybuilding’, ‘powerlifting’ dhe me not.

Ju jeni lindur, jeni shkolluar dhe rritur në rrethanat zvicerane, pra jeni të socializuar në Zvicër… me fjalë tjera jeni edhe zviceran, vetëm se jo edhe formalisht e zyrtarisht. Juve ju kanë refuzuar kërkesën për shtetësi me arsyetime absurde deri edhe banale. Si e keni përjetuar ketë refuzim dhe çka ju ka befasuar më së shumti?

Jam ndier shumë keq dhe jam prekur mjaft emocionalisht, nga fakti që edhe pas 22 vitesh ende nuk pranohem si shtetas zviceran. Më se shumti më kanë befasuar fjalët e autoriteteve komunale gjatë marrjes ne pyetje në procedurën për shtetësi zvicerane. Një ndër pyetjet ishte dhe ajo në lidhje me fenë:  «Sa e praktikon fenë?» Jam përgjigjur se jam adhurues i besimit islam dhe mundohem që besimin ta praktikoj sa më mirë që mundem. Pas përgjigjes time, përgjegjësit në mënyrën shumë provokatore dhe përqeshëse më shtruan edhe pyetjen vijuese: “A e keni marr me veti këtu edhe tepihun për tu falur”?! Nuk i besoja veshëve te mi, jam ndjerë shumë i paragjykuar.

Si kanë reaguar të njohurit Tuaj kur kanë marrë vesh për ketë refuzim?

Te njohurit te mi janë treguar shumë të prekur. Nuk e kishin menduar që autoritetet komunale mua do të ma refuzojnë kërkesën për shtetas zviceran. Mirëpo, duhet theksuar se të gjithë më përkrahin ne këtë situatë të rëndësishme për mua. Të gjithë ata shfrytëzoj nga rasti dhe i falënderoj nga zemra.

Thuhet se integrimi është  një proces i dyanshëm që i përket shoqërisë shumicë dhe asaj pakicë dhe se për një bashkëjetesë të mirë nevojiten gatishmëria e te dyja palëve. Cili është mendimi yt për bashkëjetesën në Zvicër?!

Integrim për mua është, kur ne jemi të gatshëm dhe duam ta njoftojmë kulturën zvicerane dhe kur gjithashtu pala zvicerane tregon gatishmëri të na pranoj dhe te na përkrahin. Kjo është e domosdoshme për bashkëjetesë të mirë e harmonike.

Ka vite  që në Zvicër flitet për nevojën dhe domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së njerëzve me sfond (prejardhje) migracioni në jetën politike e shoqërore. Cili është mendimi juaj për ketë çështje?

Për mua është një shans i humbur, nëse njerëzit me sfond migracioni nuk angazhohen ne jetën politike. Kur flitet për jetën politike, nuk duhet të nënkuptohet dhe nuk është fjala vetëm te jesh anëtarë i një partie politike, por kur ke mundësi të marrish pjesë në procese vendimmarrëse dhe në votime, përmes të cilave mund të bëhet një ndryshim.  Kisha këshilluar që sa më shumë njerëz me prejardhje te huaj te aktivizohen më shumë në të ardhmen në jetën politike  e shoqërore të vendit që kanë qendër të jetës së tyre.

A jeni anëtarë, apo a keni ndërmend të aktivizoheni edhe në jetën politike të Zvicrës?

Ende nuk jam anëtar, në njërën anë mbase ende nuk e kam shtetësinë zvicerane, në anën tjetër nuk e di a është ajo një mundësi për mua. Ende nuk e kam shtjelluar mirë këtë çështje, por në fakt mua politika me intereson.

Çka ke për t’ju thënë moshatarëve dhe njerëzve të të gjitha moshave, qofshin ata shqiptarë apo me prejardhje jo zvicerane ?

U kisha propozuar që të informohen dhe që ti njohin të drejtat e tyre sa më mirë dhe të luftojnë për të jetësuar ato. Dhe mos te pranojnë e as të mos e lejojnë diskriminimin dhe asnjë lloj praktike diskriminuese. Gjithashtu mos te kenë drojë e frikë nga fjalët e formulimet në dokumentet zyrtare, qe e përshkruajnë edhe mundësinë e humbjes. Ato janë shkruar dhe nuk duhet kuptuar ashtu, që tu frikësohen njerëzit, që të heqin dorë nga të drejtat e tyre legjitime dhe të mos ta vazhdojnë procedurën e realizimit të tyre.

A keni për të shtuar edhe diçka për lexuesit shqiptarë?

Që në të ardhmen le ta ngritin zërin me shumë dhe qe të përkrahin njeri tjetrin me shumë.

Për fund dua të shtoj se unë Mërgimi ndihem personalisht i nderuar për interesin e treguar për rastin tim dhe ju falënderoj për intervistën.