Maria Antonieta Rimoli një nga arbëreshet më aktive në qytezës e Frasnitës

(Profil Arbëresh )

Është disi e dhimbshme kur shikon qytezat arbëreshe që po shpopullohen nga dita në ditë. Nëpër rrugët e gjitonisë shumë shtëpi janë të pushtuara nga edera, shumë pragje i ka zënë myshku, e shumë dritare të rrënuara janë gjurmet e ndonjë fiku të egër që ka mbirë brenda tyre.

Të dhemb shpirti që në ato rrugica tashmë nuk ka më ciërima e tinguj vogëluesha që rendin duke folur arbërisht. Tek tuk ndonjë i vjetër  i moshuar i cili  ndërsa të kalon përbri të thotë: Ç’bënë gjiri ? dhe ndërsa largohet përshëndet: Rrini Mirë!

Nëse Arbëria është akoma frymon kjo është falë e atyre pak arbëreshëve të cilët vazhdojnë të jenë akoma në atë tokë ku të parët e tyre të cilët vendosen rrënjët, kthyen në toka buke ato pllaja, dhe hasin çdo ditë me vështirësitë gjeopolitike të shpopullimit, të cilët i rezistojnë kësaj bote globale për të mbajur gjallë identitetin e tyre, e që çdo ditë shkrijnë të gjitha energjitë e tyre për të mos u asimiluar.

Një prej këtyre arbëreshëve, është edhe mësuesja Maria Antonietta Rimoli.  Antonieta mbaroi studimet e larta në Universitetin e Kosencës, dhe punon mësuese po në krahinën e Kalabrisë.  Sot nuk do të ndalem tek profesioni i saj, por te roli i saj si arbëreshe në shërbim të komunitetit arbëror, e gatshme në çdo aktivitet për mbajtjen gjallë të treashgimnisë kulturore arbëreshe  si dhe të gjuhës arbërore.

Antonieta, dallohet për atë buzëqeshje, që gjithmonë i qëndron si një rreze dielli në fytyrën e saj,  por që prapa asaj drite, fshihet një dozë e ngrohtë  malinkonie, që e bënë karakterin e saj sa më reale.

Është një grua elegante, por kur ajo vesh atë kostumin arbëresh të qytezës së saj të Frasnitës\ Frascineto,  bëhet akoma më e hijshme!  Ajo është një nga  arbëreshet më aktive të qytezës së saj.

Në 1972 merr pjesë në grupin Folk të Frasnitës. Anonietën e shikon me kostumin  arbëror në ditën e pashkëve që bëhet  pjesë e asaj  polifonie antike, nëpër rrugët e gjitonisë. Antonietën e shikon duke mbajtur  vallen  dorë për dorë me shoqet e saj në sheshet e qytezave  arbëreshe,  apo  duke kënduar në kishën nënë të Frasnitës.

Antonietën e shikon në çdo skaj të Arbërisë si Kalabrisë. E shikon sa në AltoMonte,  Cerzeto, në konkurs e poezisë në Plataci, në  Sheshin e San Benedeto Ullano, duke kënduar “ E bukura e Strigarit”, në skenën e  Fesivalit  Arbëresh në San demetrio Corona.

Dashuria për Arbërinë i kalon ato caqet e katundeve arbëreshe dhe Antonieta shkon deri në dheun e të parëve të saj.. Zëri i saj  prek Kosovën,  ku “ O e bukura Mora”rrëngjeth shpirtin e shqiptarëve të Kosovës.

Me shpirtin e Arbërit ajo ndalon në tokën mëmë në Shqipëri në Ditën e Diasporës arbëreshe dhe krenare parakalon me  kostumin e të parëve të saj  duke e paraqitur atë  me aq fanatizëm  e dashuri . Ngjtet në podium e Shkodrës  fisnike e cila e nderohen me çmim “Mirënjohje”, dhe me jehonën “Arbëri rron” ngjitet në skenën e Festivalit të Gjirokastrës.

Antonieta është arbëreshe e besimit të ritin bizantin. Atë e shohim për krahë arbëresheve kur këndojnë himnin e Akathistos  në datën e  9 dhjetor ditën e Shën Mërisë, e  shohim  për krahë  arbëreshëve kur këndon pranë zjarrit në ditën e Shën Lucia, kur festojnë Krishtlindje, e kur zbaviten në ditën e karnavaleve.

Mungojnë pak ditë dhe jemi në periudhën paskuale. Përgatitja para ditës së pashkëve për mua – thotë Antonieta- është emocionuese. Fillojmë me përgatitjet e vezëve. Të cilat  i zjejmë, i ngjyeejmë me të kuqe, dhe përgatisim  kulacin dhe tortën. Nxjerrim nga baulet tona kostumin që i kemi trashëguar nga prindërit ose që i kemi bërë vet. Shumica e kostumeve kanë humbur, sepse ishte si traditë që nënat tona  varroseshin  me kostumin arbëresh me të cilin ishin martur.Tani kjo traditë me vite është zhdukur dhe kostumi përcillet brez pas brezi. Kostumet i ruajmë për ditën e martë pas pashkëve për  Ceremmoninë e Vallja. Kostumet i përdorim në  shumë festa të ritit tonë fetare por edhe civil.

Ceremonia  Vallja- është nje ritual që nuk është modifikuar në kohë në katundin tonë në Frasnitë. Kjo ceremoni   zhvillohet edhe sot në mënyrën  dhe formën e saj më antike. Fshatrat për rreth si Civita, e kanë modifikuar këtë ceremoni, kjo festë  është disi  më moderne në këtë qytezë. Vallja në Frasnitë është trashëguar identike si e zhvillonin  të parët tanë.

Ceremonia Vallja është një tip koreografie e formuar  nga të rinjtë, të veshur me kostum tradicionale.  Është një cikël kushtuar pranverës. Por që brënda kësaj ceremonie ka shumë rite.

Ne gratë arbëreshe me kostumet tona Lidhemi  zinxhir me anë të shamisë, dhe të udhëzuar nga dy figura të veçanta, të quajtur „flamurtarë“ (bartës),  njëri në fillim dhe tjetri në fund, që  gjarpërojnë nëpër rrugët të vendit dhe  këndojmë këngët antike të kësaj ceremonie. Kulmin ceremonia arrin kur këndojmë vargjet e Rapsodisë Kostandini e Jorundina. Kjo  “bese” kaq e shenjte që bënë  një të vdekur të ngrihet  nga varri,  për të mbajtur fjalën e dhenë. Këngët tona  janë një polifoni- përfundon Antonieta.

Antonietta, është një ruajtëse e mirë e etnografisë, kostumit si edhe kulturës arbëreshe. Të gjtitha ngulimet arbëreshe kanë kostumin e tyre- thotë Antonietta. Ne në Frasnitë kemi kostumet tona.  Kemi kostumin e përditshëm, kostumin e zisë, dhe kostumin e martesës. Kostumi  është identiteti ynë që e ruajmë me krenari brez pas brezi i cili vishet ne çdo fest, ne cdo manifestim, në martesë.

Nënat arbëreshe, i rritin fëmijët me ndërgjegjen arbërore, dhe muzika është pjesë e vatrës së tyre. Pasionin për muzikën ndoshta Antonieta ia ka përcjellë edhe të birit të saj Danilo Blaiotta. Tashmë një muzikant, kompozitor, ku mëma Antonieta e mbështet në të gjitha aspektet dhe krenare për birin e saj.

Amviset arbëreshe, janë nga më të dalluarat. Këtë karakteristikë e shohim edhe tek Antonietta, nikoqire si dhe njohëse e mirë si e traditës kulinaria arbëreshe, por edhe asaj kalabreze. Arbërshet  janë amvisa të shkëlqyera, si dhe  njohëse të mira të traditës kulinaria të arbëreshëve. E tillë është edhe Antonieta.

Antonietta  është nderuar me çmimin Ambasadore e Paqes dhe Artiste e Merituar e Arbërisë.

Ku është një pjesë Arbërie, atje është edhe Antonietta. E falenderojmë këtë arbëreshe për kontributin e saj në ruajtjen e kulturës dhe trashgimnisë arbëreshe dhe i urojmë suksese në këtë mision kaq fisnik.

Ornela Radovicka

Qendra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga  A. Bellusci 1980