Përmes një programi mbresëlënës të nxënësve të mësimit plotësuar, nëshoqërim të trupës artistike “Rilindja”, salla e madhe e restorantit Glatthoftë Gllatbruggut u tregua e vogël për ti pranuar të gjithë pjesëmarrësit
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Cyrih, 10 Dhjetor 2018: Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, apo Festa e flamurit tonë kombëtar, padyshim se është njëra nga datat qe tubon më së shumti mërgimtarë në çdo lokalitet të Zvicrës, ku ajo shënohet e sidomos kur organizohen nga Lidhje e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri». Sepse pikërisht fëmijët janë ata që sjellin shumë publik, si nga radhët e prindërve ashtu edhe të dashamirëve dhe miqve të shkollës shqipe.
Me sa dukej as vet organizatorët nuk e kishin parapa që dje në manifestimin e festiv të organizuar nga LAPSH- i kantonit të Cyrihut, të kenë një pjesëmarrje kaq të madhe. çka është për tu ndier mirë, sikur ky vullnet të kthehej edhe në motivim për shtimin e numrit të nxënësve në mësimin plotësues shqip, siç apeluan edhe kësaj radhe drejtuesit kantonal e qendror të LAPSH-it.
Krahas pranisë së prindërve e nxënësve pati edhe prani të përfaqësuesve diplomatik e konsullor, që përfaqësonin Republikën e Shqipërisë apo Republikën e Kosovës: Zëvendës ambasadori i Shqipërisë, Marin Meksi dhe shefi Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, të cilët pasi u falënderuan për pjesëmarrje nga kryetrari i LAPSH për kantonin e Cyrihut Naser Ulaj mbajtën fjalë përshëndetëse, ku vlerësuan lartë nevojën për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe të traditës shqiptare, përmes mësimit plotësues shqip dhe formave të tjera të aktivitetit kulturor e sportiv.
Drejtuesi i LAPSH-it kantonal të Cyrihut, Naser Ulaj, pasi përshëndeti edhe praninë e drejtuesve të ansambleve artistike që veprojnë në këtë kanton, shprehi kënaqësinë dhe falënderoj SH.K.A. “Rilindja “ me kryetarin e saj Gëzim Kasumaj për pjesëmarrje dhe plotësimin e programit të LAPSH-it me valle të ndryshme nga thesari ynë kulturor.
Më pastaj Ulaj i bëri një vështrim rrugëtimit historik të ngjarjeve që çuan deri te
Data e 28 Nëntorit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në qytetin e Vlorës dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Në fjalën e tij më tej, Naser Ulaj, potencoi se: “Të ruash gjuhën tende, ta flasësh e ta shkruash bukur, nuk është vetëm kulturë, por është një detyrim, është atdhedashuri, sepse na duhen te dyja edhe gjuha e zemrës edhe gjuha e bukës. Njëra na siguron jetesën ne vendet ku jetojmë, ndërsa gjuha shqipe na mban gjallë shpirtin, qenien tonë shqiptare. Shkolla dhe familja janë vatrat ku mësohet dhe ruhet gjuha shqipe. Prandaj thirrja ime mos hezitoni që fëmijët tuaj të ndjekin mësimin në shkollat shqipe sepse njohja e gjuhës së amtare i jep përparësi të mësoj me lehtë edhe gjermanishten si gjuhë të dytë si dhe gjuhë të tjera ku thellojnë kompetencat e tyre në të folur, lexuar dhe shkruar paralelisht ne gjuhen e vendit dhe në gjuhën amtare, kjo është vërtetuar nga ekspert të fushës së arsimit nga Drejtoria e Arsimit e kantonit Cyrih
Po me të njëjtën kërkesë për shtimin e numrit të nxënësve të pranishmëve iu drejtua edhe Nexhat Maloku, kryetar i LAPSH-it “Naim Frashëri” në nivel qendror, i cili tha se për paraqitjen nxënësve të ri ekziston një formular që nuk merr kohë më shumë se dy minuta për tu plotësuar.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i LAPSH-it për Zvicër, Nexhat Maloku. Edhe ai i ka ftuar nxënësit e pranishëm që t’i ftojnë shokët e tyre e t’u bashkëngjiten në bankat shkollore të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Në mesin e mysafireve të veçantë të kësaj pasdite festive kushtuar Festës së flamurit ishte edhe njëri nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në Zvicër, Nexhat Ibrahimi, si dhe të themelimit të LAPSH-it qysh në vitin shkollor 1992/93, i cili prej dhjetë vjetësh ka lëshuar Zvicrën dhe jeton në Prizren. Që në fillim ai kishte hapur klasën e parë në gjuhën shqipe në Lugano të Zvicrës, ndërsa tash ndiente emocione me ndryshimet rrënjësore që kanë ndodhur në dy-tri dekadat e fundit jo vetëm me mësimin plotësues por edhe me arritjet e shumta të komunitetit tonë në Zvicër.
Ndërkaq, sa i përket programit artistik festiv ai filloi me himnin kombëtar të korit të nxënësve të drejtuar nga mësuesi Hasan Spahiu e më pastaj u vazhdua me recitime, kënge e valle nga nxënësit e pikave të ndryshme shkollore, një program solid që u prit me duartrokitje nga të pranishmit e shumtë në sallë.
Pikat e valleve që ekzekutoi SH.K.A. “Rilindja”, ishin vërtetë të përgatitura me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, por edhe një dëshmi se kjo trup e re artistike nga viti në vit po përjeton një rritë duke demonstruar një cilësi të një niveli që mund të ia kenë lakmi edhe shoqëri me një stazh më të gjatë aktiviteti. Një pikë e veçantë që tërhoqi vëmendjen ishte edhe paraqitja e të riut Bendrit Bajra, ish- nxënës i klasës së Naser Uljt, i cili ishte përkujdes që mësuesit të vet në shenjë falënderimi ti sjell si dhurate një flamur kombëtar. Ai madje me moshën e vet që ka menaxhon një firmë për shitjen e veturave. Në përmbyllje të këtij manifestimi organizatori disa sponsorëve dhe vetë SH.K.A. “Rilindja” u ndau mirënjohje falënderimi.