Manifestim i sukseshëm i sindikalistëve shqiptaro-zviceranë edhe përkundër pandemisë

Të enjten mbrëma, me 15 tetor 2020, në “Volkshaus” të Cyrihut u mbajt një tubim informativ me temën “Ligji i ri për të huajt në Zvicër, tubim ky i organizuar nga grupi aktiv shqiptar në Unia „Aktivistët“ dhe grupi i migrantëve nga Unia Cyrih-Shafhausen. Tubim informativ i djeshëm, edhe pse në kushte e rrethana pandemie, ishte tejet i suksesshëm. Këtë manifestim fizikisht e ndoqën rreth 40 pjesëmarrës.

Referues i kësaj teme të rëndësishme veçanërisht edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër ishte veprimtari i mirënjohur Hilmi Gashi, ekspert i migracionit në Zvicër dhe drejtues i grupeve të interesit në sindikatën Unia. Tubimi si i tillë ishte i hapur edhe për të gjithë bashkëkombësit e interesuar të regjionit të Cyrihut me rrethinë dhe më gjerë.

Interesimi për ketë ligjëratë tematike ishte i madh. Edhe ata që ishin larg, apo që për arsye të ndryshme nuk patën mundësi që personalisht të ishin pjesëmarrës në mbrëmjen informative, kërkuan që referimi të filmohet, për të pasur mundësi që edhe ata të kenë mundësi të informohen mirë e drejtë.

Gepostet von Sheqir Berisha am Donnerstag, 15. Oktober 2020

Tubime të tilla informative që kanë të bëjnë me jetën dhe punën, të drejtat dhe obligimet si dhe me politikat e migracionit në përgjithësi në Zvicër organizohen rregullisht nga sindikata Unia edhe në gjuhën shqipe. Kështu ndjekësit e manifestimeve të tilla në rrjetet sociale sensibilizohen dhe motivohen për tu bërë pjesë aktive e organizimit sindikal, me qëllim për të mbrojtur dhe avancuar të drejtët e tyre dhe për të qenë pjesë aktive e shoqërisë dhe vendit ku jetojnë e veprojnë.

Sindikalisti shqiptaro-zviceran Florim Kadriu, i cili është aktiv edhe ne grupin „Aktivistët“ e Cyrihut, përndryshe organizatorë te Manifestimit ne fjale, nder të tjera theksoi: „Me përshkallëzimin e ligjeve për të huajt, fatkeqësisht praktika e anulimit dhe si pasojë deportimit të migrantëve nga Zvicra është bërë thuajse masovike – një situatë e pashembullt në tërë historinë shtetërore të Zvicrës. Hilmiu me kërkesë të Aktivistëve Shqiptarë në UNIA e ka pregatitur dhe shpjeguar sonte publikut temën në një mënyrë briliante dhe meriton një faleminderim të thellë. Kjo është një sfidë e rëndë për çdo migrante dhe migrant, por dhe një provim për shoqërinë tonë, të cilën mundemi vetëm ta tejkalojmë nëse bashkohemi.“

Ligjërim profesional nga Hilmi Gashi, mbi temën „Ligji i ri për të huajt në Zvicër“ nga të gjithë të pranishmit u ndoq me shumë vëmendje dhe u vlerësua shumë mirë edhe nga ta. Poashtu diskutimet e të pranishmëve ishin të shëndosha e interesante.

Referuesi i kësaj teme Hilmi Gashi, në një prononcim të tij mbi tubimin informativ në fjalë, për prointegra.ch, shprehet si në vijim: I lodhur, kthehem nga Cyrihu për Bernë. Por edhe shumë i kënaqur me pjesëmarrjen aktive të shumë të interesuarve në bashkëbisedim, mbi temën e Ligjit për të huaj dhe integrimin. E falënderoj grupin e migracionit të Unia Zürich-Schaffhausen për ftesën!

Osman Osmani, 16 tetor 2020