Nga Blerim Rrecaj
Na ka ndodhur të ndalemi te mjaft librashitës, për t’u afruar te librat e shtrira sofrave, tavolinave, tezgave, veturave, atyre që kemi hasur me biçikleta, rrugëve, trotuareve, plazheve.
Na ka ndodhur të endemi e vërtitemi rreth tyre, duke kërkuar, duke marrë e duke u kthyer për një titull, një botim të vjetër a të ri, të harruar a të rrallë, të rrallëgjindshëm.
Na ka ndodhur të bisedojmë për vlerat e tyre dhe kënqësinë që i kemi gjetur spontanisht, e “rastësisht me dashje”, për t’i marrë me vete në shtëpi për t’i shfletuar, lexuar e për t’u kthyer te rileximi.
Na ka ndodhur që atë që s’e kemi gjetur, aty ku i kemi kërkuar duke marrë nga aty me vete ndonjë përgjigje që nuk na ka kryer punë, të kthehemi të pyesim librashitësit a librarirëzat e tyre për ta gjetur aty, ose për të vazhduar kërkimin tonë.
Na ka ndodhur, e na ka ndodhur…
Shpeshherë jemi ndalur, edhe te njëri prej librashitësve, në hyrje të kryeqendrës aty ku bashkohen sheshet “Zahir Pajaziti” e “Nëna Terezë”. Pasi që libri ka ditur të bashkojë shqiptarët, të tjerët, botën.
Do kalojë një kohë, që pos takimeve të shkurtëra, që ta njohim më shumë e më nga afër. Dhe kjo pasi marrim vesh se ky librashitës ka botuar librin e tij. Vijmë deri te dita që libri i librashitësit na bije në dorë, pikërisht te shtëpiza e tij e librave, nga e cila kemi “rrëmbyer” gjithë ato libra të të tjerëve deri më tash. Bëhet fjalë për Florim Beqirin dhe librin e tij, me titull: “Koha që nuk kthehet më” me nëntitullin: Shënimet e një librashitësi. Sapo fillojmë ta lexojmë, vërejmë se bëhet fjalë për një libër të këndshëm, tërheqës për ta vazhduar leximin.
Florimi, pos që që është librashitës i njohur e i dashur për njerëzit, dashamirët e librit, llojesh e shijesh të ndryshme, ai është dhe lexues i pasionuar, që shkruan dhe përkthen, poezitë e tij e ato që i ka përkthyer, disa prej të cilave i ka vënë në këtë libër, që paraqet përvojën e tij prej librashitësi, sfidat, vështirësitë, kënaqësitë, dëshpërimet e shpresat, për kulturën, vendin, kohë që shkon e nga moskujdesi ynë mund të na “hakmerret” siç na u “hakmor” gjatë gjithë këtyre viteve.
Pjesa e parë e librit të tij, shfaq pjesën e hirtë e të betonizuar të Prishtinës, shtëpizën librare, aty ku vështron kalimtarët, i ndjen, i kupton hallet e hallexhinjve të shumtë, ku lexon, shkruan, përkthen, krahason, e mirëpret libërkërkuesit e libërdashësit jo të paktë, të cilët në njërën nga ditët iu bënë mburojë, për mosmbylljen e librarisë së tij, për shkak të autoriteteve pushtetore, të cilat për shkak të mospagesës së qirasë, e cila vazhdon të jetë barrë jo e lehtë për librashitësit “ambulantë”, e “rrugaçë”, që ofrojnë alternativë për artdashësit. Pos tjerash Florimi rrëfen edhe “luftën e tij me shiun”, për t’i shpëtuar kaq e kaq autorë që tashmë na flasin me anë të veprave të tyre të shndrruara në libra. Ka edhe tjera ndodhi, “cikërrima”, ditë të lodhura, takime me lexues, personalitete, studentë, studiues, vendas e jovendas, ku do t’i hasim e njohim edhe ne gjatë leximit të librit, shoqëruar me fotografi.
Pjesa e dytë e librit, pra, vazhdimi i tij, bën fjalë për tregimin e jetës së Florimit, fëmijërinë, adoloshencën, rininë, luftën, dëbimin, vdekjen e babait të tij në kampin e Bllacës, (që na kujtojnë jetën e dramat që kemi kaluar si shoqëri, si popull, e si komb), duke na njoftuar për historinë e tij, e duke na paraqitur çaste, ndodhi, e deri te fillimi i tij, i “zejes” së librashitësit.
Menjëherë, pas kthimit, pas fillimit të jetës, pas robërisë, ku nga banesat e ndryshme hidheshin libra e libra Florimit i lindi një ide.”Një ditë pashë një grumbull librash në një deponi. Ishin qindra. Të nesërmen, së bashku me një shok të fëmijërisë ramë në ujdi t’i shisnim. U vendosa në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë dhe aty fillova profesionin e ri në jetën time, u bëra librashitës”, rrëfen Florimi, i cili nuk harron të vë nëpër fletë libri, librashitësit tjerë, me të cilët vazhdon rrugëtimin si veteranë vlerash, që ndonëse e dijnë se fushëveprimtaria e botimeve lëngon si shumëçka tjetër, vazhdojnë përpjekjet duke qenë të vetëdijshëm se po ua lehtësojnë punën libradashësve, në këto ditë jo aq të kthjellëta, mbështjellura me mjegull kaosi e papërgjegjshmërie, dhe gjithnjë në kërkim të rregullit, e vënies së gjërave nëpër binarë të vet. Florimi nuk harron të përmend dashamirësit e fjalës së shkruar që e vizitojnë, i japin lista e tituj veprash, dhe presin përgjigje, në adresën e tij bujare, shpirtfloriri.
Kjo dashuri e madhe për librin është për t’u admiruar, dashuri që solli një libër, i cili është një udhërrëfyes kulturor, një projekt i mirëfilltë për botën magjike të librit, dhe gjithë atyre që e përbëjnë këtë botë.
Në këtë libër “takohemi” dhe me një poezi që pasqyron punën e librashitësve (lexojmë: libradashësve) të kryeqytetit, punë e cila ua lehtëson rrugën lexuesve, që pavarësisht fjalëve që thuhen, vazhdojnë të jenë jo të paktë, e duke gjetur prehje e qetësi, mësim e dituri tek shfletimi e leximi i librave të ndryshëm e të larmishëm, pas të cilëve ngarendin e vrapojnë si mbas zogjve, luleve, fluturave…
Florim Beqiri
LIBRASHITËSIT E PRISHTINËS
Ne gjithnjë i besuam librit.
Edhe kur ishte acar dashuria për librin na ngrohu zemrën e trupin.
Ne kurrë nuk u dorëzuam, nuk u dëshpëruam
Sepse qytetaria përherë na dha ca nga gëzimet, fjalët e buzëqeshjet e tyre
Dimri kështu kalonte lehtë
Pranvera na dhuronte shkëlqimin e syve tanë
Ne gjithënjë i besuam librit
Sepse ne vërenim urinë e dijes
Tek njerëzit tanë.
Ne nuk ikëm ne lulëzuam aq sa mundëm
Ne ishim përherë aty, n’shesh të librit
Me librat e atyre që ikën po na lanë dije
Për të na ndihmuar të jetojmë
Ndershëm e me zgjuarsi
Me librat e të gjallëve, që vazhdonin të lexonin
Por edhe të shkruanin
Libri është vet kuptimi i jetës tonë!