Lufta kundër pandemisë me pasoja për pushimet verore për mërgimtarët

Vendimi i qeverisë zvicerane, pak para fillimit të sezonit të pushimeve verore, për vendosjen e karantinës 10 ditore për qytetarët, të cilët kthehen në Zvicër prej vendeve me rrezikim të lartë nga infektimet, ka shkaktuar pasiguri te mërgimtarët, të cilët duan të vizitojnë vendet e tyre të prejardhjes.

Numri i infektimeve të reja me virusin Covid-19 është në rritje. Në luftë kundër pandemisë, qeveria zvicerane ka vendosur një seri masash për parandalim të infektimeve. Prej 6 korrik hyn në fuqi vendimi për karantinë 10 ditore për udhëtarët, të cilët kanë qëndruar në vendet me rrezik të shtuar. Në listën, e cila aktualizohet çdo ditë, figurojnë mes tjerash edhe Kosova, Serbia dhe Maqedonia veriore. Në këto vende kalojnë pushimet edhe një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë, të cilët tradicionalisht vizitojnë vendlindjet e tyre, marrin pjesë në ahengje familjare, takojnë miq, familjarë dhe shokë.

Edhe Shqipëria rishtas në listën zvicerane të zonave me rrezik infektimi 

Alternativa për pushime verore deri më tani kishte. Shqipëria nuk gjendej në listën e vendeve me rrezik të shtuar. Por, kjo situatë tanimë ka ndryshuar. Kushdo që nga ejtja e datës 20 gusht 2020 kthehet nga Shqipëria në Zvicër obligohet të futet në vet-karantinë.

Detyrimi për lajmërim

Detyrimi për qëndrim në karantinë vlen për të gjithë qytetarët, të cilët kanë qëndruar ne vende me rrezik të shtuar. Karantina vlen edhe për fëmijët.

Përjashtim bëjnë profesionist të cilët punojnë në transport të mallrave në vijat rrugore, ujore dhe ajrore. Pastaj, personat, puna e të cilëve është jetike dhe e rëndësishme për mbarëvajtjen e shërbimeve shëndetësore, sigurinë dhe rregullin publik dhe të ngjashme.

Pas kthimit nga këto vende, qytetarët duhet të lajmërohen te organi përkatës në kantonin e banimit dhe të ndjekin udhëzimet e këtij organi. Moslajmërimi mund të dënohet. Sipas ligjit mbi epideminë me maksimalisht 10’000 franga.

Pagat dhe kompensimi i të ardhurave

Deri tash kemi siguruar informacione, se edhe punëdhënësit anë reaguar, duke i informuar punonjësit e tyre për karantinën dhe se nuk do të paguajnë për kohën e karantinës.

Edhe rregullorja e aktualizuar COVID-19 e qeverise zvicerane nuk parasheh dëmshpërblim për kohën e karantinës. Pra, nëse personat udhëtojnë në vendet me rrezik të shtuar prej infektimeve, gjatë karantinës nuk kanë të drejtë në pagë apo të kërkojnë dëmshpërblim financiar. Përjashtim bëjnë Personat, të cilët dërgohen në këto vende nga punëdhënësi, për të kryer punë afariste.

Ndryshe qëndron puna te rastet urgjente. Nëse dikush udhëton në vendet me rrezik të shtuar, për të kryer një obligim të detyrueshëm ligjorë, si përkujdesa shëndetësore për anëtarë të familjes së ngushtë, ose vizita anëtareve të familjes në rrezik të jetës apo në gjendje para vdekje, atëherë paga duhet paguar, edhe nëse personi qëndron në karantinë.Një i punësuar, i cili ka udhëtuar në vendet e përmendura, përpara këtij vendimi nuk i prek faji. Këto raste duhet të analizohen prej gjyqeve.

Nëse puna mund të kryhet nga shtëpia, pra në “zyrë shtëpiake” dhe punëdhënësi siguron infrastrukturën për punë, atëherë nuk ekziston pengesa për punë.

Maskat e detyrueshme në transportin publik

Prej shtatë korrik vlen obligimi për bartjen e maskave në transportin publik. Të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç janë të detyruar të bartin maska mbrojtëse nëse udhëtojnë me tramvaj, autobus apo tren.

Nyjat informuese:

Enti Federativ për Shëndetësi

Ministria e Punëve të Brendshme