Lojërat tranzicionale

Pak minuta para orës shtatë u zgjua gruaja
Pak minuta pas orës shtatë u zgjova unë,
Erdhëm të dy në sallonkuzhinë
Fëmijët nëpër shtretër i lamë në gjumë.

Gruaja përgatiste për ne diçka në fëltere
Dy xhezve mbi shpotet i vura unë,
I pijmë pastaj kafetë as me nge e as për ngut
Dhe përcolla gruan që u nis për në punë.

Hyra në dhomë të gjumit ku flinte djali i vogël
Në dhomën e fëmijëve flinin dy vetë,
Zili ia pata edhe këtij gjumi ku flinin
Djali ynë i madh me djalin e axhës së vet

Erdha në sallonkuzhinë dhe për dy orë të mira
Humba siç di të humb ndonjëherë nëpër facebook,
Vërtitem duke lënë ndonjë urim e “like”
Dhe lëshoj këtë copë bote nga duart disi urtë e butë.

S’di çfarë të bëj e ngritem nga fotelja
Vështroj pjatën e mbushur me “chicken nuggets”,
Në shporet mora tepsinë me copën e mbetur të flisë së djeshme
Ndërsa pjata e mbuluar me letër alumini fëmijët po i pret.

Mbërriti mesditë e dielltë e pragvjeshtës
Lë diku mënjanë telefonin mençurak,
Me hap prej kreshniku të përrallës
Filloj dalngadalë po përgatis për veten një çaj.

Fijet e çajit të malit i hodha në gjygym
Mbi to hodha ujë dhe tash po pres,
Është çaj mali i një cope të natyrës shqiptare
Ardhur nga një fabrikë në Durrës, diku në Shkozet.

U zgjuan fëmijët baterimbushur gjumë
Do nisemi edhe pak por jo për në shkollë,
Vazhdon grevë e nisur dhe mësimi nuk filloi as sot
Ndonëse duke fluturuar është ky shtator.

E marrin topin e ndonjë lodër me vete po shkojmë të luajmë.
Ç’të bëjmë tjetër e ç’mund të bëjmë ne?
Kushdo që luan me ty prishja notën e sjelljes
Dhe notoje siç e meriton në ditarin tënd Atdhe!