LKSHM: pesë ditë përplot veprimtari e vëllazëri në Hora të Arbëreshëve në në Sicili

 

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, tashmë aktivitetin, pos në vendet evropiane ku vepron, e ka shtri edhe në mesin e vëllezërve arbëresh në Kalabri e Sicili.- Kësaj here te Hora e Arbëreshëve, kryeqendra e kulturës arbëreshe, krijuesit krahas mbajtjes së orës letrare «Pranvera Arbëreshe 2025»,  vizituan edhe ngulimet tjera në Sicili,  si dhe morën pjesë në manifestimin e nderimit te viktimave në Memorialin Portella della Ginestra, kur në ditën e 1 majit 1947, mafia vrau 11 persona, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Për 5 ditë rresht nga 27 prilli deri me  2 maj, më se 30 persona kryesisht krijues në kuadër të LKSHM-së, në përputhje me një marrëveshje paraprake me kryetarin e Bashkisë së Horës, z. Rosario Petta, morën pjesë në në sërë aktivitetesh të përbashkëta me arbëresh.

Natën e parë të aktivitetit, më 28 prill, krijuesit tanë të shoqëruar edhe me bashkëshortet e tyre morën në një program letrar- muzikor, përgatitur nga dy personalitete të reja arbëreshe të shquara në letërsi e muzikës: Mario Caliva, shkrimtar e dramaturg dhe Pierpaolo Petta muzicient i shquar,  krijuan përmes një programi mbresëlënës një atmosferë mëse entuziaste për vëllezërit e një gjaku, të ardhur jo vetëm nga mërgata, por edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Ndërsa dita e 29 prillit ishte edhe më e ngjeshur dhe e ngarkuar me disa vizita e aktivitete. Që në orën dhjetë të gjithë pjesëmarrësit bënë homazhe nderi para shtatoreve të kryetrimit tonë Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Nënës Terezë e më pastaj  vazhduan vizitat në biblioteka, tempuj e monumente, kur edhe u këmbyen libra nga ana e autorëve nga mërgata me ato arbëresh. Ndërkohë në ora 18, po këtë ditë në sallën e Bashkisë u organizua një orë letrare ku punimet e tyre i lexuan shkrimtarët mërgimtarë e arbëresh. Ndërsa fjalë rasti krahas kryetarit Rosario Petta, kryetarit e sekretarit të LKSHM-së, poetëve Musa Jupolli e Mentor Thaqi, foli edhe drejtoresha e Qendrës Albanologjike për studime arbëreshe,në frasnitë të Kalabrisë, Dr. Ornela Radovicka. Punimet e tyre nga ana e LKSHM-së i lexuan Shqipe Bytyqi, Bajrush Zeka, Xhevat Muqaku, Bashkim Halilaj, Hazir Mehmeti e Mentor Thaqi, kurse ajo e arbëreshëve: Guiseppina D. Schiro, Guisi Cerniglia, Giosppe Petta, Mario Caliva dhe Pierpaolo Petta. Me këtë rast Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në mërgatë shpalli anëtar nderi shkrimtarin e mirënjohur arbëresh Schiro Di Maggia.

Ndërsa 30 prilli na gjeti te dy ngulimet tjera arbëreshe , që shquhen edhe për histori edhe për dhënien e figurave të shquara të artit e kulturë, siç janë Pallaci (Palazzo Adriano) dhe Kuntisa (Contessa Entellina). Ngulimi parë Pallaci është është një qytezë që  impresionon që në dukje të parë me Sheshin Umberto I, ku gjenden kisha e katedrale dhe përballë sheshit gjendet shtëpia e poetëve rilindës, të Darajve, shndërruar në bibliotekë edhe vendlindja e Darës. Këtu u pritëm nga kryetari i bashkisë Grana Nicola, me origjinë arbëreshe i cili shquhet për afërsi e mikpritje, i cili pjesëmarrësve u dhuroi librin mbi të kaluarën dhe të sotmen e këtij qyteti. Gjatë vizitës na shoqëruan dy vajza të reja me njohuri të thella për vendbanimin e tyre por që fatkeqësisht si edhe i tërë ngulimi ka humbë të folmen arbëreshe.  

Ndërsa vendbanimi tjetër, qyteza Kuntisa (Contessa Entellina), ka ruajt gjuhën dhe traditat dhe aty hasëm në një pritje të ngrohtë ku edhe prifti i këtushëm na këndoj për mrekulli disa këngë të vjetra arbëreshe.

Më 1 Maj, ishim pjesëmarrës si në varrezat e Horës së Arbëreshëve ashtu edhe në Memorialin Portella della Ginestra, për të nderuar viktimat, kur në ditën e 1 majit 1947 mafia vrau 11 arbëresh, në mesin e tyre edhe dy fëmijë  

Me këtë rast, në përmbyllje të këtij aktiviteti, një falënderim nga zemra për të gjitha motrat dhe vëllezërit arbëresh që gjatë kësaj vizite na shoqëruan në çdo hap: në manifestime, evenimente, ndeja drekash e darka e piknikë. Nuk po i përmendi me emër që mos të harrojë pa të drejtë ndonjërin prej tyre.