
Pardje, më 21. Mars 2019, (Dita e parë e pranverës), gjatë kthimit në shtëpi nga shkolla në pushimin e drekës një vogëlush 7-vjeçar nga Kosova u masakrua me thikë nga një plakë vendëse 75-vjeçare në një lagje të qytetit të Bazelit. Lajmi u publikua pothuajse nga të gjitha mediat e brendshme dhe të jashtme.
Ky krim i përbindshëm shokoi të gjithë qytetarët e Bazelit dhe më gjerë, pavarësisht prejardhjen e tyre kulturore. Sepse godiste dhe përdhoste përfytyrimin esencial, pothuajse hyjnor, të dashurisë së një nëne ndaj fëmijëve, të një gjysheje ndaj të vegjëlve. Ishte e qartë se bëhej fjalë për një të sëmurë mendore. Mirëpo sëmundja mendore nuk mjafton për të shpjeguar rrënjët sociale dhe psikosociale të këtij krimi.
Akuzat standarde ballkanike
Akuzat tona standarde ballkanike se u vra sepse ishte shqiptar, janë naive dhe të cekëta. Është e vërtetë se nga partia populiste e djathtë e Zvicrës, SVP, ky krim, po të kishin qenë viktima dhe autori i krimit me prejardhje të kundërta, padyshim që do të ishte shfrytëzuar për një fushatë të re dëbimi të të huajve nga Zvicra.
Mirëpo ky nuk është qëndrimi as i të gjitha partive tjera, as i një qytetari standard zviceran. Është thjesht një qëndrim i paskrupullt nga i cili distancohen të gjithë qytetarët normalë. Mirëpo ajo që duhet të na interesojë të gjithë neve si qytetarë të Zvicrës janë rrënjët sociale të krimit, të cilat prokuroria nuk guxon t’i fshehë nën rrogoz me pretekstin e psikopatologjisë së autores së krimit.
Dorasja subjekt i Tutorisë
Shenjat e para të këtyre rrënjëve janë zbuluar: Një vit më parë kjo grua kishte lënë banesën e saj të fundit zyrtare dhe ishte zhdukur pa adresë. Ndërsa 11 vite më parë ishte vënë nën vëzhgimin dhe kujdesin e organit të tutorisë për shkak të një borxhi prej 100.000 frangash zvicerane. Natyrisht që ky borxh dëshmon parregullsinë e jetës që do të ketë çuar kjo grua.
Mirëpo organi i kujdestarisë ka pasur kohë 11 vite të tëra të ndërmarrë masat përkatëse për këtë grua, duke e dërguar qoftë në burg, qoftë në trajtim psikiatrik, qoftë në ndonjë strehimore pleqsh. Kur vijmë te kjo e fundit natyrisht që shtrohen pyetje të tjera, siç janë çmimet e larta të sigurimeve e të strehimit në Zvicër.
Kostoja e trajtimeve institucionale dhe pafytyrësia e agjensive të sigurimeve
Sado i përkryer sistemi zviceran në sytë e botës, gjithmonë ekzistojnë vrima, të cilat organizata të paskrupullta të sigurimeve sociale e shëndetësore i shfrytëzojnë për të grumbulluar pasuri të pamerituara nga qytetarët. Një qytetar me kufizime të caktuara mendore siç duhet të jetë rasti me këtë grua të tërbuar, kollaj mund të krijojë përfytyrimin e sëmurë, se këtë shtet të padrejtë mund ta sfidojë përmes një krimi makabër.
Është krejt irelevante prejardhja kulturore e fëmijës, ky fëmijë është përzgjedhur ashtu siç egërsira zgjedh kafshën më të dobët nga tufa që do të sulmojë. Sepse vetëm një fëmijë trupvogël nuk mund t’i bënte ballë tërbimit të saj.
Sëmundje apo fanatizëm anarkist
Pra, në vend të interpretimit të kollajtë mbi sëmundjen mendore të autores së krimit, prokuroria duhet të marrë në konsideratë edhe një lloj fanatizmi anarkist të autores së krimit që mund të ketë identifikuar qytetarët e pafajshëm (fëmijët) si simbole të shtetit e të shoqërisë, përkundër asaj vetë të cilën ky shtet në ndonjë formë mund ta ketë ekskomunikuar. Vetëm disponimi anarkist (Ju më keni harruar, ndërsa unë po ju sfidoj) mund ta ketë nxitur autoren e krimit që lajmin mbi krimin e saj ta shpallë anekënd dhe më pas të vetëdorëzohet në polici.
A është fanatizmi ideologjik sëmundje mendore?
Mirëpo është edhe një problem tjetër që duhet diskutuar: a është fanatizmi ideologjik një sëmundje mendore? Kjo është një pyetje që është shtruar hapur në ndonjë parlament evropian e në ndonjë organizatë psikologësh evropianë.
Bislim Elshani, 23 mars 2019




















