Lidershipi evropian tregohet ende i paaftë për të zgjidhur problemet e veta pa ndihmën e SHBA-ve

Nga Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern)

Gjatë të kaluarës, lidershipi evropian ka dështuar shumë herë për të zgjidhur problemet e veta dhe i është dashtë ndihma nge SHBA-të. Luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, të iniciuara nga krimineli i luftës Slobodan Millosheviç, shkaktuan gjenocid të popujve, në veçanti të civilëve boshnjakë dhe kosovarë, duke përfshirë fëmijët, gratë dhe pleqët. Këto luftëra që kishin si pasojë dhunimin e mijëra vajzave dhe grave nga trupat ushtarake dhe paramilitare serbe, tregojnë qartë se Europa ishte e paaftë ti stopojë këto marrëzira serbe pa ndërhyrjen e SHBA-ve për të bombarduar forcat e ushtrisë serbe. Pra lidershipi i BE-së ishte shumë i dobët për të parandaluar këtë katastrofë.

Pas Luftës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga BE të ndihmojë ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës duke i ndihmuar Kosovarët që të bëjnë ligj dhe rend në vendin e tyre. BE-ja formoi një grup pune të quajtur EULEX dhe dërgoi në Kosovë shumë jurist për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë ligjin dhe rendin. Për fat të keq, shumë nga këta juristë u involvuan vet në afera të ndryshme të korrupsionit në Kosovë dhe kanë kontribuar shumë pak në përmirësimin e ligjit dhe rendit në Kosovë.

Serbia, e cila ishte agresore në luftën e Kosovës e që deportoj gati një milion njerëz nga shtëpitë e tyre dhe shkatërrojë pronat e tyre, pat akuzuar UÇK-në të ketë bërë krime ndaj civilëve serbë dhe trafikimin e organeve të tyre. Bazuar në këtë akuzë serbe, BE urdhëroi një task-forcë për të hetuar vetëm UÇK-në. Përkundër faktit se Serbia ka vrarë më shumë se 20,000 civilë shqiptarë dhe ka përdhunuar mbi 23,000 vajza dhe gra, BE nuk kanë urdhëruar ndonjë hetim kundër ushtrisë dhe paramilitarëve serb. Si një ekspert ndërkombëtar në shkencës së lidershipit unë e quaj këtë gjest të BE si orientim të padrejtë.

Dhomat e gjykatës speciale kundër luftëtarëve të UÇK-së u krijuan në vitin 2015 për të hetuar akuzat për krime lufte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Pretendimet përfshinin trafikimin e organeve njerëzore nga të burgosurit dhe vrasjet e serbëve dhe shqiptarëve. Gjykata, e cila është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës pavarësisht se është e vendosur në Holandë, ka filluar të marrë në pyetje ish luftëtarët e Kosovës këtë vit.
BE-ja për më shumë se 20 vjet po i pengon Kosovarët të udhëtojnë në vendet e BE-së. Kosovarët janë i vetmi popull në Evropë që për të vizituar vendet në kontinentin e tyre, Evropën u duhen viza.

Nëse BE është e përkushtuar për të mbështetur agresorët dhe për të bërë denigrimin e viktimave, atëherë vlerat civilizuese e demokratike të BE-së duhet të vihen në pikëpyetje.

Kosova, si mike e ngushtë e SHBA-ve është duke u plagosur, sidomos tani, kur nga gjykata speciale u ftua kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe luftëtar të tjerë të UÇK-së për t’u pyetur nga një gjykatë me bazë në Hagë. Haradinaj nga akuzat e mëhershme është shpallur dy herë i pafajshëm nga gjykata e Hagës.

Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të premten e kaluar, pranoi të intervistohej në dhomat e posaçme të gjykatës speciale dhe nuk donte të paraqitej atje si kryeministër. Ai tha se ai dhe kabineti i tij do të vazhdojnë të drejtojnë vendin derisa të zgjidhet një kryeministër i ri.
“Mendova se nuk mund të shkoj në marrje në pyetje si kreu i qeverisë,”, potencoi, z. Haradinaj në një konferencë shtypi. “Unë do të mbrojë veten si një luftëtar i vendit tim.”

Haradinaj dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së gjatë Luftës së Kosovës po mbronin fshatrat e tyre, të cilat vazhdimisht sulmoheshin nga forcat serbe të armatosura mirë. Meqenëse sulmet ushtarake serbe ishin të përhershme, i vetmi target dhe mundësi luftimi për ushtarët e UÇK-së ishin forcat militare dhe ato parmilitare serbe.

Shumë liderë tjerë të Kosovës pritet të thirren nga dhomat e specializuara, kjo mund të shkaktojnë destabilizim edhe të mëtejshëm të këtij vendi të sapolindur, i cili u bë i pavarur në vitin 2008. Kosova njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa më e madhe shteteve të Perëndimit, por jo edhe nga Serbia, Rusia e Kina.
Evropa duhet të ketë parasysh se Rusia dhe Kina, strategjikisht dëshirojnë që Evropa të bëhet edhe më e dobët, ato donë ta destabilizojnë Kosovën dhe qëllimet e tyre finale janë destabilizimi i BE-së.

Evropa duhet të reflektojë dobësitë e saja dhe të kujdeset më shumë për qytetarët e saj dhe të tregojë më shumë orientim drejtësie ndaj çdo qytetari të vet, sepse SHBA nuk mund ta zgjidh çdo herë rrëmujën e krijuar nga vetë evropianët.

Rreth autorit: Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern) është profesor i Lidershipit dhe Inteligjencës Emocionale për programet Doktoratë, PhD, MSc. dhe MAS; Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër; Supervizor në universitetin prestigjioz ETH në Zvicër; Shkencëtar; Këshilltar dhe trajner i liderëve më kalibër të lartë; Folësi kryesor në shumë konferenca ndërkombëtare me reputacion. Kontakti: info@alss-edu.ch www.alss-edu.ch