Liburn Mehmetaj, kryetar i ri i LAPSH-it, shpreh zotimin për ti bashkuar dy shkollat shqipe në Zvicër

Në qytetin Burgdorf , të kantonit të Bernës, dje u mbajt Kuvendi rregullt zgjedhor i LAPSH “Naim Frashëri” për Zvicër, me që rast për kryetar të ri u zgjodh avokati Liburn Mehmetaj, i cili tha se krahas bashkimit do të angazhohet edhe për modernizimin e mësimit plotësues.- Delegatët e kantonit të Cyrihut në mënyrë demonstrative lëshuan kuvendin, pasi sipas tyre nuk ishte plotësuar kërkesa e që çdo kanton të sjellë listat e nxënësve, të mësuesve dhe të pikave shkollore.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Fillimin e punës së  këtij kuvendi e shpalli të hapur kryetari i deritashëm, Nexhat Maloku, i cili për tri mandate është në këtë funksion, paraqiti raportin e punës në periudhën mes dy kuvendeve, meqë rast përmendi aktivitetin e zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Gjatë kuvendit nuk u dha numri i sakë se sa mësues punojnë apo sa nxënës e vijojnë mësimin plotësues në kuadër “LAPSH-it” “Naim Frashëri” në Zvicër, por vetëm raportet e pikave shkollore nga kantonet zvicerane, me që rast tri kantone nuk i kishin ofruar të dhënat e kërkuara. Ndaj edhe ky rast u mor si shkas nga përfaqësuesit e kantonit të Cyrihut, për ta lëshuar kuvendin para se të përfundonte, me motivin, se siç tha kryetari i Lapsh-it të këtij kantoni, Naser Ulaj: Ne kemi kërkuar që sipas vendimit të kryesisë listat e nxënësve në mënyrë të shkruar me emra e mbiemra dhe të mësuesve të pikave shkollore bashkë me adresa të përcillen si edhe procesverbalet në mënyrë që kuvendi të jetë i rregullt dhe me legjitimitet,  e pastaj do të kontrollohej nga një komision prej nga do të dihej numri i saktë i delegatëve. Ndërsa delegatët e kantoneve të tjera reaguan, se pse tu besojmë ne juve sa i përket kësaj çështjeje derisa ju nuk na besoni neve.

Këtë kërkesë të përfaqësuesve të kantonit të Cyrihut, kryetari Nexhat Maloku e qiti në votim, por kjo nuk u pranua, sepse 18 delegatë të kantoneve tjera nuk e përkrahen, ndaj edhe 5 delegatët dhe përfaqësuesit tjerë të LAPSH-it të kantonit të Cyrihut në mënyrë demonstrative e lëshuan kuvendin.
Kuvendi e vazhdoi punën me miratimin e raporteve të kryetarit, arkëtarit dhe u bë zgjedhja e kryetarit të ri të Kryesisë së LAPSH “Naim Frashëri”, avokatit , Liburn Mehmetaj, njëherësh kryetar i këshillit kantonal të Gjenevës, zgjedhja e të cilit u përcjell me duartrokitje nga përfaqësuesit e  mbetur në sallë.

Duke i falënderuar të pranishmit Liburn Mehmetaj tha se është i biri i dy veprimtarëve shumëvjeçarë ne mësimit plotësues në Zvicër, Nexhmije e Nezir Mehmetajt dhe u zotua se për te parësore janë bashkimi i dy shkollave shqipe, që tash e disa vjet veprojnë ndaras si dhe modernizimi i mësimit plotësues, duke e bërë atë shumë më të afërm, modern e komunikues.