Libër që pasqyron vizionin real politik të Halil Alidemajt

Libër që pasqyron vizionin real politik të Halil Alidemajt
(Safet Sadiku, « Frymëzuesi i lirisë », Prishtinë, mars 2023)

Nga Ismet Rashiti

Në muajin mars të vitit 2023, ka dalur nga shtypi libri me titull « Frymëzuesi i lirisë » i autorit Safet Sadiku. Me këtë rast autori na sjell të dhëna të panjohura deri më tani për opinionin që lidhen me vizionin politik të atdhetarit, historianit dhe të burgosurit politik, Halil Alidema. Sado që aty-këtu është shkruar, madje janë bërë edhe libra e këngë për personalitetin dhe veprën e Halil Alidemajt, libri « Frymëzuesi i lirisë » i autorit Safet Sadiku si të thuash është një studim i veçant, meqë autori ka jetuar dhe bashkëvepruar nga afër me këtë veprimtar dhe vizionar të madh e largpamës të çështjes kombëtare . Ndaj nuk është aspak e rastit që autori e quan « frymëzuesi i parë i lindjes së UÇK-së » sidomos pas takimit që kishte pasur Mr. Halil Alidema me presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia në fund të vitit 1990.
Në fakt Halil Alidemaj pas një kohe të shkurtër breda LDK-së, kishte kërkuar me ngulm një rezistencë aktive në « mbrojtje të pragut të shtëpisë ». Njëherit kishte marrë kontaktet e para me oficerë ushtarakë të Shqipëërisë dhe përpiqej me çdo kusht të bënte një organizim të mirëfillt për ushtrimin dhe përgaditjen e të rinjëve.
Meqenëse pikëpamjet dhe vizioni politik për « një rezistencë më aktive » nuk gjente përkrahje të madhe brenda LDK-së, Mr. Halil Alidema u detyrua të marrë hapa konkret për themelimin e Partisë së Unitetit Kombëtar- UNIKOMB. Kjo kishte ndodhur më 06 maj 1991, menjëherë pas Kuuvendit të Parë të LDK-së të cilin e kishte lëshuar në mënyrë protestuese.
Që nga ky moment UNIKOMB-i filloi t’i themeloi degët dhe nëndegët e tij kudo në viset shqiptare dhe në mërgatë. Moto e Halil Alidemajt ka qenë « shqiptarët nuk çlirohen pa luftë të armatosur mbrojtëse nga Serbia ».
Autori i librit, Safet Sadiku duke qenë gjithëmonë pran dhe krah i djathtë i Halil Alidemajt, ka arritur t’a kuptoi nga brenda filozofinë politike të këti intelektuali dhe atdhetari të dëshmuar që nga demonstratat e vitit 1981. Vendosmërinë e tij e kishte treguar edhe në burgjet ish jugosllave, i cili pamedyshje mbrojti të drejtën e shqiptarëve për Republikën e Kosovës.
Në fillim të viteve 90-ta, autori kishte qëndruar në Koper të Sllovenisë dhe qytete tjera ku kishte pasur rastin të takohej edhe me Mr. Ukshin Hoti (Baca Ukë) nga i cili kishte mësuar shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe si duhet të zgjidheshin ato. Gjatë kësaj kohe, Safet Sadiku kishte arritur t’a nxirrte revisten « Qëndresa » dhe me gjithë vështërsitë që kishte sidomos me botimin e saj në Kosovë, kishte arritur të bënte ndikimin e saj.
Në librin e « Frymëzuesi i lirisë », Safet Sadiku e shpalosë në tërsi personalitetin e këti burri të madh, me vizion të qartë politik për çlirimin e Kosovës. Fund e krye librit paraqitet guximi i tij prej çlirimtari, karakteri i tij i fortë kombëtar, tejkalimi i vështërsive dhe bota e tij e brendëshme për bashkimin e të gjithë shqiptarëve drejtë një qëllimi të përbashkët. E gjithë kjo përmes veprimeve konkrete, bisedave netëve të gjata, vendimeve konkrete dhe intervistave në të cilat shpaloset karakteri i filozofisë politike dhe atdhetare i Mr. Halil Alidemajt. Në këtë libër për herë të parë dalin para opinionit edhe disa lëvizje ushtarake dhe lëvizje tjera që kishte bërë Halil Alidema. Njohja me Komandantin Legjendar Adem Jashari qysh në vitet e 90-ta, bidesat interesante rreth çështjeve organizative për « një rezistencë aktive në mbrojtjen të pragut të shtepisë » e tjera.
Libri « Frymëzuesi i lirisë » na sjell edhe biseda e intervista interesante nga bashkëpunëtorët e Halil Alidemajt, ndër të cilët Ruzhdi Saramati, Nysret Hajdari (Fitim Fitimi), Jup Ahmeti, Havë Shala, Bajram Dervishaj, deklarata e Fatmir Gurit e tjerë, të cilët dëshmojnë për këtë personalitet e atdhetarë trim,largpamë dhe të vendosur deri në fund nga Pozherani i Vitisë, ku edhe ze fill aktiviteti i tij me thyerjen e fotografisë së Titos.
Autorit i mbeten peng të mësoi edhe për mënyrën e vdekjes së Halil Alidemës si dhe thyerjen e banesës dhe rrëmbimit të matrialeve në banesë dhe në zyrën e UNIKOMB-it në Tiranë.
Gjithsesi me këtë libër, Safet Sadiku ka arritur në masë të madhe ta paraqet kalibrin e një atdhetari të madh, të një intelektuali të dëshmuar dhe të veprimtari me vizion të qartë politik.
Për personalitete të tilla, asnjëherë nuk mund thuhet fjala e fundit…