Liber Emini, një krijuese e re nga Kumanova me hapat e parë në prozë

 

Gjatë panairit të librit “Diaspora 2022” në Uster të Zvicrës, takuam krijues të shumtë nga mërgata e trojet shqiptare, por ajo që na tërhoqi kësaj radhe ishte pyetja, se cili apo cila ishte krijuesja më e re në këtë ekspozim libri. Dhe doli se ishte një krijuese e re nga Kumanova me dy librat e saj dy librat e saj në prozë, e që edhe emri i saj nxit kërshëri. Ishte kjo Liber Emini, që aktualisht punon në kabinetin e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Maqedoninë e Veriut, konkretisht me zbatimin e gjuhës shqipe në RMV-së.

Bisedën e zhvilloi: Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi

Ndaj edhe pyetja e parë, drejtuar kësaj të reje ishte që të na jep letërnjoftim të shkurtër:

-Unë kam lindur në qytetin e Kumanovës (Maqedonia e Veriut), shkollën e mesme e kam përfunduar në Kumanovë (gjimnazin e qytetit “Sami Frashëri”), fakultetin e kam mbaruar në kryeqytetin dardan Shkup, Fakultetin e Drejtësisë (Katedra Civile), kurse studimet e masterit kam kryer në Tetovë, poashtu në Universitetin amë të shqiptarëve Universiteti i Tetovës.

Po hapat e parë në profesion?

-Unë si një jurist në ngitje përvojat e mia profesionale i kam filluar në institucionet e drejtësish të vendit (Gjykata Themelore Shkup, Gjykata Themelore Kumanovë, Zyrë Avokatia dhe Zyrë Noterie), kurse  tani punoj në  kabinetin  e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Maqedoninë e Veriut, konkretisht me zbatimin e gjuhës shqipe në RMV-së.

Po në krijimtari letrare, nga të lindi ideja apo frymëzimi?

-Unë nuk kam pasur ndonjë ditë, datë apo vit të caktuar që kur të filloj të merrem me krijimtari letrare (shkrime). Dëshira ime për një fushë të tillë ka qenë që në fëmijëri. Që si fëmijë i shkollë fillore merresha me shkrime të ndryshme, konkurroja nëpër konkurse të ndryshme letrare, brenda dhe jashtë vendit, herë merrja çmim e herë jo, por s`ka rëndësi…megjithatë unë vazhdoja…

Zakonisht të rinjtë hapat e parë i bëjnë në poezi, e ti ?!

-Unë nuk është se nuk shkruaj dhe poezi, por fillimet e mija kam nisur me prozë, ngase edhe më pëlqen më tepër, disi më duket se më lejon të shprehem më shumë se sa poezia, dhe besoj se libri i radhës do të jetë me poezi.

Veprat që solle në panair ç ‘motiv dhe përmbajtje kanë ?

-Dy veprat e mia të para që unë botova janë: “Nëse NE jo, KUSH?, dhe nëse SOT jo, KUR?”, si dhe “Gjithëçka që di një burrë për një grua”.

Motiv dhe inspirim për mua ka qenë ballafaqimi me ide të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, leximi i veprave të shumta, aktualiteti i sotshëm dhe shumëçka sot që na rrethon, madje mendoj se shumë fjalë që s`mund ti thotë goja i thotë lapsi, andaj dhe unë për hir të këtij parimi madhështor vendosa që fjalët të mos mi merr era, por ti fus në letër! Sikur çdo krijim letrar-artistik (këngë, film, prozë dhe poezi) që përcjell një mesazh në vete, madje  qoftë edhe jo të mirë (por të paktën na mëson diqka), ashtu edhe veprat e mia përcjellin një super mesazh për lexuesit, e pikërisht rininë. Sepse janë të një karakteri psiko-social e filozofik të mendimit kritik.

Po libri i radhës?

-Kurse sa i përket librit tim të radhës, patjetër që lexuesit do të  ndeshen me një krijim tjetër mbresëlënës, por ende nuk dihet konkretisht se kur do të jetë…zakonisht planet e ardhshme ia lë kohës, ajo na befason më mirë.

Si funksionojnë shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut?

-Në Maqedoninë e Veriut ka shoqata të shkrimtarëve shqiptar, dhe janë të pasura me autorë dhe vepra të tyre tejet të suksesshme, që veprojnë dhe funksionojnë brenda dhe jashtë vendit. Por një gjë më duhet theksuar se aty nuk janë të përfshira të gjitha moshat e krijuesve letrar, fatkeqësisht…

Personalisht unë kam qenë e ftuar në simpoziumet e tyre të ndryshme, por si i ftuar jo si “nikoqir”.

Po për panairin e librit në Ushter të Zvicrës , që përshtypje ke?

-Panairi i librit “Diaspora 2022”, i cili ishte i dyti me radhë që mbahet, i organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “BASHKIMI” , ishte një super projekt i dobishëm për të gjithë shkrimtarët shqiptar brenda dhe jashtë diasporës. E quaj pa hamendje kështu, sepse bëri bashkimin e gati të gjithë poetëve të trojeve shqipe, pa dallim moshe, gjë që edhe unë isha pjesëmarrës në një ngjarje të tillë, madje edhe  isha shkrimtarja më e re në atë ndodhi (si nga mosha ashtu edhe nga karriera ime profesionale letrare), gjë që ishte nderë dhe privilegj për mua të prezantoja para një publiku të tillë.

Panairi “Diaspora 2022” i dha një ndriçim edhe më të madh krijuesve letrar shqiptar në mërgatë, me të cilën tregoi edhe një herë se shqiptarët janë popull arsimdashës e të ndritur, dhe se penda e tyre nuk shteret qoftë edhe larg vendlindjes…

Po sa i përket librit shqip RMV ?

-Sa i përket librit shqip (literaturës shqipe) në RMV, ajo tani më është ulur aty ku i ngjante çdoherë “Mesharit të Gjon Buzukut”, pra në front të letërsisë në vend. Por nuk përjashtohet mundësia e ndihmesës edhe nga ana e Shqipërisë dhe Kosovës, që nënkupton se muri kufindarës nuk arriti të jetë pengesë për mos realizimin e projekteve tona letrare e akademike.

Unë mendoj që nuk thuhet kot ajo thënia se “Guri i rëndë peshon në vendin e vet”, madje dhe i qëndroj shumë pas kësaj thënie, por në të kundërtën, kur ti nuk ia bën vendin gurit ai rrokulliset dhe shkon aty ku i përshtatet vendi më mirë!

Gjë që fatkeqësisht kjo po ndodh aktualisht tek ne… dhe unë nuk mund ti fajësoj të rinjët që me ose pa dëshirën e tyre po e braktisin vendin, sepse sigurisht secili prej nesh ëndërrojm për një të ardhme të ndritur. Maqedonia e Veriut është një vend i vogël për realizimin e ëndrrave, sepse mundësia e saj është `mbijetesë` dhe jo `jetë`. Dhe zakonisht vendet me perspektiva të vogla nuk krijojnë kushte për të kapur qëllimet e tua, dhe kryerja e misioneve është shumë më e vështirë krahas vendeve tjera të zhvilluara. Andaj unë nuk mundem ti vë faj askujt, sepse jeta e secilit përbëhet nga ëndrrat të cilat nuk i gjetën realizim në një vend, dhe pse mos të kërkojë mundësin diku tjetër.

Si e sheh largimin e shqiptarëve, sidomos të moshave rinore ?
– Sot bota është e vogël, dhe ti mundesh brenda një intervali të shkurtër kohor të lëvizësh, pra të kërkosh ato `tullat e tua` për ta ndërtuar `kështjellën tënde`, kjo nuk i bën më pengesë askujt, madje as vetes tënde për tu kthyer prapë në atdhe. Sepse fati i shqiptarëve shpesh herë i ngjan fatit të shqiponjës, shkon ku do por prap kthehet në fole.

Andaj unë them le ti ndjekim ëndrrat e tona, ku do qofshin ato, por të paktën ti arrijmë, sepse vetëm ashtu përmbushmi, dhe vetëm ashtu jemi vetvetja të cilën ne e duam dhe e kërkojmë. Por prapë mos të harrojmë nga vijmë dhe kush jemi!

Padyshim që jam kundër këtij fenomeni të jashtëzakonshëm, që asnjëherë nuk na u shmang neve si shqiptar, por nëse detyrohem…me keqardhjen më të thellë do ti bashkëngjitëm këtij `karvani fatkeq`, sepse siç e ceka edhe më lart jo çdoherë mundësitë e tona janë më të mëdha se ëndrrat!

Si e sheh rolin apo pozitën e femrës shqiptare në rrethin ku jeton dhe vepron?

-Roli i femrës shqiptare tani më ka ndryshuar në mënyrë graduale, FATMIRËSISHT, edhe pse prapë ai sistemi `patriarkal` është e vështirë të zhduket krejtësisht, por megjithatë rolin që ka pasur, tani më nuk e ka, pra ka ndërruar pozitën.

Mendoj se diskriminimet kanë ekzistuar gjithmonë, jo vetëm në gjini (gender), por kudo, që kur u krijua shteti dhe shoqëria. Sepse vet natyra njerëzore ka sado pak atë egon e brendshme që e karakterizon si njeri, e tashti kemi nga ata që nuk e shfaqin, por ndodh edhe e kundërta. Pra nuk jemi `familje njerëzore perfekte`, dhe këtë duhet kuptuar. Por nuk duhet të mbështesim edhe atë regjim `fanatik patriarkal` që ende femra konsiderohet si pronë e burrit, gjë që fatkeqësisht haset ende diku nëpër malësitë tona. Ndoshta në konsideratë të pakët, ama që është i pranishëm si fenomen i palogjikshëm…ËSHTË!

Andaj dhe mendoj se nëse është i theksuar në familje kjo dukuri, kjo do të vazhdojë të konsumohet edhe më gjerë, pra automatikisht do të distancohet femra edhe në raportet tjera me njerëzit, qoftë ai institucion apo një shoqëri më e gjerë.

Por nëse flasim nga prizmi më i gjerë roli i femrës ka ndryshuar, pra është në një pozitë të barabartë me mashkullin, përjashtim të drejtës natyrore.

Ke për të shtuar diç të veçantë?

* Dhe së fundmi një mesazh dua të përcjell tek të gjithë, jo vetëm tek rinia, “Udhëtoni për të kapur dije e për të realizuar ëndrrën tuaj, nga Jugu në Veri, e nga Lindja në Perëndim, kaloni brigje e shtigje, dete e oqeane, shtete e qytete, kodra e male, gjuhë mbi gjuhë e kulturë mbi kulturë, por mos harroni ti ktheni ato valixhe prapë në atdhe, sepse ne mund të flasim shumë gjuhë, por kur rënkojmë, RËNKOJM VETËM SHQIP”.

Ju faleminderit për kohën që ndatë për intervistë, ishte kënaqësi për mua.

(Në shoqërim me biologun, Shensi Aliu dhe fotografin Afrim Nevzadi bëmë edhe një piknik me këtë krijuese të re në ujëvarën më të madhe në Evropë, Rainfal të Zvicrës për të shijuar këtë bukuri dhe pasuri të rrallë natyrore)