Legjenda thotë se njëherë e një kohë na kishte qenë një vajzë e fisit dhe e krahinës së Kelmendit, që emrin e kishte pasur Norë. Duke qenë vajza më e veçantë e tërë krahinës të gjithë e kishin quajtur „Nora e Kelmendit!“.
Për virtytet, bukurin, ndershmërinë, besnikërinë dhe trimërinë e Norës kishte dëgjuar asokohe edhe Vuço Pasha me orgjinë nga Bosnja, i cili diku në fillim të shekullit të 17-të e kishte sunduar Shkodrën. Ky Pashë kishte vendosur që me të mirë apo me të keq ta merrte Norën për grua. Meqë krahina e Kelmendit i kishte çuar fjalë Vuço Pashës se kjo punë s`bëhet, Pashai e kishte kërcënuar tërë krahinën se do ta digjte e do ta bënte shkrumb e hi!
Sipas njërit variant të legjendës, Nora duke u shtirë sikur ishte pajtuar që ta merrte Pashain për burrë, ishte futur në çadrën e tij fushimit gjatë një ekspedite ndëshkuese që ai e kishte organizuar kundër krahinës së Kelmendit, dhe e kishte mbytur atë duke ia futur në fyt shpatëzën e vogël, të cilën ajo e kishte mbajtur të fshehur në brez. Pasiqë e kishte mbytur Pashain ajo kishte arritur të ikte e të shpëtonte e gjallë.
Sipas variantit tjetër të legjendës, Nora duke u shtirë sikur kishte vendosur që t`i bëhej grua Pashait, ishte futur në kalanë e Rozafës në Shkodër ku Pashai ishte vendosur me shtabin e tij. Por, derisa Pashai i ishte afruar Norës në dhomën e nusërisë, ajo ia kishte ngulur atij shpatëzën e vogël në zemër duke e mbytur atë në vend. Derisa rojat e Pashait, Norën e kishin ndjekur për ta kapur të gjallë, ajo kishte ikur duke u ngjitur deri lart në muranat e kalasë, dhe për të mos u dorëzuar e gjallë kishte kërcyer nga muranat e kalasë duke rënë e vdekur në tokë.
Interpretimi
- Legjenda e vë në spikamë ndershmërinë dhe trimërinë e vajzës shqiptare siç ka qenë Nora e Kelmendit.
- Heroina e legjendës, Nora, i hakmerret Pashait edhe në emër të vet dhe në emër të krahinës së Kelmendit, prandaj ajo bëhet edhe sinonim i krahinës.
- Legjenda u lë shqiptarëve të kuptojnë se nderin e vendit nuk e mbrojnë vetëm djemtë e burrat por edhe vajzat e gratë.
- Kështu, legjenda ndër të tjera ka edhe rol emancipues për shqiptarët.