Lexuar nga Flora Berisha
Përpiluar nga Dashurije dhe Xhevat Hasani
Legjenda thotë se Gjergj Elez Alia kishte qenë një trim i rrallë. Nga lufta në luftë e kishte kaluar jetën. Trupin e kishte pasur tërë plagë të cilat për nëntë vjet me radhë i kishin kulluar gjak. Për nëntë vjet me radhë kishte mbetur i shtrirë në shtrat. Për nëntë vjet me radhë e kishte kujdesur e motra duke ia mëkuar plagët. I shtrirë në shtrat Gjergji ishte djegur nga dashuria për kalin e tij gjok, të cilin për nëntë vjet qoftë edhe njëherë të vetme se kishte shaluar e ladruar. I shtrirë shtrat ishte djegur edhe nga dashuria për armët të cilat për nëntë vjet me radhë i kishin mbetur varur në mur.
Legjenda thotë, se edhe kali i tij gjok ishte mërzitur shumë. Duke hingëlli shpesh e më shpesh ai e kishte kërkuar të zotin, Gjergjin, që ta ladronte së pakut njëherë. Edhe armët e Gjergjit ishin ndryshkur e mërzitur. Varur në mur prej nëntë vjetësh herë pas here kishin lëvizur. Edhe ato e kishin kërkuar të zotin e tyre, Gjergjin, që ai së pakut një herë t`i vringëllinte ato mbi koka armiqsh.
Pikërisht derisa Gjergji ishte dergjur në shtrat, diku rreth bregdetit të arbrit ishte shfaqur një krijesë e fuqishme dhe e egër me pamje prej njeriu, njëfarë Bajlozi i Zi, që s`kishë pasur burrë e trim t`i dilte n`mejdan! Me fuqinë dhe egërsinë e tij, ai e kishte shtruar një krahinë të tërë. Nga popullata vendëse për çdo ditë e kishte kërkuar nga një dash të pjekur. Për çdo natë e kishte kërkuar nga një vajzë të re për t`u kënaqur më të.
Për kërkesat e tilla të Bajlozit të Zi kishte dëgjuar edhe Gjergj Elez Alia në shtratin e tij të plagëve. Për shumë ditë e për shumë net kishte menduar e ishte matur. E kishte marrë malli aq shumë për gjokun dhe për armët. Gjoku kishte hingëlli e armët kishin lëvizur. O sot o kurrë me i hipur gjokut e me i vringëlluar armët, i kishte thënë vetës Gjergji i plagosur! Për një moment kishte brof në këmbë. I kishte thënë të motrës sillma gjokun dhe armët. Pasiqë e kishte bërë provën e parë duke e ladruar gjokun e duke i vringëlli armët, Bajlozit të Zi i kishte quar fjalë: “Në filan ditë të pres n`mejdan!”.
Në ditën e dyluftimit në fushën e mejdanit në njërën anë kishte qenë Bajlozi sa një Lubi hipur mbi një kalë të zi, e në anën tjetër kishte qenë Gjergj Elez Alia me trupin tërë plagë hipur mbi gjokun e tij. Ende pa filluar dyluftimi, të dy n`parzmore e n`helmeta dhe të pajisur me shtiza me majë të mprehta, për një çast e kishin matur njëri-tjetrin me sy. Nga te dy anët si në një teatër drejt tyre i kishin mbajtur sytë burra, gra, pleq e të rinj. E tërë krahina kishte qenë aty për ta parë dyluftimin e Gjergjit me Bajlozin e Zi. Të gjithë kishin dashur që dyluftimin ta fitonte Gjergji, që t`i shpëtonte ata nga Bajlozi i Zi. Të gjithë kishin qëndruar si të ngrirë nga frika se mos Bajloz i Zi do ta vriste Gjergjin me tërë ato plagë që kishte pasur ai në trup.
Më pas Gjergj Elez Alia dhe Bajlozi i Zi me shtiza të mprehta hipur mbi kuaj ishin turrur drejt njëri-tjetrit. Gjoku i Gjergjit më shumë kishte fluturuar seç kishte vrapuar. Sa herë që ishin kryqëzuar shtizat, gjoku i Gjergjit ishte lëshuar ca në gjunjë dhe Bajlozit i kishte shkuar shtiza huq! Kështu pas disa ndeshjesh as njëri e as tjetri, as s`kishte fituar, e as s`kishte humbur.
Pjesa tjetër e dyluftimit ishte bërë me topuz, me një armë të vjetër tërësisht të hekurt, me një dorëz të gjatë dhe me një sferë sa një kokë njeriu rreth e rrotull gjemba të mprehtë në skajin tjetër të saj. Te dy hipur në kuaj, Gjergji dhe Bajlozi i Zi, ishin turrur sërish drejt njëri-tjetrit, kësaj radhe me topuz në dorë. Sa herë që midis tyre ishin ndeshur e kishin kërcitur topuzët, gjoku i Gjergjit ishte lëshuar ca gjunjë dhe Bajlozit i kishte shkuar topuzi huq! Kështu derisa Gjergji me topuzin e tij e kishte goditur Bajlozin mu n`lule të ballit. Kur Bajlozi kishte rënë i vdekur nga kali ishte dridhur edhe deti. Më pas për javë të tëra trupin e Bajlozit e kishin ngrënë korbat. Për javë të tëra nga të kalburat e tij kishte kundërmuar e tërë krahina.
Gjergjit fitimtar pas betejës gjaku i plagëve i kishte rrjedhur edhe përmbi parzmore. Rrjedhat e gjakut i kishin rrëshqitur edhe mbi supet e gjokut. Si kalorës fitimtar ai e kishte përshëndetur popullin e tij me dorë, të cilën mezi se e kishte lëvizur nga plagët. Të pranishmit nga gëzimi kishin dashur që Gjergjin ta ngritin deri në kupë të qiellit. Hipur mbi gjokun e tij Gjergji ishte nisur drejt kullës. E motra e kishte ndihmuar që ai me sa më pak dhembje t`i zbriste gjokut. I lodhur dhe i këputur sërish ishte shtrirë në shtratin e tij, kësaj radhe në shtratin e vdekjes prej të cilit s`ishte ngritur më.
E tërë krahina e kishte çarë me lot Gjergjin e vdekur. Legjenda thotë se nga pikëllimi për vdekjen e Gjergjit edhe gjokut të tij i kishin rrjedhur lotët, edhe shpata dhe shtiza e tij kishin çarë duke pikuar gjak. Kështu i kishte dhënë fund jetës së tij Gjergj Elez Alia, heroi i legjendës.
Interpretimi
- Legjenda e vë në spikamë heroizmin e luftëtarit shqiptarë i cili edhe pse me shumë plagë në trup, megjithatë, ngritët për ta luftuar
- Legjenda më tej e vë në spikamë rolin e fuqishëm të individit i cili duke qenë i përkrahur nga populli e lëvizë “rrotën e historisë!”.
- Por, legjenda e vë në spikamë edhe qëndrimin e komunitetit pasiv e të paorganizuar i cili ndonëse e adhuron heroin e tij, megjithatë kryesisht është soditës.