Largim dhe kthim

U zgjua. Ishte mëngjes. Menjëherë i erdhën ca vargje nëpër mend. Disi e dinte se përse. I vërtiti ato. Kishin të bënin me largimin nga vendi, por vetëm për ca ditë. Pas pak ra alarmi që e kishte kurdisur në telefon. U ngrit nga shtrati. I duhej të bëhej gati. Do të nisej. Para dhjetë ditësh, si pa pritur e pa kujtuar, ishte drejtuar te një agjenci turistike dhe kishte marrë në duar një biletë aeroplani. Një biletë kthyese. Ishte hera e parë që udhëtonte me këtë mjet transporti. Kishte marrë dhe një dokument sigurimi. Dhe kjo ishte e tëra që i duhej, pas liberalizimit të vizave, edhe për qytetarët e vendit të tij. Dhe i duhej të priste. Dhe ja, që dita erdhi. Më pas do t’i duhej të ishte dy orë para nisjes në aeroportin “Adem Jashari”,  drejt të cilit do ta shpenin me veturë familjarët e tij. Erdhën në aeroport në këtë stacion bashkimesh e ndarjesh. Kreu formalitetet, u ngjit shkallëve për të vazhduar me kryerjen e tyre dhe pastaj u drejtua kah porta që do të dilte me gjithë udhëtarët e tjerë që udhëtonin me atë aeroplan, shumë prej tyre si edhe ai vetë “fluturonin” për herë të parë. U ul në karrigen me numër 17 nga ana e djathtë, jo nga dritarja e aeroplanit, por i fundit nga ajo, pasi para dy në dy vende ishin ulur një çift bashkëshortësh diku rreth të tridhjetave që po ktheheshin në mërgim pas qëndrimit dyjavësh në atdhe. Bisedoi me ta gjatë gjithë rrugës, e kur e pyetën se si po i dukej udhëtimi i parë me aeroplan, u tha se i zakonshëm, po i dukej se po udhëtonte me një autobus me krah, veçse ky autobus ishte më i gjatë e më i madh se autobusi që ecte vetëm tokës. Çifti i pagoi një kafe që do ta pinte me nge. Pikërisht pas dy orësh, në orën një aeroplani do të prekte tokën e aeroportit të këtij shteti. Pastaj edhe këtu, pasi do të zbriste, do hipte në autobusin e dytë që erdhi për të marrë pjesën tjetër të udhëtarëve dhe do hynin në aeroport për të kryer formalitetet. Pasi mori pasaportën, e ndalën tre policë për ta kontrolluar, e pyetën se mos kishte ardhur për punë, pasi i kontrolluan çantën e madhe dhe një çantë të vogël që e mbante në krah. Pasi u tregoi se po vizitonte vëllaun, e liruan dhe u përshëndetën. Sa doli në pjesën e pritjes, e dëgjoi zërin e vëllaut, pastaj e pa, u takuan e u përqafuan, ia mësyejnë kah një stacion treni për të mbërritur te një parking i madh në të cilin qëndronte vetura. Hipën në të. La çantat, u përshëndet me familjen e vëllaut. Pasi pushoi e u çlodh mirë e mirë, dolën paksa për një shëti nëpër qytezën e qetë e të bukur, ku banonte vëllau i tij tash sa e sa vjet, i ranë kah qendra e qytezës pastaj pranë shtratit kah ky lumë i bukur e i pastër, e duke u kthyer kah një rrugë ku ishin ca hapësira e një pishinë e zbuluar, dolën te një hapësirë mjaft e gjerë dhe e gjelbëruar ku panë një perëndim të mrekullueshëm të diellit të kësaj dite. Dhe ditë pas dite kalon bukur e këndshëm, secili anëtarët e familjes së vëllaut nga një ditë i bënin ndonjë befasi. Rrugë, udhëtime, ndeja, shëtitje, dy javë fantastike që fluturuan shpejt, derisa vije dita për fluturimin drejt atdheut. Dhe merr rrugën kah aeroplani që  lë tokën e fillon të ngjitet në këtë muzg të dieleje,  pas pak nga dritarja e tij sheh krahun që e ka mbuluar nata dhe poshtë duken dritat e vendbanimeve.