Sot, kur Agimi prehet atje në Koshare, ne po varrosim Nënën Fetihe, një nënë që rriti një hero, një nënë Kosovës, që është nëna e gjithë neve, theksoi njëri nga komandantët e Koshares, Hysen Berisha, gjatë ceremonisë së ndarjes
Teksti e fotot Rexhep Rifati
Sot thuaja se të gjitha rrugët e Kosovës çonin në drejtim të Zhegër, katundit që i dha figura të mëdha historisë e shqiptarisë. Ishte një ngjarje dhe një ndarje sa e dhembshme, aq edhe krenare. Ndërkaq vetë Zhegra kishte një pamje krejt të pazakontë, si asnjëherë më parë rrugët ishin të stërmbushura me mijëra njerëz, por edhe e veshur me dhjetëra flamuj kombëtar, nga vet fakti se sot përjetësisht përcillte një nën që kishte lind një hero kombëtar.
Varrosej nëna që i dha kombit heroin që shkuli gurin e kufirit ndër-shqiptar. Pikërisht, Nëna Fetihe, ishte ajo që sot grumbulloi mijëra shqiptarë, në mesin e tyre edhe qindra ish-luftëtarë që bashkë me të birin e saj, Agimin i treguan botës se si luftohet me mençuri e trimëri për pavarësinë e mëvetësinë e një vendi të shtypur e përbuzur.
Zhegra, pra sot ishte një pikë referimi për mbarë Kosovën, kur para trupit të një nëne që kaloi në përjetësi, u përulën i madh e i vogël, padallim titujsh e gradash, rajonesh e regjionesh.
Ndonëse varrimi ishte jashtë protokolleve, për nga prania e dashuria njerëzore ua kalonte përcjelljeve të organizuara mortore, veçmas atyre që bëhen me të shtëna e pompozitet.
Më këtë rast shkrepa qindra foto që flasin më shumë se sa fjalët, të cilat edhe nuk mund ta përshkruajnë atmosferën e kësaj ndarje, nga një nënë , që atë më së miri me pak fjalë na e përshkoi njëri ndër komandantë e Betejës së Koshares, eprori, Hysen Berisha:
– Kur na thirri zëri i atdheut, Agim tha se ia vlen të vdiset vetëm për emrin Kosovë dhe se kur pushkët i bashkojmë edhe krismën e kanë ma të mirë. Atëbotë, shtrova pyetje a thua kush e ka rrit këtë djalë me gjithë këto virtyte?!
Këtë e kuptova vetëm pas luftës kur takuam babën Hysni dhe nënën Fehtije. Mësova se ishte kodi gjenetik, se ishte vendlindja e tij dhe historia e Karadakut ato që e kishin brumosur Agimin. Dhe sot, kur Agimi prehet atje në Koshare, ne po varrosim nënën që rriti një hero, një nënë që është nëna e të gjithë ne shokëve të Agimit, por edhe një nën e gjithë Kosovës.
Në mesin e të pranishmëve, pos komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha dhe luftëtarëve të shumtë të kësaj brigade , merrte pjesë edhe ishe- komandanti i Regjionit të Dukagjinit , Ramush Haradinaj si dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të cilët po ashtu mbajtën nga një fjalë rasti, si edhe i biri Nënë Fetihes, doktor , Jashar Ramadani. I cili edhe falënderoj në emër të familjes Ramadani. Nga sot trupi i Nenës Fetihe, do të pushoj pranë burrit të saj Hysni Ramadanit, prindërve që lindën e rritën jo vetëm një hero të përmasave kombëtare siç është Agim Ramadani, por edhe një familje të madhe me reputacion në rajonin e Gjilanit e më gjer. Ndërsa që siç pame gjatë kësaj ndarje mortore, vetë hyrës së varrezave në Zhegër të Gjilanit u prin heroi i kombit Idriz Seferi.









































