Kushdo që shkakton dëme, duhet të mbajë përgjegjësi për to!

Hilmi Gashi, Bernë, më 26.11.2020

Puna e fëmijëve, dhuna kundër aktivistëve sindikalistë dhe të drejtave të njeriut, lumenjtë e helmuar dhe pesticidet vdekjeprurëse: korporatat me seli në Zvicër përmenden shpesh në lidhje me shkeljen e standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut, konventave për mbrojtën e fëmijëve nga shfrytëzimi, ligjeve për mbrojtjen e ambientit dhe natyrës. Sot është thuaja se e pamundur që të merren në përgjegjësi. Këtë donë ta ndryshojë iniciativa për përgjegjësinë e kompanive, për të cilën do të votohet me 29 nëntor 2020.

Për ndërmarrësi të përgjegjshme
Iniciativa, e cila mbështetet nga një numër i madh i organizatave humanitare, zhvillimore, ekologjike dhe të mbrojtjes së drejtave të njeriut, kërkon diçka që duhet të jetë e vetëkuptueshme: kur korporatat me seli në Zvicër si “Glencore”, akuzohen se ndotin ujin e pijshëm, dëbojnë njerëzit nga pronat e tyre dhe nuk respektojnë të drejtat themelore të punëmarrësve, duhet të përgjigjen për demete e shkaktuara. Të prekurit duhet të kenë të drejtë, para gjyqit të kërkojnë nga përgjegjësit e kompanive kompensim të dëmit. Iniciativa parasheh mundësinë e nxjerrjes para gjyqit në Zvicër. Këtë edhe për shkak të pamundësisë për të paditur këto kompani në vendin e tyre, të cilat shpesh shkeljen e konventave ndërkombëtare e bëjnë edhe me “pëlqimin” e organeve të korruptuara shtetërore të vendit ku ato kompani prodhojnë. Shpesh këto ankesa apo akuza përcillen me kundër akuza, për të frikësuar njerëzit e guximshëm, të cilët nuk duan të pajtohen me shkeljet e të drejtave të tyre, me ndotjen e ambientit dhe dëmtimit të shëndetit të tyre.
Iniciativën ka mbështetjen edhe të ndërmarrësve dhe politikanëve borgjez, të cilët kanë një interes të madh, që ndërmarrjet me sëlli në Zvicër të respektojnë ligjet, të drejtat e njeriut, ruajtën e ambientit dhe të janë shembull i afarizmit korrekt.

S’ka përparësi konkurrence përmes papërgjegjësisë
Shumë kompani punojnë me korrektësi. Mirëpo disa kompani të mëdha të paturpshme injorojnë të drejtat e njeriut dhe rregullat mjedisore, për të rritur profitin e tyre. Ata krijojnë përparësi konkurruese përmes papërgjegjshmërisë. Këtë donë ta ndryshojë iniciativa.

Trendi ndërkombëtar
Vende të ndryshme kanë krijuar rregulla ligjore, për të detyruar korporatat që tu përmbahen atyre. Edhe Komisionari i BE-së për Drejtësinë ka njoftuar gjithashtu rregullore detyruese për korporatat, pasi rregullat e deritashme janë treguar të pamjaftueshme.

Hap i vogël, por i rëndësishëm
Iniciativa është një hap i vogël, por i rëndësishëm për kushte korrekte punë në gjithë botën. Kushdo që bën biznes në të gjithë botën duhet të sillet me korrektësi – ndaj punonjësve, popullatës dhe mjedisit!