Këtu nuk jeni në Zvicër! Ndryshe shkojnë punët këtu ! Njerëz sikur ti nuk i duhen Kosovës,- më tha! -Kush jeni ju që e dini çka më duhet e çka nuk më duhet ?! Çka i duhet Kosovës e çka nuk i duhet?! Edhe unë jam një numër në këtë vend njëjtë sikurse edhe ju,- ia ktheva dhe dola jashtë, duke e lënë në mjerimin e tij.
Shkruan : Mirishahe Limani Hiler, Gjenevë
Në vitin 2012 kur isha për pushime në Kosovë, shpreha dëshirën që dokumentet personale (pasaportën dhe letërnjoftimin) të lëshuar nga UNMIK-u, t’i zëvendësoj me ato të Republikës së Kosovës.
Vështirësia e parë me të cilën u ndesha gjatë kësaj procedure ishte qasja në administratën komunale! Ishte shumë më e vështirë̈ se në shtetin ku jetoj tani, e në të cilin para njëzet vjetëve, kur gjuhën e vendit vetëm e belbëzoja, kuptoheshim më lehtë e më qartë me personelin administrativ.
Rekomandimi i parë i personit zyrtar në Kosovë atëbotë ishte që unë të bëja kërkesën për nxjerrjen e dokumentacionit me procedurë të shpejtë, ngase sipas tij do të mbesja pa dokumente, pasi që periudha gati njëmujore, koha sa unë mund të qëndroja në Kosovë nuk ishte e mjaftueshme ! Kjo këshillë̈ e personit zyrtar bëri që shërbimit t’i ngritej çmimi ! Por nuk u ankova, e bëra.
Edhe përkundër kësaj, procedura zvarritej së tepërmi ! Dukej qartazi se personeli kishte mungesë të madhe kompetence dhe profesionalizmi për punët dhe shërbimet që kryente ! E kur kësaj i shton edhe mungesën e shprehisë dhe respektit ndaj punës, një muaj ishte tepër i shkurtër për të kryer punë !
Një ditë, pasi trokita në një derë, kur hyra, personi zyrtar më tha; – hajde bacit, ulu !
U futa fare rastësisht në atë zyrë për marrjen e disa informatave, meqë në dyer nuk kishte asnjë mbishkrim rreth punëve dhe shërbimeve që kryheshin në to !
Kur hyra brenda, derisa po e mbyllja derën, madje as duke mos më kërkuar arsyen e ndodhjes time aty, një burrë afër të pesëdhjetave i ulur përballë kompjuterit të tij, me një qëndrim që të linte përshtypjen se vetëm sa ishte ngritur nga gjumi dhe duke mos më vështruar fare, më tha; – hajde bacit, ulu!
Jo “bac” ju faleminderit, nuk jam këtu që të ulem,- i thashë. Jam këtu që ta di shkakun e bredhjeve të mia të panevojshme qe sa ditë nga zyra në zyrë, duke mos mundur të mbaroj asnjë punë rreth nxjerrjes së pasaportës?!
Do t’ju ndihmojmë, do t’ju ndihmojmë,- ma ktheu zotëria. Nuk kam nevojë t’më ndihmoni, por dua një sqarim rreth arsyes së injorimit të dosjes time, e cila është e kompletuar me të gjithë dokumentet e nevojshëm.
Zotëria ngriti shikimin drejt meje duke zgurdulluar sytë e skuqur dhe duke manifestuar njëfarë agresiviteti !
Këtu nuk jeni në Zvicër! Ndryshe shkojnë punët këtu !
Po ju zotëri vetë më këshilluat që të bëj kërkesën për procedurë të shpejtuar, për të cilën edhe bëra pagesën ! Dosja po ashtu është e kompletuar, atëherë pse kjo zvarritje ?!
Dukej që zotëria po jepte shenja se po e humbte durimin ! Ai me një ton të ashpër, derisa bëhej se po shikonte në ekranin e kompjuterit, më pyeti: – Si e pate mbiemrin? A ke pasaportë zvicërane?
Pasi ia komunikova të dhënat e mia personale, i thashë se kisha edhe pasaportë zvicerane, por se dua që ta kem edhe pasaportën e shtetit tim: Kosovës. Në atë moment zotëria ngriti kokën dhe më tha: – ty çiko nuk të duhet pasaporta e Kosovës!
Pse?! – e pyeta e shtangur nga qëndrimi i tij !
Njerëz sikur ti nuk i duhen Kosovës,- më tha!
Kush jeni ju që e dini çka më duhet e çka nuk më duhet ?! Çka i duhet Kosovës e çka nuk i duhet?! Edhe unë jam një numër në këtë vend njëjtë sikurse edhe ju,- ia ktheva dhe dola jashtë, duke e lënë në mjerimin e tij.