KUR KLITHNIN FËMIJËT SHQIPTARË – Mbi librin “Pranverë e helmuar» të Hazir Mehmetit

Violeta Allmuça – shkrimtare

Në pranverën e vitit 1990 do të ndodhte në Kosovë krimi serb i helmimit në masë të fëmijëve shqiptarë. Fatkeqësisht u helmuan edhe fëmijë 4-vjeçarë. Ato nuk ishin fajtorë për asgjë tjetër përpos që ishin shqiptarë. Krimi serb vrau kështu familjen dhe jetën e një populli të pafajshëm. Sot që flasim pas 30 vjetësh për atë ditë të zezë kemi të drejtë të themi se ky akt barbar i regjimit serb ishte një krim kundër njerëzimit ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Kjo tragjedi e rëndë kundër jetës së fëmijëve shqiptarë nuk kishte ndodhur kurrë në Evropën e qytetëruar. Doktrina serbe për zhdukjen e shqiptarëve e cila ka pasur si qëllim të dëbonte edhe shpirtin e fëmijëve nga trojet e tyre nuk mundi ta shuajë gjakun shqiptar. Përdorimi i gazrave toksikë për të shuar jetën e nxënësve nëpër shkollat shqipe ishte një gjenocid i hapur dhe antinjerëzor me synimin për të frikësuar shqiptarët.

Në përkujtim të këtij akti barbar tashmë kemi përballë Hazir Mehmetin një dëshmitar okular i cili ka parë dhe ka jetuar, madje ka mbajtur një ditar për pranverën e helmuar shqiptare. Nuk do të çuditeni ju të nderuar miq se ditari i Hazir Mehmetit i “varrosur” në vitin 1997 nga Prof. Bedri Shyti u “zhvarros” pas luftës në Kosovë në vitin 1999 kur Kosova fitoi lirinë. Brenda atij “varri” nën dheun e Vushtrrisë ishin faktet dokumentare, ishin shenjat dhe gjurmët që synuan të mbjellin vdekjen e nxënësve të shkollave shqipe. Ndoshta asnjë ushtri në botë nuk mund të zhvillonte beteja helmuese kundër fëmijëve, përveç forcave serbe në shekullin e XX-të. Edhe pse qeveria e Beogradit e bllokoi hyrjen e mjekëve dhe gazetarëve të huaj në Kosovë ky libër ka argumente të fuqishme nga shtypi botëror dhe mjekë të mirënjohur, të cilët e plotësuan me fakte të dokumentuara helmimin e fëmijëve shqiptarë duke mos e fshehur këtë krim të rëndë kundër një populli proevropian.

Mbrojtja e fëmijëve nuk ishte vetëm një detyrë humanitare por një mision i çdo mjeku, mësuesi, intelektuali shqiptar apo njeriu të thjeshtë. Ka ndodhur një ngjarje e rëndë, një tragjedi, si tragjeditë e tjera të regjimit serb të ushqyer nga urrejtja kundër një populli liridashës. Institucionet e huaja që merren me Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në botë duheshin njohur me informacione konkrete, me numër rendorë, me emrat e vërtetë të fëmijëve të helmuar në Kosovë. Kjo do t`i shkonte për shtat artit letrar, nëse skenaristët dhe regjisorët shqiptarë do të përgatitnin një dokumentar origjinal për të konkurruar edhe në Europë e më gjerë, duke i treguar mbarë botës çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ndërsa u fol për një “aktrim” të fëmijëve të helmuar shqiptarë nga politika serbe, koha vërtetoi se ishin vetë serbët aktorët që hodhën nëpër shkolla pluhurin helmues sarin nga helmet e luftës. Udhëve të Kosovës dëgjoheshin klithmat e fëmijëve shqiptarë që nuk i pranonin nëpër spitale, prindër, mësues dhe njerëz të guximshëm që mbanin në krahë nxënësit e helmuar për të shpëtuar jetën e tyre.

Ne kemi tashmë në këtë libër dëshmi të tmerrshme të dhunës serbe, të përshkruara nga vetë autori i këtij libri Hazir Mehmeti, i cili ka përjetuar një realitet të dhimbshëm të luftës për jetën që iu desh të bënin posaçërisht shqiptarët për të mbrojtur fëmijët e pafajshëm. Ne kemi këtu një njeri që ka parë me sytë e tij dhe ka provuar dhunën forcave serbe, të cilët e kanë keqtrajtuar por nuk kanë mundur ta vrasin shpirtin e tij. Kemi emra të ruajtura dhe t nxjerra nga ditari i “gjallë” ku u shkrua e zeza mbi të bardhë për historinë më të zezë të regjimit serb mbi fëmijët e Kosovës martire. Kemi sot mbi 8000 nxënës dhe fëmijë shqiptarë me emër dhe mbiemër që shpallin para gjithë fëmijëve të botës të vërtetën e helmimit me qëllim dënimin e një brezi, kur paraardhësit e tyre kishin luftuar me shekuj për liri dhe kishin derdhur shumë gjak. Jam tronditur shumë nga ky tmerr i madh kundër fëmijëve të Kosovës. Kam pasur fatin të lexoj edhe libra të tjerë të Z. Hazir Mehmeti, por ky libër është kryevepra e një krijuesi që ka qenë pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë në këtë histori të dhunshme të barbarëve serbë kundër gjakut të ri fëmijëror, kundër ardhmërisë, kundër jetës. Kemi sot në listat e të helmuarëve, shumë vajza me emrin Liridona, Pranvera, Lirije dhe djem Liridon, Ilir, Kushtrim që u helmuan nga forcat serbe. Fakte të tilla do të shërbenin për drejtësinë njerëzore si fakte kundër atyre barbarëve që cënuan pafajsinë e nxënësve dhe foshnjave shqiptare. Fakte të tilla do të shërbenin për brezat e rinj që të njiheshin me historinë e qëndresës së popullit shqiptar të Kosovës. Libri “Pranverë e helmuar” është një vepër me vlera humane, me një fuqi të madhe atdhedashurie dhe heroizmi në emër të lirisë dhe jetës. Pas 30 vjetësh kjo ngjarje e rëndë vjen në shprehje të dokumentimit më të thellë të dramës së madhe të helmimit të nxënësve dhe shqiptarëve të Kosovës në një vepër të plotë të shkruar nga Hazir Mehmeti, një personalitet i njohur i letrave shqipe.

I nderuar Z. Hazir Mehmeti

Ju keni kryer një akt shembullor në përgatitjen e librit: “Pranverë e helmuar”. Ju keni mbajtur në krahë nxënësit shqiptarë për t`u shpëtuar atyre jetën. Ju i keni shërbyer Kosovës dhe popullit shqiptar me këtë vepër dokumentare që brezat e rinj të njohin historinë e kombit të tyre. Ju falënderoj shumë.