Dita e djeshme e 175 vjetorit të lindjes së figurës qendrore të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, “Apostullit të Shqiptarizmës”, pos në Tiranë, ku pati sa organizime simbolike, thuaja se kjo ngjarje kaloi në heshtje.- Por kësaj radhe kjo nuk është tema jonë që ndërlidhet me figurën e Poetit tonë Kombëtar, por vet “prania” e Naimit e kthyer në vetëm dy shtatore në mbarë hapësirën shqiptare edhe atë në Korçë e Tetovë e jo edhe në Kosovë, ndërsa që Tirana, në të kaluarën i ngriti shtatore edhe Leninit e Stalinit, por jo edhe Naimit!
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Gjatë shtegtimeve nëpër trojet tona kam has në shtatore të shumta të personaliteteve vendore e të huaja ndërsa kur është në pyetje Naimi apo përgjithësisht vëllezërit Frashëri, qoftë në vendlindjen e tyre në katundin Frashër apo në vet kryeqytetin e Shqipërisë, ku shtatore gjigante iu ngiten edhe Leninit e Stalinit, por jo edhe Naimit. Sepse ndër vite e dekada autoritetet e këtushme sikur u mjaftuan që figurat vëllezërve Frashëri, që bënë jo vetëm historinë, por edhe që në shumë fusha i dhanë krahë Shqipërisë të ngelin vetëm në buste, mozaikë e gravura!
Ndaj edhe sot kur e tërë Kosova është mbushë me shtatore, padashur të vlerësojë meritat e secilit që është gdhendur në to, shtrohet pyetja pse të mos kemi edhe një shtatore të Naimit, apo edhe më tej Poeti Kombëtar të ngelë vetëm brenda një oborri shkollor diku në periferi e pse jo në njërin nga sheshet e kryeqendrës sonë apo të qyteteve më të mëdha të Kosovës?!
Vetëm dy -tri fjalë për jetën dhe veprën e Naim Frashërit: Lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846, mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865, familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”, ndërsa me tu kthyer në vendlindje, bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.
Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare ndaj edhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.
Ja edhe disa rreshta se si e pash vendlindjen e Naimit gjegjësisht shtëpinë e lindjes në Frashër, që lindi tre kolosët e shqiptarisë: Abdylit, Naimit e Samiut, pikërisht më 11 Qershor 2016? Për të arrit në Frashër pengesa e pashmangshme ishte rruga, në një gjendje më se të mjerueshme edhe pse afër Përmetit në të hyrë shkruan: “Frashër – Meka e Shqipërisë”, ndërsa që taksisti gjatë rrugës na tha se : “këtu vetëm arushat shtohen e njerëzit pakësohen”!
Zhgënjimi tjetër, ishte se Frashëri, dikur qendër e Komunës Dangëlli, tash ishte boshatis plotësisht, kishte vetëm edhe 4-5 shtëpi të banuara. Nga e gjithë ajo që pash në shtëpinë e vëllezërve Frashëri të kthyer muze mu ngulit kjo strofë e një kënge popullore e regjistruar në një tabelë brenda njërës dhomë:
“Për mua është Frashëri
Katund`i Perëndisë ,
ka lindur Naim Beu
Zemër e Shqipërisë”.
E popullit
Ndaj edhe krejt në fund edhe njëherë pyetjen e a do të kemi një monument në Kosovë çfarë e meriton kjo “Zemër e Shqiptarisë”?!