Kundisa apo Contessa Entellina, ngulimi më i vjetër arbëresh, ku migrimi po e zbeh shqipen

Ditën e dytë të vizitës sonë në mesin e katundeve arbëreshe në Sicili, më 15 Nëntor 2021, me ekipin e “prointegrës ” vizituam ngulimin më të vjetër arbëresh në këtë anë, Kundisën (  apo it. Contessa Entellina), që sivjet shënoi 571 vjetorin e themelimit nga familjet arbërore. Këtu edhe më tej ruhen traditat dhe ritet ndërsa që shqipja ruhet edhe më tej vetëm në mesin e të moshuarve e jo edhe në mesin e rinjve shkaku i migrimit të shtuar.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Që në hyrje të Kundisës na priste një tabelë dygjuhëshe ku shkruhej në shqip : “Fusha e Kavalerit”, ndërsa që në shesh përballë bashkisë një tabelë tjetër trigjuheshe, ku në shqip figuronte se: “Horën e Kuntisës fillimisht në vitin 1520. Pas përpjekjes së parë që bënë disa arbëresh nga Sicilia, u vendos të thërrisnin njerëz nga Ballkani për të banuar zonat Kalatamauros. Sipas dokumenteve Horen e re të Kuntisës e themeluan grupe arbëreshësh që erdhën nga ishulli Andros në Greqi. Qenë këta arbëreshet që në dhjetorin e vitit 1520 firmosën Kapitujt të themelimit , dokumenti i parë që vërteton lindjen e qendrës së re të banuar nga arbëreshët në Sicili…

Ndërsa sipas disa vlerësimeve vlerësohet se Kundisa është vendbanimi më i vjetër shqiptar në Itali. Lindi rreth vitit 1450, kur një grup mërgimtarësh shqiptarë, arbëreshët   me në krye Reresin, erdhën në Sicili ku ata kishin shërbyer për mbretin e Napolit në vitin 1448.

Derisa i mësojmë të dhënat e para për historikun e këtij ngulimi, të mësojmë se cili është aktualiteti i sotëm me gjuhën e lashtë të etërve, e cila praktikohet gjithnjë e më pak nga gjeneratat e reja, duke çuar në një humbje progresive nga brezi në brez. Megjithëkëtë ekziston një luftë etnokulturore tek popullata e moshuar për të ruajtur gjuhën, ritet fetare dhe zakonet dhe zakonet e sjella në Sicili nga paraardhësit e tyre, gjë që këtë më së miri e mësuam nga profesoresha në pension Tomasina Guarino, një njohëse mirë gjuhës shqipe, e cila katër vite rresht ka ndjek Seminarin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë dhe sot mban emrat e shumë profesorëve, gazetarëve dhe aktorëve që ka takuar në Kosovë. Ajo tregon gjithashtu se këtu ishte mësuese e gjuhës arbëreshe dhe fëmijët më parë i mësonte shqip, madje duke i vu në korrespondencë edhe me nxënës të Kosovës apo edhe duke i dërgua poezitë e këtyre fëmijëve të shkruara shqip edhe në revistat kosovare. Porse, për fat të keq gjendja ka ndryshuar dhe shqipja po zbehet në mesin e të rinjve, sepse gjuha arbëreshe u mësohet gjithnjë e më pak brezave të rinj edhe atë kryesisht për shkak të flukseve të migrimit i cili ka bërë që edhe këtu të bie numri i banorëve.

Përndryshe gjatë vizitës sonë, nëpunësit e bashkisë bën çmos për të na vënë në kontakt me figura dhe personalitete të Kondises, ndërsa që patëm edhe një pritje nga kryetari i Bashkisë, Leonardo Spera në sallën ku valonte edhe flamuri shqiptar dhe ku në ballë të murit qëndronte edhe portreti i Skënderbeut. Kryetari i Bashkisë na njoftoi në pika të shkurta me karakteristikat kryesore të zhvillimit ekonomiko- shoqëror të Kondises.

Mësojmë se këtu në 1978 u formua grupi folklorik “Brinjat”, i cili mban gjallë traditën shqiptare me këngë e valle dhe se falë kësaj përvoje, e cila  vijon edhe sot, njohim dhe mësojnë meloditë popullore arbëreshe- shqiptare. Ndërsa që një nga figurat më të shquara të Kondisës është Nikollë Keta (Nicolò Chetta, 1741-1803) ishte prift bizantin- grek, poet, shkrimtar, historian, etnograf dhe teolog, por edhe rektor i Seminarit Italo-Shqiptar të Palermos. Keta njihet edhe si autori i një fjalor italisht-shqip prej 240 faqesh, i cili më 1779 u pasurua me rreth 10.000 fjalë, deri në 640 faqe. Këtë të fundit e mësojmë nga libri “ Rrugëtim në ngulimet arbëreshe” me autorë Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka.

Gjatë një shëtitjeje nëpër këtë qytezë pamë se aty ndodhen kishte mjaft të vjetra dhe se Kundisa ka një arkitekturë tërheqëse të përshkuar me rrugica që kanë një rrjedhë në sheshin kryesor të tij.