“Kundërshpërblimi” për mësuesin Selami- 16 muaj burg me dhunë shtazarake të adbashëve serbë (23)

Në vetën e parë flet mësuesi korçar, 94 vjeçar: “Ka qenë 30 qershor 1950, rreth orës 9 të mëngjesit. Nxënësit e gjimnazit të Ferizajt kishin filluar pushimet verore. Në klubin kryesor të qytetit kishte plot njerëz, dikush pinte çaj, dikush kafe , apo ndonjë pije tjetër. Në ato momente hynë brenda në klub 3 oficerë të UDB-së, nga ta njëri me revole në dorë, dy të tjerët e shoqëronin. Më prangosën mua , mësuesin e gjimnazit në sytë e publikut. Në klub ra një hije e zezë, një heshtje , si në vdekje, fytyrat e klientëve u nxinë, disa u verdhën, u gërshetua keqardhja për mësuesin dhe urrejtja për UDB-në”.

Nga Rexhep Rifati

Trajtimi: Ne arsimtarët që shkuam në Kosovë, na u ndërpre lidhja me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Ndërsa, që populli i Kosovës mësuesit nga Shqipëria i trajtonte si pjesëtarë të barabartë në familjet e tyre, i kishin njerëz të zemrës, i donin i ndihmonin dhe respektonin. Organet e UDB-së i shikonin me sy të dyshimtë dhe ushtronin kontroll, bëhej propagandë demagogjike për vëllazërim, bashkim me popujt e Jugosllavisë, duke e lënë me një anë lidhjet e gjakut të shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë.

Më 1948 marrëdhëniet me Shqipërinë u prishën, lidhjet me shtetin shqiptar  apo me Ambasadën shqiptare në Beograd qenë të pamundura, kufijtë u mbyllën me Shqipërinë. Mësuesit u izoluan , nuk lejohej qarkullimi nga një vend në tjetrin pa leje të posaçme nga organet e brendshme. Më vonë filluan të pushojnë nga puna , të arrestojnë të dyshuarit dhe në fund kur hapi kufijtë i dëboi nga Jugosllavia dhe Kosova.

U burgosë Jani Gjini, Selami Kreka nga Korça, Kadri Blloshmi nga Pogradeci, Leci…nga Shkodra , Sali Helhyka nga Kavaja, u masakrua dhe pësoi depresion psikik Hasan Dylgjeri dhe Albert Karamni nga Elbasani, Halil Bejta nga Tirana e shumë të tjerë. Të gjithë ishin burgos për motive politike , asnjë për motive të dobëta.

Notë proteste për arrestimin e mësuesve nga Shqipëria

Qeveria shqiptare e asaj kohe i dërgoi nota proteste Qeverisë jugosllave për arrestimin e paligjshëm dhe trajtim të keq të shtetaseve shqiptarë në Jugosllavi. Nëpërmjet radios e shtypit shqiptar demaskoi dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të shtetaseve të vet , sensibilizoi opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për këto veprime të pandershme.

Prangosja: Ka qenë 30 qershor 1950, rreth orës 9 të mëngjesit. Nxënësit e gjimnazit të Ferizajt kishin filluar pushimet verore. Në klubin kryesor të qytetit kishte plot njerëz, dikush pinte çaj, dikush kafe , apo ndonjë pije tjetër. Në ato momente hynë brenda në klub 3 oficerë të UDB-së, nga ta njëri me revole në dorë, dy të tjerët e shoqëronin. Më prangosën mua , mësuesin e gjimnazit në sytë e publikut. Në klub ra një hije e zezë, një heshtje , si në vdekje, fytyrat e klientëve u nxinë, disa u verdhën, u gërshetua keqardhja për mësuesin dhe urrejtja për UDB-në.

Në hetuesi: Mbas tri dite qëndrimi në birucë, me gjatësi dy metra e gjysmë dhe gjerësi një metër e gjysmë, pa dritare, pas shumë pyetjesh dhe kërcënimesh filloi veprimin hetuesi. Ai ishte një djalë rreth 26 vjetësh, i pashëm, pak si i qeshur . Ishim vetëm për vetëm. Prapa derës qëndronte një polic me automatik në krah. Hetuesi përpara në tavolinë kishte një makinë shkrimi, në krah të djathtë mbante një letër, shkonte fletën e letrës dhe pyeste, përgjigjet i shënonte në procesverbal. “Kush ju ka dërgua në Kosovë? Ku ke shërbyer?” e një sërë pyetjesh të tjera. Në fund më më ve procesverbalin përpara për ta firmosur. Mbas nënshkrimit të procesit me të qeshur rekomandon : “Është në interesin tuaj që deponimet e dhëna, që në rast se pyeteni përsëri të mos i ndryshoni”. Nuk dihej se ku e kishte fjalën, ishte e habitshme, por një gjë ishte e qartë , se ai u sjellë me kulturë.

Më vonë mësova se hetuesi paska qenë me origjinë nga qyteti i Mostarit të Republikës së Bosnje- Hercegovinës i cili më vonë u arrestua.

Dhunë e shfrenuar ndaj mësuesit Selami nga udbashi serb, Rajko Vidaçiq

Dhuna.  Mbas dy muaj burg, një mbas dite vjen në qeli , rreth orës 16.00 shefi i UDB-së për rrethin e Ferizajt, Rajkoja….( fjala është për Rajko Vidaçiqin, shënimi plotësues i R. R) i shoqëruar me një polic. Më buzëqeshi me ironi e tha: “Ne të lirojmë nga burgu , por këtë e ke vet në dorë, po të tregosh të vërtetën”. UDB-ja përdorte disa forma studimi për të njohur vetit personale të të burgosurve: Nëse është i dhënë pas familjes dhe fëmijëve, nëse mund të blihet me para , në se ka frikë, nëse i pëlqen alkooli, udhëtimet, sportet e tjera. Kështu e filloi bisedën Rajkoja : “Ju keni grua e një vajzë të vogël, besoj se iu ka marr ta përqafoni e ta puthni!?”.

Mësuesi Selami udbashit serb: “Unë nuk pata frikë as nga nazistët e jo nga ju, qëllo o fashist! “

Rajkoja: A e njeh A. Karamanin dhe A. Bejtën , ata ju kanë denoncuar për veprimtarinë tuaj propagandistike antijugosllave.

-E keni gabim shef! Nuk di gjë. I njoh fare mirë, kemi ardhur vullnetar nga Shqipëria në Kosovë, s`kam ç`ju them tjetër. Më ballafaqo. Rajkoja u skuq në fytyrë e u egërsua , sytë iu çakërriten e u bë si bishë e egër, flokët iu ngritën përpjetë  si të iriqit dhe shau me fjalë rrugaçërie. “ Jebem të albansku majku , koj ushao u nashim zatvorima i nije priznao ? ( Ta bafsha nënën shqiptare , kush ka hyrë në burgjet tona dhe s`ka pranuar?!”. Nxjerr revolen nga brezi dhe qëllon me myllin e saj me forcë në rreze të veshit prapa kokës me sa fuqi që kishte dhe më shtriu për dhe. Ngrihem në këmbë i gjakosur , i zemëruar, i prekur në ndjenjën kombëtare dhe i përgjigjem me të njëjtin fjalor. Ta bëfsha nënën serbe . Unë nuk kam patur frikë as nga nazistët e jo nga ju, qëllo o fashist!

Ballafaqim i dhembshëm me mësuesin Albert Karamani nga Elbasani

Në orën tetë të mbrëmjes të asaj diteshoqërohem përsëri në zyrën e shefit Rajko. Në ballë të tavolinës qëndronte Rajkoja, përkrah tij anash ishin dy oficerë UDB-eje. Ata pyesnin: I pandehur … Në shenjë proteste nuk u përgjigjem . Udbashët u zemëruan dhe filluan të më goditnin me grushte e shqelma, ku të mundeshin dhe ku të donin. Mbasi mbaroi dhuna agjentët më nxjerrin në ballafaqim me mësuesin Albert Karamanin . Ai ishte me njollë, njolla të zeza në fytyrë , me sy të nxirë dhe të futur thellë, mezi qëndronte  në këmbë, ishte torturuar për vdekje.

      -Folë! E urdhërojnë Albertin.

     -S`kam çfarë të them. U përgjigjet ai . Kemi ardhur te ftuar e po na trajtoni si kafshë! 

E kapin me shkelma Albertin dhe e nxjerrin nga zyra. Qindra kosovarë janë gjymtuar nga torturat. Një mësuesi nga Ferizaj i kishin thyer krahun, qindra të tjerë janë pushkatuar.

Në muajin e katërtë të prangosjes vijnë dy udbashë nga Beogradi për të bërë presion, njëri ishte shqiptar E.N. Përsëri filloi presioni. 24 orë duartë lidhur prapa, pa gjumë , me gojë të tharë, buzë të plasur dhe zë të ngjirur. Shqiptari dukej burrë serioz, po s`kishte ç`bënte mbi krye kishte ustanë. Pyetën ç ‘nuk pyetën, kishin survejuar  që nga arritja në Kosovë në vitin 1945 e deri në vitin 1950 kur më arrestuan.

Errësira në qeli ishte pothuajse e plotë, mbahesha vazhdimisht i mbyllur. Mungonte ngrohja, uji, dhe higjiena elementare, minjë të madhësive të ndryshme qarkullonin sa në një anë në anën tjetër. Kjo bënte që këto biruca të ishin një ferr i vërtetë.

Prishtinë 16 muaj burg , gjashtë në qytetin e Ferizajt dhe 10 muaj në burgun e Prishtinës.

Veprimet e paligjshme, mungesa e procesit gjyqësor, gjendja shëndetësore e keqësuar , më detyruan në shenjë proteste të hidhem në grevë urie. Ishte i vetmi mjet për të protestuar dhe qetësuar vetën. Dy ditët e para trupi duron, nuk ka shqetësim , ditën e tretë organizmi mpihet, pamja fillon të errësohet . të duket mjegull përpara , as qëndron dot në këmbë të merren ment. Humbet dëgjimin dhe oreksin për ushqim dhe ujë.

Disa fjalë për punën e mësuesit Salami në shërbim të shkollës shqipe

Sipas librit “Një jetë për atdhe” Në dhjetor 1945 dërgohet nga Qeveria Shqiptare në Kosovë, ku shërbeu në Gllogovc, Prekaz të Drenicës, në Rahovec, Prishtinë dhe së fundi në gjimnazin e Ferizajt. Nga 30 qershori 1950 deri më 25 tetor 1951 i burgosur politik nga UDB-ja jugosllave. Vazhdoi 3 vjet filozofi në Beograd (katedra e Albanologjisë) . Në vitin 1956-1961 përfundoi studimet në fakultetin  Filologji- Histori në Tiranë. 1961- 1982 mësues në shkollat e mesme të Korçës. Nga viti 1982 e këtej pensionist e aktivist i veteranëve të LANÇL ne Korçë

Do theksuar se me të mësuar se mësuesi Selami Kreka jeton edhe më tej me rastin e 70 vjetorit të themelimit të gjimnazit në Ferizaj, shpërblehet me mirënjohje të posaçme nga komuna e Ferizajt. Po nga kjo komunë isha me një delegacion të Ferizajt me rastin e dorëzimit të kësaj mirënjohjeje, ndërsa një vit më vonë edhe me gjeneratën time të normalistëve të Ferizaj, tash kur e gjithë gjenerata ime është e pensionuar.