Mësuesi 94 vjeçar Selami Kreka nga Korça në vetën e parë: “Në vitin 1945«Në Kursin veror të studentëve ushtarak» nga Qeveria shqiptare u kërkua të dalin vullnetarë për të shkuar në Kosovë si mësues -. Mbi 100 veta dolëm vullnetar, shumica ishin oficer ushtarak në Tiranë. -Në atë kohë besohej, se midis dy vendeve kishte miqësi të sinqertë, por u zhgënjyem, sepse derisa populli na priti me shumë bujari, po ai popull arrestohej dhe ekzekutohej pa kurrfarë gjyqi !
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Për të prezantuar në mënyrë sa më autentike e besnike, bisedat që kam pas gjatë takimeve me mësuesin korçar, Selami Kreka pata në do të edhe librin e tij “Një jetë për Atdhe”, ku ky mësues veteran me entuziazmin rinor, si para 75 vjet më parë kur mori rrugën për Kosovë edhe tash i ruan kujtimet plotësisht të freskëta. Ndaj edhe tërë këtë histori të tij do ta jap në vetën e parë, siç e kujton por edhe ruan në letër mësuesi Selami:
Në vitin 1945 në «Në Kursin veror të studentëve ushtarak» nga Qeveria shqiptare u kërkua të dalin vullnetarë për të shkuar në Kosovë si mësues . Shprehja e vullnetit për të shkuar mësues vlerësohej njësoj si pjesëmarrje në luftë për çlirim , por tani në një fushë tjetër, në fushën e arsimit , kulturës dhe emancipimit shoqëror.
Shumë studentë u solidarizuan me thirrjen e Ministrisë së arsimit duke konsideruar këtë akt të shenjtë dhe ndihmë njerëzore.
Thirrja : “Zëri Atdheut ju fton se Kosova ka nevojë për ju”
Mbas mbarimit të klasës ju bën thirrje pjesëmarrësve të kursit: “Zëri i Atdheut ju fton për një mision tjetër të rëndësishëm , jo për të luftuar me armë, por për të dhënë mësim në gjuhën shqipe atje ku ka nevojë mëmëdheu. Kosova ka nevojë për ju”,
Mbi 100 veta dolëm vullnetar, shumica prej tyre kanë qenë oficer ushtarak në Tiranë. Në atë kohë besohej , se midis dy vendeve kishte miqësi të sinqertë, por u zhgënjyem.
Para se të niseshim në Kosovë, përfaqësuesi i Qeverisë, i dërguari i Ministrisë së arsimit përshëndeti duke uruar : Rrugë të mbarë! Kosova e Isa Boletinit , Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Azem e Shote Galicës do të bashkohen me Shqipërinë . Titoja do t`ia kthejë Kosovën Shqipërisë. Ju jeni kuadrot e parë që çoheni nga Shqipëria.
Nga Tirana udhëtimi me dy kamionë përmes Strugës deri në Prizren
Ishte fillimi muajit dhjetor 1945. Me dy kamionë nga Tirana u nisëm në Kosovë, të shoqëruar nga një përfaqësues i ardhur nga Prizreni. Kaluam Qafën e Thanës, Strugën, Ohrin, Manastirin , Shkupin, Ferizain dhe arritëm në Prizren, i cili në atë kohë ishte kryeqendra e Kosovës.
Në pritje të mësuesve u paraqit Xhavit Nimani, një nga krerët e Krahinës. Ai na grumbulloi në një sallë, uroj për mirëseardhjen dhe dha një informacion për situatën në Kosovë. Midis tjerave tha: “Jugosllavia e Titos është shteti më i fuqishëm dhe më demokratik në Ballkan . Ka dëshirë të bashkohen shtetet e Ballkanit në një federatë. Amerika dhe rekcioni botëror synojnë ta dobësojnë e ta copëtojnë Jugosllavinë. Një rrezik për Jugosllavinë e përbën edhe irredentizmi shqiptar. Ai përkrahet nga reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm, nga Anglo-Amerikanët , të cilët janë kundër vëllazërim bashkimit të popujve të Jugosllavisë”.
Njerëzit bujarë e të pafajshëm, ekzekutoheshin pa gjykim
Populli i priti me krah në qafë, me bujari e fisnikëri kosovare. U plotësonte çdo nevojë, i adhuronte si njerëz të shenjtë të ardhur nga qielli. Bazën kjo dashuri e kishte te ideali i tyre i zjarrtë , shpirtëror për “ Nënën Shqipëri”. Ata kishin besim te mësuesit nga Shqipëria dhe tregonin çdo problem e brengë që kishin në zemër. Pyesnin: “ Pse ikën Brigadat e UNÇLSH NGA Kosova? ; “Pse na latë të na vrasë e therë “shkau” ? “Kosovën e pushtuan ushtria serbo-sllave e përzierë me elemente antishqiptar. Kriminel të armatosur në mes të natës thyenin dyert e shtëpive të shqiptarëve e hynin brenda me dhunë , rrëmbenin burrat , i nxirrnin jashtë ndërtesës dhe i pushkatonin; ekzekutonin njerëz të pafajshëm pa i gjykuar .
Vendasit argumenton se ka patur raste kur në mes të ditës, persona serb, të paidentifikuar kur shkonin rrugës shqiptar me qylaf të bardhë i qëllonin me armë zjarri pas shpine dhe i vrisnin . Psh. Në katundin Gllobar të Drenicës kanë pushkatuar 18 banorë , në Gllogoc 10 fshatarë dhe me radhë në çdo vend kryenin vrasje.
Organet e sigurimit jugosllav ndalojnë përdorimin e Flamurit Kombëtar
Më 20 Nëntor 1945 në Kosovë organet e sigurimit jugosllav ndaluan ceremoninë përkujtimore të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe përdorimin e Flamurit Kombëtar…
Në vitin 1945- 1946 në Kosovë filluan të kthehen kolonët sllavë , të cilët ishin larguar vullnetarisht nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushteti vendor i atëhershëm i detyronte shqiptarët të bënin punë angari për serbët, t`u ndërtonin shtëpi të reja kolonëve , t`u punonin tokat bujqësore dhe çdo gjë tjetër.
Në vitin 1948 UDBE-ja e Rankoviqit filloi ti lajë hesapet me shqiptarët. Rezoluta e Informbyrosë të atij viti ishte vetëm për të akuzuar , për të bërë spastrime dhe për ti ç `farosur ata . Të gjithë ishin të mbikëqyrur, po endej pëlhura e merimangës për ti shtënë në kurth, për të kryer krime misterioze. Puna e UDB-së shtrihej zinxhir. U bën spastrime në administratë, në arsim dhe në ushtri. Filluan arrestimet, burgjet mbusheshin plot e përplot ditën, ndërsa natën boshatiseshin dhe dërgoheshin nëpër kampe, torturimi apo shfarosës.
Vrasja e krerëve shqiptarë edhe në pikë dite !
Dhimitrije Kolkoviç, shef i UDB-së për Kosovën, Prishtinën, vrau në mes të ditës në zyrën e vet , profesorin e historisë Xheladin Hanën, madje vrau Rifat Berishën, deputet në Kuvendin e Jugosllavisë , pjesëmarrës në Konferencën e Bujanit në 1943. Vrau Feta Klunen në katundin Poklek të Drenicës, kapiten i parë në ushtrinë jugosllave. Shumë shqiptarë të pafajshëm u arrestuan e u masakruan me akuza të montuara si armiq, irredentist, fashistë, informbyroist e të tjera”.
Nesër: Si i luftonte UDB-a edhe lidhjet e gjakut mes shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë (22)