Kujdesi për fëmijën e sëmurë dhe e drejta në pagë

Balancimi mes jetës profesionale dhe asaj familjare është sfidë në vete. Kjo situatë është veçanërisht e vështirë kur të dy prindërit punojnë dhe duhet të organizohen për kujdesin ndaj një fëmije të sëmurë.

Çfarë të drejte parashikon legjislacioni helvetik në këtë rast dhe cilat udhëzime duhet ndjekur ?

Sipas Ligjit zviceran të punës, neni 36 al.3 dhe 4, punëdhënësi, pas paraqitjes së një certifikate mjekësore, duhet t’ju japë leje punonjësve me përgjegjësi familjare për kohën e nevojshme për kujdesin ndaj një fëmije të sëmurë, deri në maksimum 3 ditë për çdo rast sëmundjeje apo aksidenti (6 ditë nëse të dy prindërit janë të punësuar).Megjithatë, kjo leje është e kufizuar në maksimum 10 ditë gjatë një viti kalendarik me të drejtën në pagë 100%.

Që nga 1 korriku 2021, ligji parashikon leje të reja për kujdesin prindëror deri në 14 javë, për fëmijët të cilët ballafaqohen me një sëmundje të rëndë, e rregulluar kjo me nenin 329 i CO. Kushti kryesor është që prindi të ketë të drejtën e kompensimit në rast të humbjes së të ardhurave ( fr. Assurance perte de gain).

E drejta e pushimit për përkujdesje ndaj një fëmiju të sëmurë mund të merret brenda një periudhe të kufizuar prej 18 muajsh pas marrjes së shtesës së parë ditore.

Nëse të dy prindërit janë të punësuar, ata nuk kanë të drejtë për më shumë se 14 javë pushim përkujdesjeje në total.

Ku mund ta bëjë kërkesën ?

Kërkesa për kompensim për kujdesin prindëror duhet të bëhet pranë Arkës së kompensimit të punëdhënësit tuaj, qoftë nga punëdhënësi qoftë drejtpërdrejtë nga vetë prindi i punësuar.Nga kjo e drejtë mund të përfitojnë edhe personat e regjistruar në Zyrën rajonale të punësimit (ORP).

Vetëm një Arkë kompensimi është përgjegjëse për pagesën e kompensimit. Nëse të dy prindërit ndajnë këtë të drejtë, Arka kompetente për pagesë është ajo e prindit që merr shtesën e parë ditore.

Për të shkarkuar formularin e duhur (318.744) dhe (318.746) kliko këtu: Formulaires | Centre d’information AVS/AI.

Cila është shuma e shtesës ?

Shtesa ditore është 80% e pagesës së fundit dhe është e kufizuar deri në një shumë maksimale prej 220 franga në ditë.

Gjatë periudhës në të cilën prindi i punësuar ka të drejtë në leje përkujdesjeje, por maksimumi për gjashtë muaj, ai/ajo përfiton mbrojtje kundër largimit nga puna dhe gjatë kësaj periudhe zbritja e pushimit vjetor nuk lejohet.
__________________

Linda Rexhaj Maliqi
Këshilltare Juridike