Legjenda për kthimin e Doruntinës

Lexuar nga Flora Berisha
Përpiluar nga Dashurije dhe Xhevat Hasani

Legjenda thotë se kishte qenë dikur moti një fisnike arbërore e cila në mesin e nëntë djemve e kishte pasur një vajzë të vetme që emrin e kishte  pasur Doruntina. Doruntina kishte qenë një vajzë shtathedhur, me sy të shkruar e me flokë të gjata e të valëzuara deri te gjunjët. Aq sa kishe qenë e bukuar, po aq kishte qenë e sjellshme, e mençur dhe e dashur. Sidomos natyra e saj e brishtë dhe e ndjeshme si vesa e mëngjesit e kishte bërë atë të veçantë. Të gjithë e kishin dashur dhe çmuar aq shumë.

Por e ëma e saj, fisnikja arbërore, për t`i shpëtuar djemtë dhe të burrat e arbrit nga gjakderdhjet e pafundme, me djemtë dhe burrat e një fisi tjetër sa i egër aq edhe dinak i ardhur diku nga larg, kishte vendosur që me atë fis të prapët t`a bënte një krushqi, t`a sakrifikonte Doruntinën duke e dhënë për princin e atij fisi fis-zi! E mjera Doruntinë, për t`i shpëtuar vëllezërit e saj arbërorë nga gjakderdhjet e pafundme kishte pranuar të sakrifikohej, ta merrte për burrë princin e atij fisi zë-keq e zullumqar, trojet e të cilit kishin qenë shumë larg  nga trojet arbërore, siç thotë legjenda, diku pas shtatë bjeshkëve e pas shtatë kodrave! Në ditën e martesës Doruntina kishte qarë aq shumë për fatin e saj të zi! Se kishte ditur nëse do t`a shihte edhe njëherë të ëmën e saj për të gjallë! Edhe e ëma ishte mërzitur aq shumë për fatin e keq të Doruntinës. E lodhur dhe e moshuar as që kishte besuar se do ta shihte qoftë edhe njëherë të vetme Doruntinën para se të vdiste.

Duke e parë të ëmën të mërzitur djali më i vogël ia kishte dhënë asaj besën, se ai i gjallë apo i vdekur do t`ia sillte Doruntinën për ta parë para se të vdiste! Por  vitet kishin ikur e fisnikes arbërore i kishin vdekur të nëntë djemtë. Ajo   e vetmuar, e lodhur dhe e verbuar nga të dy sytë kishte filluar të fliste me muret dhe trarët e kullës! Shpresën se do ta shihte qoftë edhe një herë të vetme Doruntinën, tani më e kishte pasur plotësisht të fikur.

Por, legjenda thotë se, djali saj i vogël (vëllai i vogël i Doruntinës) për ta  mbajtur fjalën dhe besën që ia kishte dhënë të ëmës kur kishte qenë gjallë, ishte ngritur nga varri dhe kishte marrë udhë drejt trojeve të fisit zullumqar. Ishte futur në kështjellën e atij fisi dhe i kishte thënë Doruntinës se kishte ardhur për ta marrë me kalë të bardhë, sepse që kur ajo ishte martuar ia kishte dhënë fjalën të ëmës se herëdokur do t`ia sillte Doruntinën për ta parë. Doruntina e cila mezi se kishte pritur të ikte nga ai fis e princ i prapët, kishte kërcyer menjëherë mbi kalin e bardhë, dhe bashkë me të vëllain kishin marrë udhë drejt trojeve  të arbrit. Kur kishin arritur te kulla ku kishte jetuar e vetmuar dhe e verbër e ëma, vëllai i vogël i kishte thënë Doruntinës: “Derisa unë merrem me kalin në oborr ti futu brenda në kullë!”.

Nënë, nënë, kishte thirrur Doruntina e shkretë. E ëma e kishte  dëgjuar zërin e Doruntinës, por s`u kishte besuar veshëve të saj. Kur ajo ishte bindur se vërtetë kishte ardhur Doruntina e kishte pyetur atë: “kush të solli!”. Doruntina ishte përgjigjur se e kishte sjellë vëllai i vogël! E ëma e tronditur i kishte thënë Doruntinës: “ S`është e mundur, vëllai yt i vogël ka vite që ka vdekur!”.

Doruntina kishte kundërshtuar: Jo, i kishte thënë të ëmës, ai është gjallë! Ai edhe tani është në oborrin e kullës duke e kujdesur kalin e tij të bardhë. Kur ëmë e bijë kishin dalë në oborr për ta parë vëllain e vogël, ai bashkë me kalin e bardhë veç ishte zhdukur.

Interpretimi

  • Legjenda e vë në spikamë virtytin e besës e të fjalëmbajtjes në mesin e shqiptarëve.
  • Legjenda aludon në dyndjen e fiseve sllave në Ballkan dhe vendosjen e tyre në viset e fiseve
  • Se fiset sllave duke qenë agresive dhe zaptuese i kanë sulmuar fiset
  • Se asokohe edhe për t`i parandaluar gjakderdhjet midis fiseve janë bërë miqësi të paramenduara