Shën Mitër Korona (San Demetrio Corone), e shtunë 12 nëntor 2022, në Qendrën Kulturore “Jeronim De Rada” në ngulimin ku gjendet edhe Kolegji i famshëm Shën Adrianit, ku ligjëroi Jeronim De Rada, u bë promovimi i librit i gazetarit dhe publicistit Rexhep Rifati “ARBËRESHËT fotosintezë e shpirtit tim”, ku morën pjesë njohës të kulturës, artit dhe emra eminent të Bashkisë së Shën Mitër Koronës e më gjer, kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, Dr. Ernesto Madeo, i cili potencoi se ky libër do ketë vendin e veçantë në kulturën arbëreshe dhe se askush deri më tani nuk ka sjellë një thesar të tillë për historinë dhe kulturën arbëreshe.
- Nga Shenasi Aliu
Libri zgjoi interesim të madh tek vendasit për shkakun se bënë një lidhje kulturore dhe shpirtërore mes Arbëreshëve dhe rrënjëve të tyre nga trojet Shqiptare. Të gjithë të pranishmit prisnin me gojëhapur se cfarë do të gjenin në këtë libër të ndërtuar dhe strukturuar nga pena dhe të ilustruar me fotografi nga gazetari Rexhep Rifati.
Nga të pranishmit libri “ARBËRESHËT Fotosintezë e shpirtit tim”, u pranua dhe u vlerësua maksimalisht dhe askush nuk pyeste për çmimin, por çdo kush tentonte që ta ketë në bibliotekën personale dhe familjare këtë libër, por mungesa e mjaftueshme e ekzemplarëve paksa na zhgënjeu.
Për librin në fjalë folën të gjithë anëtarët e panelit. Promovimin e librit e udhëhoqi Prof. Gennaro De Cicco ku edhe i bëri një paraqitje të bukur librit dhe vetë autorit të librit.
Më pastaj Kryetari i Bashkisë së Shën Mitër Korona Dr. Ernesto Madeo, pasi përshëndeti mysafirët nënvizoi se: ky libër do ketë vendin e veçantë në kulturën arbëreshe dhe theksoi se askush deri më tani nuk ka sjellë një thesar të tillë për historinë dhe kulturën arbëreshe.
Gjithashtu përshëndeti edhe Zëvendës Këshilltari i Kulturës avv. Emanuele D’Amico, i cili tha se: ky libër është i veçantë për çdo familje arbëreshe që do të dijë dhe mësoj rrënjët e prejardhjes. Rreth librit në fjalë qasje vështrim mjaft analitik e bëri në dy gjuhët Damiano Guagliardi, presidenti i F.A.A. (Fedreata e Asociacioneve Arbëreshe) , i cili bashkë me një grup autorësh dhe figura eminente nga Kalabria do të merr pjesë në Ditët e librit arbëresh në Tiranë nga data 21-23 Nëntor 2022.
Ajo që mbetet e veçanta e këtij promovimi ishte edhe fakti sepse në panel ishte edhe mjeshtri i madh i skulpturës Hevzi Nuhiu (mik i ngushtë i Mjeshtrit Ibrahim Kodra) i cili jeton dhe vepron në këtë qytezë prej 42 vitesh e që është me prejardhje nga Karadaku i Preshevës, nga ku dolëm edhe miq familje. Hevziu na rrëfeu shumë ngjarje interesante që për mua ishin krejtësisht të panjohura deri në ato çaste. Një ndër to ishte se në Shën Mitër Korona kishin mësuar dhe studiuar Avni Rrustemi dhe Luigj Gurakuqi që dolën se ishin nxënës të De Radës. Avni Rrustemi ishte nisur nga Shën Mitër Korona për ta kryer atentatin në Paris..
Në fund të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoj të pranishmit autori Rexhep Rifati, i cili tregoi se ishte diçka e veçantë të ishe i pranishëm me vepra në mesin e vëllezërve arbëresh.
Të pranishëm nga grupi ynë ishim: Rexhep Rifati autor i librit. Hazir Mehmeti Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Austri. Muharrem Blakaj shkrimtar. Osman Osmani drejtor i Prointegrës. Unë Shenasi Aliu Biolog dhe Skender Hasani kameraman.
U ndamë nga vëllezërit arbëresh me shpresën se do krijojmë edhe lidhje më të forta ndërkulturore.
Faleminderit për mikpritjen që na bëtë vëllezër arbëresh.