Kërçovarët shquhen me arritje e organizime të mëdha në Zvicër

Rreth 2 mijë mërgimtarë me prejardhje nga Kërçova, në shoqërim të kryetarit të komunës, Fatmir Dehari e të grupeve artistike, krijuan një atmosferë tejet impozante në “Rinora 4” të Cyrihut

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Shoqata Kulturore “Kërçova” në Zvicër, padyshim paraqet njërën ndër shoqatat më masive në shtetin helvetik. Nuk shquhet vetëm për nga numri, por edhe organizimet e mira tradicionale, ku marrin pjesë mijëra kërçovarë. Disa prej tyre vijnë edhe nga shtetet evropiane dhe Amerika. Zakonisht, marrin pjesë edhe autoritet e komunës dhe artistë nga vendlindja, ndërkaq edhe programet kanë një ngjyrim autokton, si në veshje, këngë, valle e interpretim. Si rrallë ndonjë shoqëri në mërgatë, “Kërçova” në Zvicër, paraqet një trashëgimtare të denjë të gjuhës dhe traditës sonë kombëtare.

Artistë nga vise shqiptare dhe diaspora

Por, kërçovarët, këtu në shtetin helvetik i bënë të njohur sidomos zelli për punë, shkollim e biznes. Nga radhët e tyre mund të gjesh nxënës e studentë të shkëlqyeshëm, por edhe të diplomuare të ri në mjekësi, ekonomi, teknikë e gjetiu.

Edhe takimi i sivjetmë, i 7- ti me radhë, i organizuar në njërin ndër ambientet më të mëdha shqiptare në Zvicër, RINORA 4, mbajtur më 9 nëntor, kishte tubuar rreth 2 mijë kërçovarë e të tjerë, falë organizimit të pashoq që bënë Kryesia e Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër dhe ndihmës që japin sponsorët me prejardhje nga komuna e Kërçovës në mërgatë, por edhe bashkatdhetarë të tjerë bamirës.

Me të kënduar live të Himnit kombëtar, kryetari i shoqatës Begzat Limani, fjalë përshëndetëse u drejtoi të gjithë të pranishmëve, duke veçuar, kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, si dhe përfaqësuesit e shoqatave simotra nga Evropa e Amerika. Shprehi kënaqësinë që edhe kësaj radhe bashkëvendësit e tij nga Kërçova ishin tubuar së bashku nën një çati për tu parë e çmallë, por edhe për të biseduar e këmbyer përvoja për arritjet e tyre në kurbet. Njëherësh ai falënderoi edhe kryesinë dhe sponsoret, qoftë për angazhim apo kontribute e ofruara, për këtë tubim të madh.

Falënderim për kontributin e kërçovarëve

Si në takimin e vjetëm e edhe në atë të sivjetmin, nuk mungoi kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili falënderoi bashkëvendësit e tij në Zvicër për këtë organizim, duke veçuar edhe me këtë rast angazhimin e kryesisë së shoqatës “Kërçova”. Shprehi, njëherësh, kënaqësinë që këtu shihte një brez të ri të rritur e të shkolluar në mërgatë në kushte tejet të avancuara që ka ofruar vendi mikpritës. Ai falënderoi edhe drejtuesit e shoqatave nga Amerika, Gjermania dhe Austria, Italia e gjetiu që po kontribuojnë në mirëqenien dhe zhvillimin e infrastrukturës në vendlindje. Ndërsa pati porosi, sa i përket ruajtjes së gjuhës, traditës dhe të identitetit kombëtar, sepse duke e ruajtur secili kulturën e vetë, do të ti kontribuojë edhe kulturës së përbotshme.

Të organizuar edhe në Amerikë

Kurbeti shekullor, i ka lidhur shumë kërçovarët mes veti, madje edhe me anën tjetër të Atlantikut, siç ndodhi edhe në këtë rast, me ardhjen e kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Uskana” , dr. Fatmir Jusufit, i cili me këtë rast tha se ka bërë mijëra kilometra që të marrë pjesë, jo për vete, siç tha, “por për të përfaqësuar një Kërçovë tjetër atë të Amerikës, që ju tashme e dini se nuk është edhe aq e vogël. Pra nëpërmjet meje te gjithë kërçovarët e Amerikës ju dëshirojnë te kaloni një ditë të paharrueshme” . Me këtë rast përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës «Kërçova» në Vjenë të Austrisë, Rexhep Sula.

Përndryshe, sharmin kësaj pasdite ia shtuan aktori e regjisori nga Tirana, me origjinë kërçovare, Qëndrim Rijani, këngëtarët Silva Gunbardhi e Senad Rrahmani, si dhe Dafi e Dj.Master FX . Pos këngëtarëve, të ardhur nga viset shqiptare, ishin edhe dy grupe tejet cilësore vendase që e përmbushën programin, si me cilësi edhe me sasi: “Kërçova” përberë, kryesisht me këngëtarë e valltarë të vegjël, që me veshje autoktone kërçovare e me lojë të bukur, sollën mbresa të shumta, bashkë me Shkollën Shqiptare të Vallëzimit “SHOTA” në Zvicër, që drejtohet nga Agron Bajrami. Pjesë e mirë e këtij programi ishin edhe dy moderatorët, Arijana Xhambazi e Arbnora Mehmedi.

Këngëtarët e ftuar dhe sponsorët

Në përfundim të programit, një prononcim i morëm, Florim Useinit, nënkryetar i shoqatës “Kërçova” në Zvicër, që barti një barrë të madhe të organizimit. Ai me këtë rast shprehi keqardhjen që pjesë e programit nuk ishin këngëtarë e grupe të ftuara me kohë nga vendlindja dhe disa shoqata simotra. Njëherësh ai, në emër të kryesisë, Florim Useini u shprehi mirënjohje të gjithë sponsorëve per kontributin e dhënë për këtë manifestim dhe për mbijetesën e shoqatës në vazhdimësi siç janë: Faik Ademi – Restorant Holiday, Agim Ballazhi – ADS Finanz und Immobilien GmbH, Ani Jonuzi – Seehof Hotel Du Lac, Mehdi Avdijaj – M&S BauTeam AG, Ismail Beluli – Durmo Tours, Rashyt Limani – el hamra dhe Coop pronto Willisau, Mersim Ipçja – Mersim Montagen GmbH, Edi Aziri – Ristorante Pizzeria Uscana, Mefail Ibishi – Restaurant Gara, Afrim Baftiri – The Jailhotel, Fluturim Kadriu – Restaurant “Traube”, Dr.med.Gafurr Sherbeti –Praxis für Psychiatrie und Psychotherapie FMH, Gazmend Nuredini – BNS Security Kërçovë, Mefail Fejza – F.Gartenbau, Bashkim Ismaili – …avec., Murat Saliu – Mode Butique USA, Bajram Mehmedi – “Coop Pronto”, Bekim Abdiu – Coiffeur 4You, Naser Limani – Studio: Shutova 73, Afrim Saliu – USA Boutique Plus, Lutfi Vejseli – Kërçova Reisen, Fisnik Dauti – Flamurtari Travel Agency, Muhamed Fejza – Fejza-A&M GmbH, Shaqir Xhelili – SD Desing dhe Afrim+Urim Miftari – Salloni i Dasmave Shqiponja. Me këtë rast organizatori i shprehi mirënjohje edhe drejtuesve të Diskotekës “Rinora 4”, për ofrimin e lokalit me kushte të volitshme, si edhe herëve të mëparshme.