Një promovim i veçantë, i një libri dhe autori të veçantë

Me këto fjalë e filloi vlerësimin e tij docenti i pavarur, autor i disa veprave, letrare, Mahir Mustafa, për librin “Shqiptarët në Zvicër- 100 pamje” të gazetarit Rexhep Rifati, ndërsa që një fjalë rasti e mbajti edhe Albert Rama, drejtor i Institutit Albanologjik, me seli në St. Gallen.- Evenimenti u  shoqërua me një ekspozitë dhe disa pika artistike , të ekzekutuara nga instrumentistë të vegjël.

Me organizimin e Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër dhe Qëndresë Shqiptare për Kulturë e Integrim në Kreuzlingen, më 1 shkurt në lokalet e kësaj qendre u bë promovimi i radhës i librit “Shqiptarët në Zvicër- 100 pamje” të gazetarit Rexhep Rifati. Në këtë eveniment, ku në emër të nikoqirit përshëndeti Tomë Berisha, merrnin pjesë disa dhjetëra bashkatdhetarë që jetojnë në Zvicër, apo edhe Gjermani. Merrnin pjesë mërgimtarë fushash të ndryshme, në mesin e të cilëve edhe krye imami i Unionit të Bashkësisë Islame në Zvicër, mr. Rejhan Neziri,  ndërsa nga mysafirët zviceran, kryetari i Shoqatës Zvicër- Shqipëri, z. Rolf Alther, të cilët edhe mbajtën nga një fjalë përshëndetëse. Në fillim të promovimit piktorja 9 – vjeçare nga Gjermania, Abetare Berila hapi një ekspozitë me punimet e saj. Nga Gjermania merrte pjesë edhe skulptori i mirënjohur, Mal Myrtaj. Promovimin e drejtoi, aktori Ramadan Morina, që gjithashtu jeton në Gjermani, por një veprimtari të begatë kulturore e zhvillon në Zvicër.

Në emër të SHKSHZ, fjalën e rastit e mbajti docenti i pavarur, autor i disa veprave letrare, Mahir Mustafa, i cili që në fillim tha se:

Mirë se keni ardhur në promovimin e librit të publicistit Rexhep Rifati, një promovim i veçantë, i një libri të veçantë, të një autori të veçantë, për të vazhduar me pyetjen se,  “Ku qëndron veçantia e librit dhe autorit?” e për të vazhduar me shpjegimin se:

Ajo qëndron në mënyrën, formën dhe trajtimin e veçantë të përcjelljes dhe prezantimit të aktiviteteve të mërgatës shqiptare në Zvicër, të përfshira në një libër voluminoz, i cili për dallim nga librat tjerë, për objekt prezantimi e ka lexuesen dhe lexuesin, veprimtarinë e saj e të tij, pra të neve të gjithëve që veprojmë në fusha të ndryshme, e jo të personazheve të imagjinuara.

Pikërisht për shkak të veçantisë që ka ky libër e kanë quajtur dy recensentët e tij Hajro Hajra dhe Basil Shader “Monografi e Mërgatës Shqiptare në Zvicër me autorin si pjesë të saj – Kronikë e Dokument shumë të rëndësishëm – Kujtesë të Mërgatës Shqiptare në Zvicër”. Por meqë libri, me anë të fotografisë dhe të tekstit, për objekt prezantimi, nuk i ka vetëm shqiptarët e të gjitha moshave  që jetojnë e veprojnë  në Zvicër, por edhe personalitetet vendore, miq të shqiptarëve, të lidhur ngushtë me shqiptarët, mund të quhet lirisht edhe urë lidhëse ndërmjet kulturave të hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare dhe kulturave zvicerane. Këtë rol do ta luaj ky libër dhe më mirë kur do të përkthehet e do të përshtatet edhe në gjuhët zyrtare të  vendit mikpritës. Uroj që kjo të ndodhë sa më shpejt!

Veçantia kryesore e librit qëndron në pretendimin e autorit që me kamerën dhe shkrimet e tij ta përcjellë e ta prezantojë në mënyrë objektive veprimtarinë e gjerë të mërgatës shqiptare në Zvicër. Duke raportuar për aktivitetet e aktivistëve të dalluar e të  çmuar shqiptarë e zviceranë, duke i prezantuar të arriturat e tyre në fusha të ndryshme, arsimore, kulturore, sociale, shkencore, në ato të sportit, të biznesit dhe të bamirësisë për sigurimin e mirëqenies individuale e kolektive shqiptare, autori  përcaktohet për t’u përballuar me një sfidë tejet pretenduese.

Dhe pikërisht ky pretendim e bënë autorin të veçantë, sepse bëhet fjalë për një pretendim të paarritshëm, jo vetëm për shkak të kohës, të distancave dhe shumëllojshmërisë së aktiviteteve, por edhe për shkak të objektivitetit profesional. Megjithatë autori Rexhep Rifati, i vetëdijshëm për këtë pretendim të paarritshëm, i përvishet punës dhe si bleta e palodhshme  e përcjellë, e fotografon, shkruan dhe e komenton veprimtarinë e larmishme të mërgatës shqiptare në Zvicër në librin “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje” , i cili ofron shumë raporte, portrete, prezantime dhe fotografi të bukura të atyre që ju kushtohet libri, duke e bërë kështu një pretendim të paarritshëm realitet.

Megjithatë, përkundër këtij realiteti dhe volumit që ka libri, mund të ndodhë që të ketë zëra, të cilët mund ta shikojnë librin me xhelozi ose me mosmirënjohje, në qoftë se nuk do ta gjejnë veten në të.  Por unë jam i sigurt se edhe të tillët do ta mundin xhelozinë, inatin e mosmirënjohjen dhe do të mësohen ta çmojnë e ta duan këtë libër dhe autorin e saj të dashur, të urtë e fisnik, ngase është e pamundur të  mos e duash dhe çmosh bacën Rexhep, bacën e diasporës shqiptare në Zvicër, vital i urtë e i papërtueshëm, gjithnjë në përcjellje të punës dhe aktiviteteve të bashkëkombësve të vetë në Zvicër.

Pikërisht për këto virtyte thash në fillim se sonte po promovojmë një libër të veçantë, të një autori të veçantë, i cili duke na respektuar dhe çmuar neve të gjithëve, është bërë  i dashur dhe i respektuar nga të gjithë ne. Duke e përgëzuar përzemërsisht për punën e madhe e të dobishme që e ka bërë me botimin e librit “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”  i dëshiroj bacës Rexhep jetë të gjatë në mesin e mërgimtarëve shqiptarë dhe shumë gëzime për të arriturat e reja të tyre.

I sigurt se libri do të jetë një pikënisje, mbështetje e referencë  e mirë për studiuesit e ardhshëm të fushës së publicistikës, kulturës, sociologjisë e historisë e të fushave të tjera, do të kisha dashur që ne këtu sonte, dhe të tjerët anekënd Zvicrës, ta çmojnë e ta duan autorin duke qenë i gjallë në mesin tonë, e jo vetëm atëherë kur mos të jetë më me ne, siç ndodhë shpesh me njerëzit e merituar të fushave të ndryshme.

E si duhet e çmohet një autor si Rexhep Rifati?

Duke ia vlerësuar punën, mundin, përpjekjet, kontributin… Duke u pajisur me librin e tij dhe duke ua preferuar atë miqve e dashamirëve. Duke e thënë fjalën e mirë për të dhe duke e ndarë bashkë gëzimin e autorit për librin e botuar.

I bindur që jo vetëm sonte këtu, por gjithandej anekënd Zvicrës, të cilën duke e përcjellë veprimtarinë e nipave dhe mbesave të tij, motrave dhe vëllezërve, shoqeve e shokëve, miqve e dashamirëve të tij, e mësoi dhe e njohu jashtëzakonisht mirë, do t’i jepen atij mirënjohje e vlerësime të merituara,  i dëshiroj bacës Rexhep, autorit të këtij libri të dobishëm për diasporën shqiptare shumë suksese, dhe jetë të gjatë duke u plakur i lumtur me ato e ata, vogëlushe e vogëlush, fëmijë e të rinj, të rritur e pleq shqiptarë në Zvicër, të cilat e të cilët, për dallim nga shekulli i kaluar i gjen në këtë shekull në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë zvicerane.  Që ne sot shumicën prej tyre i njohim dhe krenohemi me ta e me to, i falënderohemi dhe i jemi shumë mirënjohës bacës Rexhep, kamerës së tij dhe shkrimeve të tij nëpër gazetat, revistat,  portalet elektronike, të përmbledhur, natyrisht jo të gjitha, në librin e tij “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”.  FALEMINDERIT baca Rexhep!

Të nderuara të pranishme e të pranishëm të kësaj mbrëmjeje promovuese faleminderit edhe juve për vëmendjen dhe interesimin tuaj për fjalët e mia rreth librit që jemi duke e promovuar. Këtu po e përfundoj fjalimin tim për  “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje” , sepse të pakta janë fjalët që do ta shprehnin denjësisht mirënjohjen time për veprën e Rexhep Rifatit, sado që unë jam mundur dhe i kam zgjedhur këto që i thash para jush. FALEMINDERIT!-, theksoi në përmbyllje docenti, Mahir Mustafa.

Duke folur në emër të botuesit të librit, drejtori i Institutit Albanologjik, me seli në St. Gallen, Albert Rama, potencoi se me botimet e mëparshme si dhe me këtë libër monografik dhe një që do të pasojë së shpejti në përgatitje të institutit që drejton ai, do të bëhen një rrumbullakosim i një historiku të shqiptarëve në Zvicër.

Promovimin e librit e bënë më tërheqës e përmbajtës edhe  disa fëmijë të talentuar, të cilët ekzekutuan  me instrumente të ndryshme, siç ishte rasti me: Leonita Avdylin në violinë, Nora Selcën- kitarë dhe Valon Alia në piano.

Autori, Rexhep Rifati me këtë rast falënderoi si organizatorin, si nikoqirin për lokalin e ofruar që është bërë një qendër me rëndësi kulturore në këtë pjesë të Zvicrës Lindore. Me këtë rast ia Ansambleve artistike që veprojnë në këtë anë, si dhe nikoqirit nga një libër.  Piktorja, Abetare Berilai i dhuroi Rexhep Rifatit një punim të saj, ku kishte pikturuar librin “Shqiptarët në Zvicër-100 pamje”. Organizatori, Qendra Shqiptare për Kulturë e Integrim në Kreuzlingen kishte përgatitur edhe një apero për të pranishmit. /prointegra.ch