Kosova drejt anarkisë, me qeveri pa legjitimitet dhe me parlament pa integritet

Kosova tashmë nuk ka vetëm një qeveri pa legjitimitet dhe në esencë antidemokratike, por ka edhe një parlament jokredibil, mbase edhe jashtë juridiksionit kushtetues, të nxjerrë nga vetë deputetët mbi dy të tretat e tyre, të cilët braktisën verdiktin që ua dha votuesi (populli), ndërsa u rreshtuan pas intrigave e interesave personale të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Kush kë sot mund ta bind se këta deputetë nuk e dogjën kredibilitetin e fituar nga votuesi me të gjitha normat pozitive kushtetuese dhe mbeten vetëm leckë e pavlerë në duart e Thaçit e Mustafës ?!

 Shkruan: Gani Bajrami

Po të ketë analistë të mirëfilltë dhe të paanshëm, Kosova, do të mund të hynte në librin e Ginisit për një sugeneris demokraci, sipas kutit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Mjafton të trajtohet vetëm periudha pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për të parë skenat prapaskenat që i dirigjuan këta dy për t’i dështuar ndryshimet e proklamuara në fushatën zgjedhore dhe të arritura me zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe për të restauruar regjimin e vjetër, të cilit i shërbyen këta dy me besnikëri dhe në një bashkëveprim të ngushtë njeri më tjetrin, shpeshherë edhe duke e sharë njeri-tjetrin. Por qëllimi nuk njeh mjet dhe qëllimi i tyre ishte që pa votën e qytetarëve, madje edhe në kundërshtim të plotë me verdiktin qytetar, ta rimarrin pushtetin me veprime aq të ulëta dhe aq perfide sa duhesh të jesh injorant i fortë dhe të mos e kuptosh një veprim të këtillë.

Pazaret e vjetra të dyshes Thaçi-Mustafa

Prandaj sot kemi një kryeministër dhe një qeveri të pazareve të Hashimit dhe Isës. Në vend të një ndryshimi për të cilin votuan qytetarët e Kosovës, kemi rikthimin edhe më të egër të kapjes së pushtetit, rikthimit të shantazhi, korrupsioni dhe krimit të organizuar. Pazaret e vjetra të dyshes Thaçi-Mustafa, u riaktivizuan për të jetësuar interesat e tyre meskine, njëri për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare e tjetri drejtësisë vendore dhe që të dy së bashku për ta mbajtur shtetin e kapur në të gjitha segmentet.

Skena tipike staliniste e mafioze janë bërë pikërisht në emër të demokracisë, e që nuk kanë të bëjnë fare me demokracinë. Mashtrimi i parë i Isa Mustafës ishte për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje me paramendim për ta prishur menjëherë, por jo vetëm për ta prishur, por për ta grabitur bashkë me Hashim Thaçin pushtetin dhe me çdo kusht për të nxjerrë jashtë lojës Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin, me një urrejtje edhe patologjike ndaj tij, duke e shpallur antiamerikan dhe duke e implikuar edhe administratën amerikane në rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Dhe Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u rrëzua më 25 mars 2020, më pak se dy muaj pasi u formua. Vota e mosbesimit u iniciua nga vetë partneri i koalicionit, LDK-së. Ndonëse u ngritën intriga të shumta, forcat regresive, kapsit e shtetit, me nepotizëm, korrupsion e krim të organizuar u bën bllok kundër Albin Kurtit, i cili shpalli luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këmbënguli për një qasje tjetër për dialogun me Serbinë, në kundërshtim me atë që për tre vjet po e trumbetonte presidenti Thaçi me korrigjime kufijsh e ndarje të Kosovës.

Mbi dy të tretat e deputetëve dogjën vetë mandatin e popullit

Derisa shumë analistë e të vetëquajtur analistë janë marrë me rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe me krijimin e Qeverisë Hoti, mënyrën e zgjedhjes së kësaj të fundit e kështu me radhë, thuaja askush nuk është marrë dhe nuk po merret me organin tonë më të lartë legjislativ, i cili në këtë rast suigeneris është jashtë juridiksionit kushtetues dhe defakto Kosova nuk ka as parlament kredibil.

Mjafton vetëm të kujtojmë një pjesë të tekstit mbi të cilin deputetët betohen solemnisht: “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj…”. Shtrohet pyetja cilin interes të popullit e përfaqësuan dy të tretat e deputetëve tanë kur u rreshtuan pas intrigave e interesave personale të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe e rrëzuan qeverinë legjitime të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Rreshtimi i këtyre deputetëve pas makinacioneve miskine të Thaçit e Musfafës dhe disa sejmenëve të tyre ka bërë që këta deputetë ta djegin krebilitetin e fituar nga votuesi dhe të mbeten vetëm leckë e pavlerë në duart e Thaçit e Mustafës.

Këta deputet harruan të drejtat dhe detyrat e deputetit të Kuvendit, harruan se deputeti i Kuvendit është përfaqësues i popullit dhe se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi tjetër pos verdiktit që ia ka dhënë votuesi, e jo Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Si u shkel brutalisht shpresa për ndryshime ?!

Cilën kauzë kombëtare a popullore e mbrojtën këta deputet duke kthyer në pushtet humbësit e zgjedhjeve, zhvatësit e kapsit e shtetit dhe duke shkelur me mënyrën më brutale mbi atë pak shpresë që pati populli për ndryshime. Duhet të jesh jo vetëm naiv, por edhe kokëkrisur e të besosh se këta deputetë mbrojtën ndonjë kauzë të drejtë, por vepruan ashtu siç u thanë me hatër a me dhunë bosët e tyre për interesa të ngushta të tyre e kundër të mirës së popullit dhe shtetit. Kush mund të më bind dhe me çka, që këta deputetë nuk e kanë humbur jo vetëm kartën morale, e kredibilitetin te votuesit e tyre, por edhe vetë juridiksionin kushtetues të Kosovës për të qenë përfaqësues të dikujt tjetër pos Isës e Thaçit. Kush mund t’u besojë më këtyre deputetëve se nuk do të votojnë çfarëdo marrëveshje që servohet në Kuvendin e Kosovës edhe në raport me dialogun me Serbinë, nëse bosët e tyre ua kërkojnë votën.

Qeveria aktuale e grabiti pushtetin me dy premisa, për ta luftuar pandeminë dhe pasojat e saj, rezultat që u pa deri më tash dhe premisa tjetër për ruajtjen e miqësisë me aleatët amerikan, pas antiamerikanizmit që vetë e prodhuan si nevojë e luftës për grabitje të pushtetit pa votën e qytetarëve. Situata e zhvilluar më vonë dëshmoi për prapaskena të ulëta të luajtura nga njerëz tanë kundër njerëzve tanë me lerën e antiamerikanizmit, në të cilën gropë disa deri tash ranë vetë, e disa të tjerë besoj se nuk do t’u shkoj edhe aq larg. Derisa Thaçi që konsiderohej shumë i zhdërvjellët në intriga, u demaskua nga vetë zyrtarët e ish-zyrtarët e lartë amerikanë, atij tundimi edhe më pak mund t’i rezistojnë Skënder Hyseni, Abdullah Hoti e Agim Veliu, të cilët ngarendën deri në Berlin e Vashington ta takojnë ambasadorin Grenell, për të mos e lanë të takohet me “antiamerikanin”, Albin Kurti. Herën e fundit shkuarja e Skënder Hysenit në Vashington, për ata që e kuptojnë çka është injorimi i të fortit, ishte një fiasko jo vetëm e tij, por edhe e urdhërdhënësve, sepse mori atë rrugë për të shpenzuar koti para të taksapaguesve të varfër të Kosovës për të komunikuar nga Vashingtoni me telefon me ambasadorin Grenell. Ai që e kupton çka është injorimi, e di se nuk do të mund të kishte diçka më injoruese se kaq. Më injoruese dhe më revanshiste mund të merret vetëm kthimi prapa i aeroplanit me të cilin Thaçi ishte nisur të shkonte në Vashington për takimin në Shtëpinë e Bardhë që ishte planifikuar dhe proklamuar me pompozitet të madh se do të mbahej më 27 qershor të këtij viti.

 

Të gjitha maskat ranë

 

Tash për tash nuk ka shumë rëndësi se si u demaskuan gënjeshtrat që shkuan nga Prishtina në Vashington, apo nga Vashingtoni erdhën si gënjeshtra në Prishtinë jo vetëm për antiamerikanizmin, por edhe se zgjidhje e vetme dhe e pranueshme për të dy palët ishte ndryshimi i kufijve, pra ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi territorial. Me këtë tash për tash po merren vetëm analistë të huaj dhe jo edhe ata kosovarë. Ajo që dihet është se diku për rreth 3 vjet kosovarët jetuan në një ankth për ndarjen e Kosovës në marrëveshjen finale me Serbinë dhe protagonist i këtij ankthi ishte Hashim Thaçi, i cili këtë ide për ndarje të Kosovës e trumpetoi për gati tri vjet, me gjithë faktin se në Kosovë ekzistonte bindje e thellë se idetë për ndarje të Kosovës mund të vijnë vetëm nga Beogradi dhe Moskva.

Sido që të jetë maskat ranë. Mirëpo, ky ankth i kosovarëve nuk ka përfunduar për derisa Kosova ka një qeveri të këtillë dhe një parlament të këtillë, që i mbajnë në grusht Isa Mustafa e Hashim Thaçi dhe sejmenët e tyre.

 

Dialogu me Serbinë me një qeveri shumë jostabile

 

Kosova në dialog me Serbinë shkon me një qeveri shumë jostabile, shumë të diskutueshme për legjitimet kushtetues dhe kredibilitet moral, si produkt jo i zgjedhjeve, por i kalkulimeve të ulëta politike të Thaçit dhe Mustafës, të cilët e rrëzuan ish-qeverinë në kohën e pandemisë së koronavirisit. Pasojat e rrëzimit të Qeverisë Kurti në kohë pandemie sot po i kthehen si shpërblim popullit të përvuajtura, me shifra nga 200 e më shumë të të infektuarve brenda 24 orësh, ndërsa numri i të vdekurve arrin edhe në 15-16 brenda 24 orëve në institucionet tona shëndetësore që u futën në kolaps me mos menaxhimin, ose keqmenaxhimin e pandemisë. Dhe si mund të jetë ndryshe, kur në kohë pandemie globale, Kosova ka në krye të Ministrisë së Shëndetësisë një ministër që nuk ka asnjë lidhje me shëndetësi. Konsideroj se Qeveria ilegjitime Hoti nuk ka mund t’u bëjë fyerje më të madhe mantelbardhëve, të cilët po e bartin barrën kryesore në luftë me pandeminë, se sa duke u nxjerrë përpara një ministër, të cilit sa i përket shëndetësisë nuk i beson as mëhalla e vet.

Vendi po rrezikon të shkojë drejtë katastrofës humanitare

Pandemia po bën kërdi, ndërsa vendi po rrezikon të shkojë në një katastrofë humanitare, sepse në nomenklaturën e pushtetit nuk ka më asnjë forcë autoriteti që mund të mobilizojë masën për diçka të shëndetshme e fatlume për popullin dhe për këtë shtet, sepse ata që në pushtet erdhën duke shkelur mbi autoritetin e sovranit kurrën e kurrës nuk mund të gëzojnë respektin e askujt, madje as të militantëve të vet.

Uroj që të gjallët që mbetën, të mos ua kanë lakmi atyre që përditë po vdesin, pas kolapsit ekonomik dhe rrënimit të çdo gjëje që mund të quhet organizëm shtetëror, sepse kapsit e pushtetit nuk do të lënë gurë pa lëvizur për ta mbajtur pushtetin edhe me PDK-në edhe me ndonjë forcë tjetër që mund ta nxjerrin nga naftalina, vetëm e vetëm për të qenë sa më larg pushtetit Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti