Në vitin 1908, në kohën kur shqiptarët po bënin përgatitjet e fundit për t’i dëbuar taboret e Azisë nga trojet shqiptare, në një qytet shqiptar të Ballkanit po mbahej Kongresi historik i Manastirit, në të cilin u vunë themelet e abëcësë së shqipes. Gjuha shqipe, e shkruar deri atëherë me alfabete të huaja (latin, grek, sllav, arab), filloi të shkruhej me alfabetin e vet të bashkuar, që kishte për bazë alfabetin me të cilin shkruheshin gati të gjitha gjuhët e Evropës, të këtij kontinenti me kulturë të lashtë, pjesë e të cilit ishte dhe është edhe populli shqiptar, ndër më të lashtit, mbase edhe më i lashti, jo vetëm në këtë pjesë të Gadishullit, por edhe në mbarë kontinentin.
Krijimi i alfabetit të bashkuar në ato vite të stuhishme të buzëmuzgut të perandorisë osmane, ishte një ngjarje historike dhe një fitore e madhe për popullin shqiptar, për gjuhën, për letërsinë dhe për kulturën e tij. Pas krijimit të alfabetit të shqipes, gjuha shqipe nuk do të shkruhej më me alfabete të huaja, por do të shkruhej me atë të vetin.
Edhe pse e ndarë (në dialekte e nëndialekte), gjuha shqipe do të vazhdojë të shkruhet me alfabet të bashkuar për afro 6 dhjetëvjetësha e gjysmë me radhë, deri në vitin 1972, kur u bë edhe një hap i madh drejt bashkimit.
Më 1972, në kohën kur një pjesë e popullit shqiptar po jetonte i veçuar në kështjellën e quajtur Shqipëri dhe i rrethuar nga “armiq” të brendshëm e të jashtëm (të brendshmit ishin – shqiptarë, të jashtmit ishin, po ashtu – shqiptarë, ngase kufirin perëndimor të Shqipërisë e lag deti, kurse matanë gjithë kufirit të Shqipërisë së sotme, nga veriu në jug rrojnë shqiptarët), në kryeqytetin e kësaj Shqipërie të cunguar u mbajt një kongres tjetër, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ose, thënë më drejt, Kongresi i Bashkimit të Gjuhës Shqipe (ndonëse shqiptarët, hiq dallimet e vogla dialektore, gjithmonë kanë pasur një gjuhë të vetme), në të cilin, për herë të parë në historinë e tij, populli i ndarë shqiptar do ta ketë një gjuhë të bashkuar, gjuhë të cilën do ta shkruajnë e do ta flasin të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, apo, siç thotë Kadareja i Madh, shqiptarët e Shqipërisë së parë (domethënë të Shqipërisë së sotme londineze), ata të Shqipërisë së dytë (shqiptarët që jetojnë në trojet e veta jashtë gjysmështetit shqiptar) dhe shqiptarët e Shqipërisë së tretë (pra, shqiptarët e degdisur në të katër anët e rruzullit).
Bashkimi i gjuhës shqipe në kohën kur shqiptarët në Evropën Juglindore i ndante Muri i lartë, i pakapërcyeshëm i Berlinit, ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Krijimi i alfabetit të shqipes më 1908 dhe njësimi i gjuhës më 1972 ishin një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm, sikundër që bashkimi I popullit të ndarë me dhunë është një proces i natyrshëm, i domosdoshëm e i pashmangshëm.
Edhe pas çlirimit të Kosovës më 1999 (me ndihmën e NATO-s), një pjesë e mirë e popullit shqiptar vazhdon të jetojë i pushtuar (në Serbi, në Maqedoni , në Mal të Zi e në Greqi), por përpjekjet për t’u bashkuar një ditë nuk do të reshtin kurrë. Gjuha e bashkuar e popullit të ndarë, nesër do të jetë gjuhë e bashkuar – e popullit të bashkuar. Ky është synim dhe ideal i mbarë kombit të ndarë shqiptar, që domosdo do të bëhet realitet.
Hajro HAJRA, Arizonë, SHBA