Themelimi i Federatës së Studentëve Shqiptarë në Zvicër, në kryeqytetin e shtetit helvetik, rezultoi me një tubim impozant, me të rreth 200 studentë, përfshi edhe ata që tash gëzojnë grada shkencore dhe punojnë në institucione të larta arsimore e shëndetësore
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Më 31.10.2015, në Universitetin e Bernës u finalizua, pas shumë përpjekjesh, synimi i kamotshëm i studentëve shqiptarë në shtetin helvetik- organizimi brenda një “çatie” të përbashkët. Në fakt, si formë e organizimit më të lartë u përzgjodh Kongresi i Studentëve Shqiptarë në Zvicër. Paraprakisht që themeluar sivjet në korrik Federata e Studentëve Shqiptarë në Zvicër, në kuadër të së cilës përfshihen pesë nga shoqatat ekzistuese studentore, kryesisht nga qendrat më të mëdha universitare.
Ky tubim i parë studentor, kishte tubuar rreth 200 studentë nga mbarë Zvicra, në mesin e tyre edhe disa nga ata që tashmë gëzojnë edhe tituj akademik, në nivel të doktorëve të shkencave, apo edhe mysafirë eminentë, që përbëjnë elitën e intelektualëve shqiptarë në shtetin helvetik, në disa fusha e sidomos në atë të mjekësisë.
Një befasi për të mirë
Edhe për ne që me vite nga përcjellim jetën e studentëve shqiptarë në Zvicër, ka qenë një befasi mënyra e mirë e organizimit të këtij tubimi të madh studentor. Vetëm gjatë punës së tij pamë se sa angazhim është bërë nga shoqatat studentore deri tek finalizimi, filluar nga shoqatat deri tek një çati që i bashkon ato.
Ndaj edhe një fjalë rasti, në mënyrë përmbledhëse përfaqësuesi i federatës, Nol Palushi ( student në Universitetin e St. Galenit), rreth strukturës organizative të kësaj federate si dhe idesë, qëllimit dhe organizmi u pa vetvetiu se sa i nevojshëm ka qenë ky organizim për studentët shqiptarë në Zvicër numri i të cilëve po shtohet dita ditës.
Nën një ombrellë, por me legjitimitet të pavarur
Më tej, Palushi, përkujtoi në fjalën e tij, se përfaqësuesit e pesë shoqatave studentore, pas mbledhjeve të njëpasnjëshme që nga fillimi i këtij viti, arritën që më 5 korrik të themelojnë Federatën e Studentëve Shqiptarë në Zvicër, gjë që këtë e verifikojnë edhe me nënshkrimet e dhëna nga vet përfaqësuesit e deleguar. Përmes një drafti-statuti të miratuar u përcaktuan edhe detyrat dhe obligimet e anëtarëve, gjegjësisht. Palushi përmendi se edhe vet federata përbën një shoqatë, por që i bashkon nën një ombrellë pesë nga shoqatat si pjesë të këtij organizimi (Shoqata e universitetet e Gjenevës, Fribourgut, Bernës, Cyrihut dhe St. Gallenit). Pjesë e këtij organizimi pritet të jetë eshë shoqata e studentëve shqiptarë të Universitetit të Lozanës, pas tejkalimit të disa çështjeve të organizimit.
Njohja, bashkëpunimi dhe faktorizimi
Ndër qëllimet kryesore është puna e përbashkët për afirmimin dhe faktorizimin e studentëve shqiptarë. Nisur nga interesat e përbashkëta për një kooperim dhe koordinim të punës së përbashkët, me qëllim që të faktorizohet roli i studentëve shqiptarë në kuadër të universiteteve zvicerane, por edhe që të thellohet bashkëpunimi me shoqata të tjera si brenda ashtu edhe jashtë shtetit helvetik.
Përndryshe Federata e Studentëve shqiptarë siç u tha në këtë kongres, në çdo aspekt është e pavarur, madje edhe financiarisht dhe se ka një legjitimitet të plotë demokratik, pasi përfaqësuesit e saj janë të zgjedhur nga vet studentët. Aktualisht kryesia përbëhet nga një anëtar prej secilës shoqatë, aktualisht prej 5 anëtarësh, me mundësi rritjeje, krahas shtimit të numrit të studentëve apo edhe të vet shoqatave.
Aktivitete shoqatash dhe arritje individësh
Më pastaj në këtë kongrese referuan përfaqësuesit e shoqatave studentore, duke shpjegua për aktivitetin e shoqatave që përfaqësojnë. Në emër të Shoqatës së Studentëve shqiptarë të Gjenevës foli studentja Kaltrina Ilazi, të Universitetit të St. Galenit- Argona Kajtazi, të Shoqatës “Studenti” të Universitetit të Cyrihut – Arbnora Aliu, të Bernës- Emsale Selmani dhe të Fribourgut Rilind Ajeti.
Ekspertë e ri, me arritje të larta
Po gjatë punës së këtij kongresi, pesë nga ish- studentët e universiteteve zvicerane, tash të ngritur në nivel të gradave shkencore, paraqitën nga një ekspoze (alumni, siç u tha) të shkurt për rrugëtimin e tyre studimor dhe punën që aktualisht bëjnë. Ishin këta Dr. Granit Molliqaj , Dr. Isaak Alimi , Faton Muslii, auditor i bankave dhe fondeve lokale e ndërkombëtare) Dr.sc. Driton Komani dhe avokati Armend Maleta. Paraqitja e këtyre ekspertëve të ri shqiptarë, për nga mosha, por jo edhe për nga arritjet e tyre vërtetë ishte më se mbresëlënëse, thuaja se brilante. E vetmja që u mungonte këtyre, ishte mos përfshirja e ndonjë femre të këtyre niveleve, gjë që nuk mungojnë, aq më parë siç u pa edhe nga vet ky tubim studentor, ku thuaja se gjysma i përkisnin gjinisë së femërore.
Nga stinorët deri tek akademikët
Në këtë kongres nuk u tha konkretisht se sa është numri i studentëve shqiptarë në nivel të shtetit helvetik, sepse një statistike e tillë është vështirë të sigurohet, por secili nga përfaqësuesit e pesë universiteteve përmenden se vetëm në kuadër të shoqatave të tyre janë anëtarësuar rreth njëmijë studentë, ndërkaq besohet se numri i studentëve shqiptarë në shkolla të larta e fakultete, përfshi edhe ata me korrespondencë mund të jetë edhe dy herë më i madh. Se pikërisht ky numër shkollarësh paraqet jo vetëm “krenarinë shqiptare”, siç jemi mësuar të dëgjojmë, por edhe një bazë të re, për ndryshimin e strukturës kualifikuese- shkollore të shqiptarëve në Zvicër, nga ata që dikur bënin punë të rënda fizike, në at që sot janë pjesë e institucioneve arsimore e shëndetësore, thënë me një fjalë të punës intelektuale. Me një fjalë , shqiptarët para tri-katër dekadash erdhën kryesisht si punëtorë stinor, për të arritur sot deri në nivele akademike, intelektuale, falë edhe kushteve të favorshme që u ofrojë populli dhe shteti helvetik.
Tubimi u përmbyll me një apero që e shtruan nikoqirët, studentët e Bernës me ata të Fribourgut.