Komunitetit shqiptar, aset tejet vital dhe urë lidhëse Kosovë- Zvicër   

Tash sa ditë në Zvicër me një varg manifestimesh u shënua 15 vjetori i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa më 23 Shkurt në Berna, ky jubile kulmoi me manifestimin qendror përmes një pritjeje nga ambasadori z. Sami Ukelli i cili në fjalën veçmas vlerësoi kontributi e madh të komunitetit tonë, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis dy shteteve dhe dy popujve.- Nga pala zvicerane përshëndeti zonja Livia Leu, Sekretare e Shtetit – Departamenti Federal i Punëve të Jashtme

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Salla e madhe e Kazinosë së Bernës, mbrëmjen e së enjtes dukej e vogël për të gjithë të ftuarit në manifestimin jubilar- 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga ambasadori Sami Ukelli.  Vet të pranishmit ishin edhe një dëshmi e rritës dhe zhvillimit tonë në shtetin helvetik: Jo vetëm në pikëpamje numerike por edhe shumë kualitative e dinamike. Mjaftonte të ia lëshonte njeriu syrin të pranishmëve dhe kishte për të pa në atë mes shumë kuadro të rritura e të shkolluara në Zvicër apo edhe të ardhur nga Kosova e trojet etnike e që sot gëzojnë një prestigj falë ngritjes profesionale në shumë fusha, deri në ato të gradave shkencore, por edhe të atyre që me talentin dhe shkathtësinë e tyre në fushën e sportit kanë bërë emër të mirë në këtë vend, duke afirmuar paralelisht edhe që të dyja vendet. Por pati edhe mjaft të atillë që sot janë pjesë e vetë jetës institucionale e politike zviceranë duke qenë të zgjedhur në sistemin e këtushëm delegues si në nivele komunale ashtu edhe kantonale.

Ndërsa ambasadori Sami Ukelli nga pozita e nikoqirit, duke iu drejtuar të ftuarve në gjuhën gjermane dhe shqipe  u ndalë në disa segmente, duke veçuar peshën dhe kontributin e mërgatës sonë për formësimin e shtetit të Kosovës përmes një rrugëtimi vështirë e të gjatë, duke qenë njëherësh edhe një aset i rëndësishëm por edhe urë ndërlidhëse me vet shtetin mik helvetik.

Ambasadori Ukelli këtë tubim e lidhi me dy ngjarje me rëndësi historike 15 vjetorin e Pavarësës së Kosovës por edhe 15 vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike me Konfederatën Helvetike. Ai theksoi se me një përulje duhet të nderojmë ata burra dhe ato gra që bënë sakrificën sublime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, falë edhe ndihmës së madhe të shteteve aleate e mike, në mesin e të cilave edhe ishte edhe Zvicra e cila ndër të parat njohu pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq çështjen e imazhit tonë të mirë të komunitetit n Zvicër ia dedikoi sidomos brezi të ri, të shkolluar e të ngritur në këtë vend por edhe të atyre që migruan më parë e që po japin rezultate të mira në shumë fusha të jetë ekonomike e shoqërore , e sidomos në fushën e afarizmit apo edhe të kulturës e sporteve.  Ambasadori Ukelli, përkujtoi se duke i kontribuar vendit ku jetojmë  i ndihmojmë në të njëjtën kohë edhe vet vendit të prejardhjes, ndërtimit të një Kosove të lirë demokratike. Fakti tjetër është se në këtë mënyrë po i kontribuohet edhe vet ngritjes së imazhit të mirë të Kosovës. Ai me këtë rast komunitetit shqiptar në këtë vend e cilësoi si aset i përbashkët, zhvillimor e integrues, nga i cili si edhe nga vet shteti zviceran pret një bashkëpunim edhe më të madh në rritjen e e marrëdhënieve ekonomike e tregtare në mënyrë që Kosova të zhvillohet edhe më shpejtë dhe të ndalet edhe vala migruese e të rinjve nga ai vedn që ofron shumë me pasuritë e madha natyrore që ka.

Po në këtë mbrëmje nuk munguan edhe përfaqësues diplomatik të vendeve të ndryshme, përfshi edhe diplomat dhe përfaqësues të organizimeve shtetërore e institucionale nga vet shteti helvetik, me prani edhe të sekretares së shtetit, zonjës. Livia Leu, Sekretare e Shtetit – Departamenti Federal i Punëve të Jashtme

, e cila edhe e mbajti një fjalë shumë domethënëse për lidhjet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy shteteve tona, duke e vlerësuar lart edhe kontributin e mërgatës si pjesë të pandashme e zhvillimore të vet vendit ku jetojnë e veprojnë.

Gjatë kësaj mbrëmje festive , ambasadori Ukelli shpërbleu me mirënjohje disa individë nga fushat e ndryshme në mesin e tyre edhe humanisten e njohur Valdete Hoti, me mirënjohje me motivacionin: „Për angazhimin e saj të palodhur në mbështetjen e komunitetit dhe promovimin e vazhdueshëm të barazisë tek diaspora shqiptare në Zvicër“.

Programi u përcoll edhe me një koncert muzikor të realizuar nga Shkodran Osmanaj dhe Leutrim Alij.