Kolosi, Antonio Belushi na pret me flamuj, libra e këngë arbëreshe

Të shkosh në Kalabri e të mos e vizitosh Atë Antonio Bellusci, gazetar–shkrimtar-pedagog dhe etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar dhe atdhetar i devotshëm, që si edhe më parë edhe kësaj radhe me motrën e tij Rinën na priti me këngë përplot mallëngjim. Madje edhe në këtë moshë kur ka mbush të 87-tat ndërsa e motra të 85- tatë. E veçanta e kësaj vizite ishte se krahas Bibliotekë madhështore A. Bellusci, që ruan një nga vlerat më të veçanta të kulturës sonë ndër shekuj, jo vetëm të botës arbëreshe, por edhe asaj shqiptare përgjithësisht e që brenda një viti e ka pasuruar edhe me tri vepra autoriale, ishte se kësaj here na dërgoj edhe te varrezat e Frasnitës, ku ka përgatit edhe varrin e tij me epitafe përplot peshë në shqipet.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Sidomos ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi se si të mos e nderojmë vëllain tonë arbëresh, kolosin e sotëm të kulturës arbëreshe, At Antonio Belushi, pasi që ai nga pozita e një misionari, politologu, intelektuali e atdhetari në ditët më sfiduese për popullin e Kosovës, në Departamentin amerikan u vu në mbrojtje të Kosovës, duke u  ballafaqua me klerikë serbë, që i denonconin shqiptarët si dhunues e vrastarë.

Kësaj radhe me 22 Gusht, në shoqërim të profesor Michele Greco deshëm At Antonio Belushin deshëm ta gjejmë në “befasi”, por ai derisa ia kishim mësyrë, shtëpisë së tij ku është i vendosur edhe thesari më i madh i kulturës shqiptare në këtë anë , Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci”, me mbi 6 milë libra, shumica nga to ekzemplarë të rrallë, aty e hasëm në rrugë duke shkuar në meshën e së dielës ndërsa që në kokë kishte kapelën me flamurin e Kosovës. Ndaj edhe për të ndejtur më gjatë me te, caktuam një termin gjatë pasdites, kur edhe si zakonisht hasëm në një mikpritje më se të përzemërte vëllazërore, ndërsa që motra Rina, ndonëse me kukëza dhe në moshë të shtyrë na kishte përgatit edhe kafe, duke e përcjellë edhe me një këngë derisa na shërbente.

Ndërsa që edhe vet, Atë Belushi, as kësaj radhe nuk na lëshoi pa dhurata e atë që për ne ishin më të çmueshmet, ishin dy librat e tij të fundit, të përgatitura së bashku me studiuesen Ornela Radovicka. Me një vlerë kapitale është sidomos “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe” i autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka, ku për herë të parë gjejmë informacione mjaft të hollësishme mbi ngulimet arbëreshe mbi sfera të larmishme të organizimit të jetës materiale, sociale e shpirtërore të komunitetit arbëresh në Itali e që është botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), e cila siç dihet edhe me botimin e veprave të tjera objektiv kryesor ka studimin dhe promovimin e kulturës arbëreshe.  

Edhe disa rreshta për vet mikpritësin tonë, intelektualin dhe atdhetarin Antonio Belushi (Bellusci), të cilin deri më tash e kam vizituar mëse pesë herë dhe përherë ka qenë motiv për mua duke më shtuar dashurinë për arbëreshët por edhe duke më dhënë energji që ti rrekem edhe më me ngulmë vizitave nëpër katundet arbëreshe për të pa nga afër pozitën e sotme të këtij komuniteti të shkëputur nga toka mëmë që edhe pas afro gjashtë shekujsh e ruanë të gjallë gjuhën dhe ritet e zakonet e të parëve.

Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” – një thesar i vërtetë

Do theksuar se Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” në Frasnitë të Kalabrisë themeluar nga vetë Belushi, paraqet një thesar për mbarë kulturën shqiptare. Aty gjenden mbi 6 mijë libra, vepra të rralla të autorëve tanë e të huaj, me tematikë të zgjeruar nga kultura, gjuha dhe tradita shqiptare. Këtë pasuri me vlerë kapitale e ka tubuar ai ndër vite,.

Biblioteka prej vitesh është kthyer në një vatër të vërtetë jo vetëm diturie e kulture, jo vetëm për botën shkencore shqiptare, por edhe vend peligrinazhi sidomos për studentë e studiues jo vetëm shqiptarë.  Pra,  Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” është bërë edhe një lloj pelegrinazhi për shqiptarë nga anë të ndryshme të botës, ndërsa autori i saj, një politolog dhe një atdhetar që u vu në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës edhe në Departamentin amerikan, ku iu desh të ballafaqohej edhe me klerikë serbë, që i denonconin shqiptarët si dhunues e vrastarë, motivon përherë për punë kreative studimore.

Krenari që bota shqiptare ka një kolos të tillë

Kur kësaj ia shtojmë edhe mikpritjen shembullore të At Antonios, i cili që bashkë motrën tij Rina , na pret e përcjell sa herë që e vizitojmë jo vetëm me këngë por edhe me lot gëzimi e mallëngjimi, emocionet edhe ne adhuruesve të tij na bëjnë të ndihemi krenar që bota shqiptare ka një studiues të kalibrit të tillë të lartë.

Derisa vizitojmë bibliotekën Belushi shpalos libra në gjuhë dhe fushash të ndershme studimore e sidomos ato në shqip. Fakti është se në raftet e rregulluar me shumë kujdes ka mbi 6 mijë libra dhe disa qindra revista e gazeta të sistemuara flet vetvetiu se ç ‘thesar ka arrit të tubojë të ruaj, por edhe të studijë Belushi.

Frasnita në rrugë e në këngë e valle frymon shqip

Përndryshe sa i përket katundit Frasnitë ( sepse në Kalabri fjala «fshat» nënkupton më shumë një lagje), që i përket dioqezës së Ungrës në Provincën e Kozencës, e që ka mbi 2500 banorë dhe disa objekte kulture, nga të cilat shquhet biblioteka dhe muzeu i kukullave. Në të ruhen modelet e veshjes së lasht arbëreshe. Edhe në Frasnitë, busti  i Skënderbeut dhe shqiponja janë të skalitura edhe në zemër, edhe në monumente. Një trevë kjo e autoktonisë së gjakut tonë të shprishur, siç thuhet këtu, e që ende sot e kësaj dite dëshmon praninë arbërore këtu e gati gjashtë shekuj më parë, të zhvilluar e kultivuar ndër shekuj edhe përmes gjuhës edhe traditës.  Ndaj edhe këtë trashëgimi shekullore, Antonio Bellusci vetëm se e ka ngrit edhe më në piedestal me veprën e tij jetësore të regjistruar edhe në librat e shkruara e botuara nga dora e tij.  Edhe emërtimet, toponimet e rrugëve kudo në dy gjuhë: italisht e shqip.

Një paralele midis arbëreshëve dhe arvanitasve

At Antonio në një intervistë thotë se: “ Ne arbëreshët në Itali dhe arvanitasit në Greqi, që ka shekulli XV deri sot, jetojmë si kulturë gojore, dmth pa mësimin zyrtar e gjuhës amtare shqipe. Kushtetuta italiane rinjeh mbrojtjen e pakicave historike linguistike dhe në vitin 1999 shteti italian bëri një ligj ku mësimi i arbërishtes  në katundet arbëreshë është fakultativ jo i detyrueshëm. Dhe kështu s’u bë asgjë, dhe jemi me dy këmbë te varri.

Kushtetuta greke njeh dhe mbron vetëm pakicën turke. Arbëreshët dhe arbëroret janë një popull i shpërndarë nga Mëmëdheu, që jeton ditë për ditë identitetin e tij etnik shqiptar vetëm me zemër dhe me veprimtari duke përdorur gjuhën arbëreshe gojore, pa shkuar në shkollë për mësimin e alfabetit shqiptar.

Kështu ndodhet ka më shimë se 500 vjet. Një fenomen shumë i rrallë! Ata pak ndër nesh që dimi të kuptomi dhe të shkruami në gjuhën letrare shqipe kemi shkuar çdo vit në Universitetin e Prishtinës në Seminarin për të huaj. Edhe unë shkova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976 në vitet të tjera. Kjo do t ‘thotë se kultura arbëreshe vdes ditë për ditë, dhe nuk mund të trashëgohet mirë si më përpara.

Mbi të gjitha dashuria e madhe për gjuhën arbëreshe

Më tej Antonio që sot ka mbush të 87-tatë potencon se: “Dashuria e madhe për gjuhen arbëreshe dhe për zakonet dhe vlerat tona shpirtërore dhe kulturore, që në vitin 1958 me përkrahjen  e prof. Ernest Koliqit, më  futi në kulturën materiale dhe gojore dhe në kërkesat në terren të kulturës analfabete arbëreshe në Itali dhe arbërore-arvanite në Elladhë (Greqi), duke intervistuar vetëm arbërisht  gra e burra pleq, punëtorë, bujk, çobanë mbi punën e jetën e tyre të përditshme, duke  regjistruar të gjitha në manjetofon: Materialin e kam studiuar, sistemuar, shkoqitur dhe  botuar në revistën “Shejzat”, në “Studime Filologjike”, në “Zgjimi”, dhe pastaj në libra, veçanërisht puna në vek, puna blegtorale, zakonet mbi vdekjet.

Njerëzit shkojnë dhe vdesin por kultura e çmuar  e tyre qëndroi kështu e kodifikuar, dhe qëndron e pavdekshme si trashëgim në brezat e ri arbëresh. Kjo punë më mbajti gjithmonë  lidhur me popullin dhe me kulturën e tij në shumë troje dhe situata të ndryshme”.

Krejt në fund, do shtuar se asnjë nga epitetet nuk do të mjaftonin të thuhet se cili vërtetë është personaliteti i Belushit, por ajo që mund të themi dëshirojmë që ai të ketë shëndetin dhe vullnetin edhe për vepra të tjera kapitale në të mirë të kombit e kulturës shqiptare.

( Të gjitha fotot janë origjinale , që kam shkrep në shtëpinë- bibliotekë të Anatonio Belushit e kësaj radhe edhe te varrezat e fshatit ku prehen paraardhësit e familjes së famshme Belushi.)