KMDLNJ: 3 policë tëë plagosur, njëri në rrezik për jetë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut KMDLNJ, ka reagur lidhur me operacionin e njësisë ROSU në komunat veriore të Kosovës, ku ka dënuar rëndë dhunën e përdorur nga qytetarët serb ndaj Policisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar që këta persona të sillen sa më parë para drejtësisë, ndërsa ka bërë gjithashtu të ditur se janë tre policë të lënduar, njëri prej të cilëve gjendet në rrezik për jetë.

Ky është reagimi i plotë i KMDLNJ-së:

“TRE POLICË TË PLAGOSUR NË VERI TË KOSOVËS!

Sipas informatave të Q. R të KMDLNj-së në Mitrovicë , që nga ora 5:00 njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dhe ndaluar 30 persona, kryesisht policë të Kosovës të uniformuar të përkatësisë etnike serbe.

Në mesin e të arrestuarve ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë. Strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada. Deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë (shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjindet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë. KMDLNj e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur.

Për dallim nga herat tjera , përgjigja e qytetarëve serbë për mobilizim ka qenë shumë më i vogël.
KMDLNj e dënon ashpër dhunën ndaj policëve të Kosovës nga grupe dhe individë të armatosur që deri më tani kanë qenë të paprekshëm.
KMDLNj kërkon që ata që plagosën policët e Kosovës sa më shpejt të sillen para organeve të drejtësisë. Deri në momentin e raportimit aksioni i policisë është duke vazhduar”.