A e dini ku gjendet Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë? Ajo ndodhet në fshatin Stubëll e Epërme të Komunës së Vitisë. Në fakt bëhet fjalë për Kishën e Shën Gjergjit, që shërbeu si shkollë shqipe. Historiku i saj është më i hershëm sesa koha e emërtimit të saj.
Thuhet se si shkollë shqipe është hapur më 19 qershor 1886. Mirëpo Kolegji i Shën Lukës, kishte filluar punën qysh në vitin 1584. Veprimtaria edukativo-arsimore si shkollë e parë shqipe e mirëfilltë është zhvilluar që nga viti 1868 me mësues Dom Mikelin. Ndërsa nga Austro-Hungaria është zyrtarizuar në vitin 1905, po ashtu, me mësuesin Dom Mikel Tarabulluzin.
Kisha e Shën Gjergjit, ndryshe e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë është ndërtuar në terren të pjerrtë. Aty formohen bodrumi dhe përdhesja. Hyrja për bodrumin ku është e vendosur salla e lutjeve bëhet nga ana jugore, nëpërmes dy hyrjeve të veçanta, njëra për priftërinjtë e tjetra për besimtarët. Salla ka tri dritare në ballin jugor dhe dy të tjera në atë lindor. Absida gjendet në murin verior, pranë së cilës ndodhet edhe altari. Nga hyrja e priftërinjve, salla ndahet me dy shtylla, të cilat mbajnë një mur në formë harku, ndërsa një ndarje tjetër ndërmjet altarit dhe pjesës tjetër të sallës është improvizuar me dy shtylla pa kapitel.
Altari dhe tryeza e altarit janë veshur me gurë të përpunuar. Hyrja në përdhese bëhet nga porta që është në perëndim, ku gjendet edhe hajati i vendosur në tri shtylla. Vetë hajati ka një formë të gjysmërrethit, në dukje një absidë nga perëndimi. Në përdhese ndodhen disa kthina, të cilat kanë shërbyer për nxënësit si dhoma mësimi, për udhëheqësit fetarë të kishës dhe njëkohësisht udhëheqës edhe të shkollës. Ndërtesa është e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror. Mbulohet me kulm dy ujor, që përcjell tërë planimetrinë. Në pjesën perëndimore është e ngritur kambanorja me bazë katrore, e mbuluar me kulm katër ujor. Fasada ka trajtim të thjeshtë linear, është e suvatuar dhe e ngjyrosur.
Stublla vazhdon ta nderoi mësuesin e drejtorin e kësaj shkolle
Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. Për më tepër se 30 vite rradhë në Stubëll organizohet manifestimi letrar ‘Ditët e Dom Mikelit’. Aty mblidhën letrar, poet, studies, nxënës e mësimdhënës. Përmes letërsisë e fjalëss së shkruar ata i kujojnë vështirësitë e të mësuarit në gjuhën shqipe dikur.
Mendohet se në vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza. Libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin 1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është ‘Doktrina e Krishterë’, botim i vitit 1877. Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të ngjashme sikur sot. Këtë e dëshmojnë edhe librat ‘Numeratore’, ‘Këndime për shkollat e para të Shqipërisë’, ‘Këndimet e çunave’ por edhe abetarja shqipe e vitit 1886, e botuar në Bukuresht. Kisha e Shën Gjergjit paraqet një monument me rëndësi të veçantë historike, shoqërore e kulturore
Ky shkrim u bazua në informacionet e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi
Kulturore, fotot marr nga google.