Kisha e Ristozit në Mborje, rrethi i Korçës

Kisha e Ristozit është një monument i trashëgimisë kulturore në Mborje, rrethi i Korçës, në qarkun e Korçës, Shqipëri . Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “586 e 4874” më “17.03.1948, 23.09.1971”. Kisha i dedikohet Shën Mërisë.
Ajo është një nga objektet e kultit që është ndërtuar më herët në Ballkan. Ka disa versione për kohën e ndërtimit të saj. Sipas njërit prej versioneve, kjo kishë është ngritur në vitin 896 nga Shën Klementi, ndërsa në një version tjetër flitet për gjysmën e shekullit të XIV-të. Kisha është ndërtuar në rrëzë të malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse.

Territori ku është ndërtuar kjo kishë gjendej në këta shekuj në Principatën e Muzakajve. Klasa feudale drejtonte ekonominë dhe jetën politico-shoqërore të vendit. Në vitet 1389-1390 ai që dha të hollat për ndërtimin e saj ishte peshkopi Nimfoni. Kisha e Ristozit është një kapelë mjaft piktoreske nga trajtimi i jashtëm dhe proporcionet e goditura. Ajo bën pjesë në grupin e kishave me kryq të brendashkruar pa mbështetje të brendshme. Hapësira qendrore e saj është naosi, i cili ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë, një nefshë, dhe me kupole. Ai komunikon me ambientin shtesë (hajatin) me anë të dy portave të hapura, njëra në murin jugor, e tjetra në atë perëndimor të naosit. Lartesia e pikës më të lartë është 7.5M.

Në 2015 kisha iu nënshtrua një vepre mirëmbajtjeje pasi rrezikonte shëmbjen