‘’Këngët e lirisë’’ të Nazmi Hajdarit- pjesë e epikës tonë të re

 Rapsodi Nazmi Hajdari nga Jezerci i Ferizajt, një figurë dimensionale, pos si këngëtar dhe instrumentist i veglave folklorike, përfshi edhe lahutën, që njihet edhe si pasues i denjë i këngës sonë epike heroike, së voni doli edhe me botimin ‘’Këngët e lirisë’’, që sipas redaktorit Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri: pasqyron gjakimin e përpjekjet njëshekullore për çlirim nga sllavët e Jugut.- Nazmiu është tejet aktiv edhe në festivale e manifestime mbarëkombëtare, duke qenë edhe anëtar i grupit folklorik të AKV «Kastriotët» të Ferizajt

Nga Rexhep Rifati

Regjioni i komunës së Ferizajt shquhet me disa rapsod eminentë që jetuan dhe vepruan në këtë anë, përfshi Sadik Coklin apo edhe Rizah Bllacën një pjesë të mirë e kaloi në Komunën e Ferizajt e gjithashtu pati një instrument të shquar të veglave folklorike siç ishte Beqir Prelezi, njëherësh edhe punues i mirë i këtyre veglave. Në vargun e këtyre rapsodëve të ditëve të sotme që ka bërë emër jo vetëm në këtë anë, por edhe në anë të ndryshme të Kosovës por edhe të trojeve etnike është rapsodi Nazmi Hajdari, nga Jezerci i Ferizajt i cili së voni nxori edhe një botim tejet interesant me titull, ‘’Këngët e lirisë’’, për të cilin libër redaktori i saj etnologu i eposit tonë Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri,  shkuan se: «Nazmi Hajdari, që nga rinia e hershme, i rritur me ndjenjën për lirinë, demonstrant i brezit të famshëm ’81, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare, jurist, rapsod e lahutar, është edhe pasues i denjë i këngës epike heroike të këtij vendi. Ai vazhdon traditën e gjatë familjare të mikpritjes në Jezerc, vendbanim ndër më të bukurit që i ka krijuar natyra pranë Rrafshit të Kosovës.»

Më tej Zymeri nënvizon se  ‘’Këngët e lirisë’’ është titull i mendur gjatë, i menduar mirë nga autori. Titull i qëlluar, sepse përfaqëson përmbajten e tij, dëshmon gjakimin e përpjekjet njëshekullore për çlirim nga sllavët e Jugut. Por, simbolizon edhe flijimin e disa brezave, në gjashtë shekujt e fundit, nga Beteja e Parë e Kosovës, më 1389, si dhe të tjerat në vijim, deri te këto të fundit, më 1999…»

E rëndësishme është se sipas redaktorit të librit: «Kënga e Nazmi Hajadrit e forcon traditën tonë muzikologjike, ofron disa lloje të këndimit të këngëve tona epike, që tashmë janë tradicionale, sjell risi, bashkëdyzon sharkinë e çiftelinë me lahutën dhe i bashkon shembujt e përdorimit të veglave tona popullore. Zëri i tij epik kumbon thekshëm, por ka edhe ëmbëlsi të përjetimit artistik. Pamjet poetike i ndërton sipas skemës tradicionale, me figuracion të përdorun me mjeshtëri, sidomos krahasimin e simbolin»…

Dhe si përfundim redaktori i librit jep këtë vlerësim me shumë kopetencë profesionale se. : ‘’Këngët e lirisë’’ të Nazmi Hajdarit tashmë janë pjesë e epikës sonë të re. Dhe, dihet se pa epikën nuk bëhet jeta e një populli, si ky yni. Pa epikën nuk do ta kishim një armë aq të fuqishme kundër robërisë, siç ishte kjo e jona, deri në luftën e UÇK-së. Pa epikën nuk do të kishim vlera poetike, që na e kanë lakmi edhe popujt e mëdhenj».

Edhe publicisti e gazetari dhe autori i disa përmbledhjeve poetike Xheladin Rexhepi i bënë një shqyertim të shkurtër por analtik kësaj vepre , duke theksuar se : Rapsodi që i jep zë e shpirtë traditës së këngës folklorike, gjë që: “ Mbi këtë bazë është rindërtuar edhe vargu dhe melodia e këngëve të rapsodit tashme të njohur nga Jezerci i Ferizajt, Nazmi Hajdarit. Frymëzimi artistik i Nazmi Hajdarit ka vjelur dhe ndërtuar, kënduar dhe risemantizuar si rapsod, i grishur nga gurra e pashterrshme e folklorit shqiptar, i vetëdijshëm, se kjo pasuri me vlera botërore meriton të ruhet dhe pasurohet pavarësisht rrethanave të kohës. I lindur dhe rritur në një ambient malësie (fshatin Jezerc me traditë pleqnie, heroizmi dhe kënge) Nazmi Hajdari, gjethin e ahut, fyellin e bariut, telin e lahutës, qiftelisë e sharkisë i bëri faqe të shkruara libri dhe historie, duke i përjetësuar në art heronj dhe ngjarjet historike nga më të rëndësishmet. Lajmotiv i këngës së tij, të shkruar dhe interpretuar është sakrifica sublime e lirisë, ata që për atdhe dhanë më të shtrejtën, jetën e tyre, në rini. Nazmi Hajdari me dashuri dhe frymëzim të veçantë u ka kënduar heronjëve të përvetshëm nëpër histori, deri te pishtarët e UÇK-së, shumë nga të cilët e ka njohur dhe i ka pasur bashkëveprues, pa harruar edhe mësuesit, dhe atdhetarëve të shumtë që u tretën burgjeve, vetëm pse ëndërruan të shkruajnë gjuhën e tyre, ti mësojnë dhe edukojnë brezat e rinj, të pnojnë pa kursim me qëllim që edhe njeriu i tyre të përjetoi lirinë, prosperitetin dhe vlerat civilizuese e humane si gjithë të tjerët. Nazmi Hajdari në artin e tij të shkrimit dhe interpretimit muzokor, me këngën sikur nuk ka dashur të bëjë eksperiment, duke ruajtur me gjelozi metrikën tradicionale, të folmen gjuhësore, me nuanca dialektore dhe nëndialektore, me qëllim, vetëm për të frymuar si vlerë e pandarë nga mjedisi që e rrethon. Kjo buqetë këngësh e Nazmi Hajdarit, konceptuar si libër, gjithësesi do ta ketë lexuesitë e vetë, të cilët kanë çka të mësojnë dhe trashigojnë nga këto vlera, që nuk vyshken kurrë, bazuar në folklorin dhe traditën e këngës rapsodike shqiptare.. Këtij parafrazimi përmbledhës për këngët e Nazmi Hajdarit, në vend të hyrjes, sikur më së miri i shkon, fraza e njohur shqiptare : “Vaji i burrit është kënga….” Nazmi Hajdari këndoftë gjithëmonë!,- me këtë urim e përmbyll vështrimin e tij kolegu Xheladin Rexhepi.

( Për këtë shkrim janë shfrytëzuar fotot nga Fb i Nazmi Hajdarit, kryesisht nga promovimi i librit, si dhe disa foto që i kam shkrep në festivalin “Rapsha 2022”, ku Nazmiu mori pjesë me grupin e “Kastriotëve” ferizajas).