Nga mbi 30 katunde arbëreshe, sa kam vizituar në Italinë e Jugut, pa mëdyshje Çifti (It.:Civita) në Kalabri, që shquhet me një konfiguracion të rrallë natyror, e madje edhe me shtëpi që kanë sy e gojë ( !), por edhe me manifestimin disa shekullor: “Festën e Valleve”, dhe me artistë vendas: këngëtarë, muzikantë, piktorë e valltarë që e bëjnë këtë ambient edhe më kulturor, fisnik e turistik
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Në shkrimin e sotëm kushtuar katundeve arbëreshe kam radhit Çiftin/Civita në Kalabri, të cilin ndonëse e kam vizituar disa herë, asnjëherë nuk ngopesh së vizituari si për shkak të konfiguracionit natyror ashtu edhe bujarisë së vëllezërve arbëresh që prej shekujsh kanë ruajtur traditën, gjuhën, zakonet e ritet e të parëve, duke i avancuar e përparuar përmes grupeve dhe shoqatat artistike që jetojnë e veprojnë këtu prej vitesh.
Përndryshe katundi, Çift apo Civita, i përket dioqezës së Ungrës dhe ka mbi 2 mijë banorë, si dhe një konfiguracion të jashtëzakonshëm natyror të rrethuar me shkëmbinj, ndërsa në brendi dallon me lagje disa shekullore, disa nga to edhe mbi shkrepa. Është një nga vendbanimet më të veçantë arbëreshe, që joshë shumë turistë vendas e të huaj, e që në hyrje të tij ju pret një shqiponjë prej gipsi.
Këtë katund dhe atë Frasnita në fqinjës, bashkë me Maqin e De Radës e Shën Mitrin i kisha vizituar gjysmë shekulli më parë, derisa isha absolvent në Albanologjikun e Prishtinë, e herën e dytë, më 16 Mars 2015, bashkë me një grup prej 55 studentësh shqiptarë nga Zvicra, në dyja rastet por edhe më vonë me mërgimtarë nga Zvicra, pafshi këtu edhe një grup të motoristëve “Shqiponja”, gjithsej pesë vizita, ndërsa e gjashtë vjet dështoi shkaku koronës. Gjatë vizitës me studentë krahas shumë grupeve artistike nga mbarë Italia e Jugut, takuam edhe grupin artistik vendas në krye me, Mimmo Imbrogno të cilin pastaj bashkë me grupin “Vëllezërit Arbëresh»
pata rastin ta takoj edhe në Zvicër e Francë.
Pak histori nga e kaluara e Çiftit
Mësojmë se katundi arbëreshë Çifti, në provincën e Kozencës në rajonin e Kalabrisë, se para ardhjes së arbëreshëve ka qenë i populluar me italianë dhe në Mesjetën e Hershme, që në vitin 1040, në dokumente gjendet i emërtuar Castrum Sancti Salvatoris. Porse pas një shuarje të përkohshme të jetës më 1443, pasojë e luftërave, qyteza rishfaqet e gjalluar me disa shtëpi në vitin 1471.
Studiuesit arbëreshë janë të mendimit se jeta rilindi prej ardhjes së tyre. Duke filluar prej vitit 1500 e më pas qyteza e rinis jetën me emrin Civita apo qifti në arbërisht, i cili është përdorur shumë shekuj më parë që nga mbërritja e arbëreshëve. Civita është fjalë e gjuhës vendase. Ky emërtim për ta donte të thoshte, çift, pra skifter. Dhe duke qenë se arbëreshët e Çiftit me skifter nënkuptojnë shqiponjën nuk të lënë shteg të gjesh rrugëdalje tjetër veç t’i bindesh arsyetimit se vendbanimi i tyre e ka emrin origjinal Shqiponja. Kështu deri sot për banorët e tij Çifti është foleja e shqiponjës. Ndërsa që gjatë vizitës tonë kemi parë edhe shqiponja mbi shkrepat e këtij katundi, që tashmë k marrë pamjen e një qyteze shumë simpatike.
Muzeu etnografik dhe revista “Katundi ynë”
Gjatë dy-tri vizitave , kam pas rastin të vizitoj edhe muzeu etnografik arbëresh, i cili ruan edhe sot e kësaj dite gjëra dhe momente të familjes se hershme arbëreshe. Muzeu praqet edhe një kujtim të respektueshëm mbi punën e përditshme të të parëve, përfshi orenditë shtëpiake, veglat bujqësore, kostumet, por edhe foto të ngjarjeve dhe manifestimeve të ndryshme, kulturore, arsimore e fetare. Ky muze etnografik u themelua 54 vjet më parë, gjegjësisht më 25 maj 1967, ndërsa që veshjet që janë ekspozuar aty datojnë me një lashtësi mbi 100 vjeçare.
Gjatë vizitës me studentët nga Zvicra, Demetrio Emanuele drejtori i muzeut, por edhe themeluesi i revistës gjithëpërfshirëse të arbëreshëve “Katundi ynë”, na foli si për historikun e muzeut dhe artefaktet që ruan ai, por edhe për vet revistën që paraqet një lloj kështjelle të identitetit arbëror. Revista “Katundi Ynë” botohet njëherë në tre muaj me një tirazh prej 3500 kopjesh dhe pos në Itali shpërndahet edhe në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Jo pak prej saj shkojnë deri edhe në Amerikën e Jugut.
Revista me jetë katërdekadëshe nuk e ka ndërprerë publikimin asnjëherë, as nuk e ka shtyrë atë. Botohet me rregullin e një ore zvicerane edhe pse financat e saj jo vetëm nuk janë të pasura, por e rrezikojnë çdo çast.
Kujtesa për Skënderbeun në monumente e valle
Në hyrje të sheshit të Çiftit të pret busti i Skënderbeut por edhe një murale e bukur ngjitas Bashkisë së qytetit ku krahas flamurit italian valëvit edhe ai shqiptar. Krahas monumenteve kushtuar Kastriotit është edhe një kështjellë me emërtimin Kështjella e Krujës, sepse besohet se këtu të parët erdhën nga Kruja legjendare. Kryetrimi ynë pos në monumente kujtohet edhe përmes fitoreve të tij, sidomos asaj kundër Ballaban Pashës, ndaj për festën e Pashkëve në mënyrë të organizuar mbahet manifestimi madhështor disa shekullor, “Festa e Valles”, ku nga gjitha fshatrat arbëreshe zbresin me dhjetëra grupe artistike duke i dhënë pamje qytezës pamjen e një spektakli të madh popullor.
Katundi Çifti në Kalabri, qyteza më e bukur e Kalabrisë
Çifti konsiderohet si qyteza më e bukur e Kalabrisë, veçanërisht për kanionin, mbi të cilin ngrihet Ura e Djallit. Legjenda flet për një pakt të ndërtuesit me djallin, i cili prishte natën atë që ndërtohej ditën. Mjeshtri premtoi se do t’i jepte djallit të parin që do të kalonte urën pas ndërtimit, por e mashtroi duke i kaluar një cjap. Djalli nga dëshpërimi u hodh nga ura dhe krijoi honin e thellë të kanionit poshtë urës. Edhe gjatë vizitës sime të fundit me artistin e valleve shqipe nga Zvicra, Sherif Dakajn, patëm rastin të shohim përgjatë kanionit dhi të egra, ndërsa që kjo lidhet edhe me legjendat e këtushme.
Emra të njohur historie e kulture
Çifti, si edhe disa nga katundet arbëreshe shquhet edhe me emra të njohur nga a kaluara. Sidomos, janë pasardhësit e gjeneratave të tëra të intelektualëve që ka nxjerrë kjo qytezë e vogël: Xhenaro Plako, pjesëmarrës në kryengritjen e Kalabrisë të vitit 1848, të udhëhequr nga arbëreshi Dominik Mauro, dhe Garibaldin i orëve të para, por edhe Kostantin Mortati, një nga hartuesit e kushtetutës së sotme italiane.
Artistët, që e bëjnë Çiftin edhe më tërheqës
Gjatë qëndrimit disa ditor në mars 2019, në pjesën e Kalabrisë mora pjesë edhe në hapjen e një ekspozite në Çifti ( Civita), ku artistët arbëresh Franceska Gipia, Mario Talarico dhe Guetano Lo Tufo, përmes brushës së kishin nxjerr tablo nga fshati i tyre magjeps, jeta e njerëzve në te, por edhe punime kushtuar Gjergj Kastriotit e Ibrahim Kodrës, ky i fundit edhe për artin e tij kubist ka përzgjedh pikërisht shtëpitë karakteristike të këtij katundi.
Do të iu preferoja gjithë piktorëve, pavarësisht se ku jetojnë në trojet etnike apo në mërgatë që të vizitojnë katundet arbëreshe, sepse njerëzit tanë të një trungu, gjuhe e gjaku, mund të jenë frymëzim i përhershëm për krijime, sidomos në fushën e artit pamor. Në këtë mënyrë jo vetëm që do ti forconim urat e komunikimit, por edhe do të forcoheshin edhe të bashkëpunimit të dyanshëm duke këmbye grupe artistësh në dy anët e Adriatikut.