Kalorësi i Kulturës

U shua Moikom Zeqo. Poeti, prozatori, skenaristi, shkencëtari, arkeologu, eseisti, publicisti, piktori… Studiuesi dhe mendimtari Moikom Zeqo. Ai që këto dije dhe pasione i ka derdhur në dhjetra botime. Kështu na shfaqet Moikom Zeqo në të gjitha imazhet e tij që qarkullojnë në medie: Në mesin e pirgjeve të librave dhe së fundmi me një mjekër të bukur prej mendimtari.

Moikom Zeqo prej kohësh luftonte me dinjitet të paparë me një lëngjyrë. Po vdekja, ka thënë një shkrimtar i madh, nuk është pikëndarje, ajo është një pikëtakim. O ç’ka për të takuar Moikom Zeqo atje ku ka vajtur! Ka për t’u takuar me njerëz të zemrës dhe të mendjes. Me idhuj dhe personazhë. Do t’i takojë Homerin dhe Fishtën, Bodlerin dhe Lasgushin, Servantesin dhe Agollin…

Moikom Zeqo iku pa homazhet që i ka hak! Opinioni shqiptar është okupuar nga debati për Reformën Zgjedhore! Ai nuk ka nge të merret me Moikom Zeqon. Duhet gjetur shtigjet për të krijuar përparësi në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, thelbi i tërë debatit për Reformën Zgjedhore është si të shmanget përfshirja e personazhëve të krimit në Kuvend. Se kësaj pune nuk po i bën derman as Ligji për Dekriminalizimin.

Në këto homazhe nuk spikati Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai i cili nuk lë rast pa u dukur në publik. Aq më tepër që Moikom Zeqo në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Kuvendit të Shpipërisë. Deputet i Partisë Socialiste në atë Kuvend! Po Kryetari i tanishëm i partisë së tij ka të tjerë miq. Kush nuk e sheh dallimin? Kush nuk e sheh si është katandisur Kuvendi i Shqipërisë? Si është katandisur Partia Socialiste?

Moikom Zeqo ishte nga sëra e deputetëve (të Partisë Socialiste) si Drtitëro Agolli dhe Vath Koreshi, të cilët u shuan gjithashtu pothuajse në heshtje. Me deputetë të tillë nuk themelohet fap-fap Mini-Shengeni, të cilin Moikom Zeqo e denoncoi që në rrëzë të debatit. Me deputetë të tillë nuk mund të shembet Teatri Kombëtar, siç u shemb. Nuk mund të ndodhte ndryshe: Moikom Zeqo e dënoi këtë vepër të mbrapshtë.

Gjurmët e këtyre deputetëve janë zhdukur në Kuvendin e Shqipërisë. Si puna e Dritëro Agollit, Vath Koreshit, Moikom Zeqos dhe shumë të tjerëve nga Partia Socialiste. Por edhe ato të Bardhyl Londos dhe Besnik Mustafajt dhe shumë të tjerëve nga Partia Demokratike. Nëse ndonjë nga soji i këtyre ka ngelur në Parlament, ai është një specie shumë e rrallë në këtë xhungël dhe është degdisur në margjina.

Ligjin në Kuvend tani e bëjnë deputetë që – sikurse thuhet dhe siç duket vërtet – e kanë blerë mandatin dhe deputetë që ua kanë blerë mandatin. Intelektualët e Kuvendit janë ca doktorë shkencash me plagjiatura. Deputetë me emër dhe mbiemër akuzohen se disertacionin e tyre e kanë të vjedhur. Plagjiaturë! Dhe jo vetëm doktoraturën, ndonjëri a ndonjëra denoncohen se e kanë të vjedhur edhe masterin.

Deputetët e Partisë Socialiste vijnë pothuajse përnjë nga bota e biznesit. Deputetët e partisë, e cila do të kujdesej për shtresat e joprivilegjuara të shoqërisë, janë me shumicë milionerë. Që dihen dhe që s’dihen. Nga sfera të ndryshme. Prandaj këta s’e kanë për qeder t’i fusin duart në zonat historike dhe t’i mbushin me beton. Dhe s’e kanë për qeder ta votojnë shembjen e Teatrit Kombëtar… Të bëjnë çdo pazar!

Ndër librat e parë që kam lexuar ishte „Kalorësi dardan“ i Moikom Zeqos. Ndër hipotezat më simpatike që kam lexuar së fundmi është ajo e tij se emri i së dashurës imagjinare të kalorësit të arratisur Don Kishot, Dylqinjë, rridhte nga fjala Ulqin, ku piratë shqiptarë e kishin mbajtur rob autorin e këtij personazhi. Ndër pohimet më skandaloze që kam ndëgjuar kohëve të fundit është ai i depuetetes së „Rilindjes“: „Don Kishoti është një figurë komplekse e letërsisë shqiptare“!

Si do ta nderojnë këta kujtimin e Moikom Zeqos? Këta që ia kanë zënë vendin atij. Këta që s’e shihin atë në sy. Këta që s’e shihnin atë me sy. Këta që s’i ndërronin me të dy fjalë. Këta që s’dinë t’i thonë dy fjalë. Këta që s’dinë të mbajnë asnjë fjalë. Këta për të cilët nuk ka fjalë. Moikom Zeqo ka punuar deri në grahmën e fundit për Shqipërinë. Ai me shpirt ndër dhëmbë ka ligjëruar dhe është rragatur për shqiptarët dhe për kulturën!

I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Kalorës i Kulturës!