Kalaja e Shkupit nga koha ilire kur qyteti ishte kryeqendër e Dardanisë

Gjurmimet arkeologjike të Kalasë dëshmojnë për të kaluarën parahistorike dhe historike të kësaj fortese, për rrënime e rindërtime, sidomos në kohën e Perandorit Justijani I, pasi një tërmeti në vitin 518 i cili e pat dëmtuar rëndë këtë monument, por që përsëri është rindërtuar, duke qenë edhe një pikë e rëndësishme turistike.

 Nga Rexhep Rifati

Pa dyshim se një nga pikat më tërheqëse dhe atraktive të kryeqytetit të Maqedonisë së veriut është Kalaja e Shkupit, e cila dëshmon për lashtësinë dhe për historinë nëpër të cilën ka jetuar dhe është ngritur kryeqyteti. Kur vini në Shkupin e vjetër nga pjesa e re nuk mund të mos e vëreni këtë fortifikatë madhështore të ngritur në anën e majtë të lumit Vardar, e cila thellë në vete fsheh pa fund gojëdhëna, mite, por edhe faktografi për të kaluarën e Shkupit që nga kohërat më të lashta gjer më sot.

Gjurmimet arkeologjike të Kalasë dëshmojnë për të kaluarën parahistorike dhe historike të kësaj fortese. Kalaja paraqet një ndërtim masiv të rrethuar nga një mur gjigant i ndërtuar nga blloqe të mëdha gurësh të cilët janë sjellë nga kompleksi i qytetit antik Skupi, i cili u rrënua nga tërmeti në vitin 518. Duke e shikuar nga poshtë Kalanë, vizitori, ashtu si edhe banorët e qytetit, e ndjen misticitetin i cili e rrethon këtë fortesë. Ky misticitet nuk e lë indiferente kureshtjen e secilit për të hyrë brenda, për të parë, për të kuptuar personalisht çka fshihet përtej mureve me hapje të vogla nga të cilat gjithmonë ndjen sikur dikush të vëzhgon.

Sot Kalaja paraqet një monument të rëndësishëm të kulturës brenda të cilit, përpos rrethimit të gurtë, gjendet një amfiteatër, një restorant nga i cili do të keni pamjen më të bukur mbi urën e gurit, lumin Vardar dhe sheshin në Shkupin e ri, ndërsa e tërë hapësira është e rregulluar me gjelbërim, kalime për këmbësorë dhe fontana me ujë të pijshëm.

Nga Kalaja e Shkupit shihet e tërë Çarshia dhe nga këtu është pamja më e mirë mbi Shkupin e vjetër si një tërësi. Ne anën lindore të godinës, me një urë nga druri është improvizuar hyrja në Kala ndërsa kjo rrugë e shtruar në mes të gjelbërimit që e rrethon godinën çon drejt në Çarshinë e vjetër. Përballë Kalasë në këtë anë gjendet Xhamia e Mustafa Pashës dhe kompleksi i Kishës Shën Spasi. Në kuadër të këtij kompleksi kulturor gjenden edhe dy muze të rëndësishëm: në hyrje të Çarshisë gjendet Muzeu i Maqedonisë, ndërsa në (veri) të Kalasë gjendet Muzeu i Artit bashkëkohor. Për t’i kontribuar më shumë rëndësisë historike të kësaj ane, autoritetet e qytetit me qëllim nuk e kanë shtruar me afalt një pjesë të rrugës kryesore ndërmjet kompleksit të Kalasë dhe hyrjes në Çarshinë e Shkupit dhe e kanë lënë kalldrëmin, për të ruajtur autenticitetin dhe lashtësinë e kësaj tërësie, thuhet në një shkrim të portalit Monuments of Albanien, me të cilin ka një bashkëpunim të ngushtë  “prointegra”.

Mësojmë se gjatë periudhës ilire, sipas Wikpedias, Shkupi ishte kryeqendër  e Dardanisë dhe njihej me emrin Scupi, ndërsa që sot shqiptarët sipas disa statistikave përbëjnë rreth 33%-35% për qind të popullatës së Shkupit. Kurse gjate periudhës osmane ishte kryeqendra e vilajetit te Kosovës. Ndërsa që dikur Shkupi ishte qyteti me popullatën më të madhe shqiptare ne botë.

Me këtë rast po jap ca nga fotot që kam shkrep gjatë vizitave të mija në shkup, ndër to edhe një me miq shqiptar nga Kosova e Shkupi.

.