Kalaja e Ohrit, vepër e një familje fisnike shqiptare

Nuk ka dyshime se fortifikimi është ndërtuar sipas traditës ndërtimore të ndikuar nga viset evropiane nëpërmjet bregdetit Adriatik,  e përafërt edhe me teknikën e murimit të Manastirit të Mespotamit në afërsi të Sarandës në Shqipëri.- Gropaj i përkiste njërës nga familjet më të vjetra e më të shquara feudale shqiptare në qytetin e Ohrit, ku edhe ka farkuar monedhën e tij.- Mërgimtari Gjergj Prenkoçaj, pasi ngrit flamurin shqiptar në këtë kala, iu ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut për pesë vjet! 

Nga Rexhep Rifati

Edhe pse dihet kush se kush e fortifikoi Kalanë e Ohrit, e ashtuquajtura “Kalaja e Samoilit” flet për historinë e mohuar nga ana e historiografisë maqedonase, e cila e kontaminuar nga interesat politike shkurtpamëse, në emër të ortodoksisë vazhdon të përvetësoi edhe atë që nuk i takon siç është e vërteta e familjes mesjetare shqiptare Gropaj dhe trashëgimia që ajo ka lënë në pellgun e Liqenit të Ohrit, thuhet në një shkrim qe e transmeton Monuments of Albania, me të cilin portali ynë prointegra. ch, ka një bashkëpunim të ngushtë .

Gropajt, familje fisnike shqiptare

Vetëm me një qasje objektive mund të kompletohet kuptimi i idesë së kësaj tabu teme e cila përmban brenda saj rrëfimin e një historie të mohuar. Nëpërmjet këtyre shtjellimeve historiografike, kulturore e socio-historike mbi shqiptarët në Maqedoni, do të pasqyrohet ajo pjesë ortodokse e tyre. Prania shumëshekullore e shqiptarëve ortodoksë, e dokumentuar për shumë shekuj me radhë në këto hapësira gjeografike, për shkak të anashkalimit nga studiues të ndryshëm, edhe sot na mungojnë trajtesat meritore në lidhje me fatin dhe rolin e këtij komuniteti në Maqedoni.
Kronikat historike flasin se Gropajt kanë qenë një ndër familjet më të vjetra, por edhe më të shquara feudale shqiptare, pinjollë të së cilës për bëmat e tyre përmenden gjatë shekullit XIII dhe sidomos gjatë shekullit XIV. Dihet se familja princërore e Gropajve që nga viti 1273 sundoi në pellgun e Liqenit të Ohrit si vasale e Anzhuinëve.
Që në vitin 1274 është dëshmuar se pjesëtarë të familjes Gropaj ishin anëtarë të rëndësishëm të fisnikërisë shqiptare të Mesjetës. Familja me origjinë nga rrethi i Dibrës në verilindje të Shqipërisë më vonë ka kontrolluar disa rajone veriperëndimore të Maqedonisë, është përqendruar kryesisht rreth Ohrit, Strugës dhe Pogradecit. Jo vetëm shpjegimi shqip i antroponimit Gropa, që nënkupton vrimë, por edhe shumë dokumente të ndryshme, dëshmojnë përkatësin shqiptare të këtij fisi me zë të mesjetës së pellgut të Liqenit të Ohrit. Dhe, jorastësisht, kryeqendra e kësaj familje ka qenë qyteti i Ohrit, një nga qytetet më të rëndësishme bashkëkohore të Ballkanit.
Tri nga personalitetet e familjes Gropaj

Ndër personalitet më të shquar të familjes Gropaj do të veçonim vetëm tre prej tyre: Andrea, Pal dhe Zaharij Gropaj. Secili nga këta e ka rolin dhe peshën e tij në historinë e asaj periudhe të mesjetës akoma të pandriçuar sa duhet. Në vitin 1273 njërit prej tyre, Pal Gropajt, i njihet nga mbreti Karl Anzhu e drejta e zotërimit të disa fshatrave në krahinën e Dibrës (midis të cilave edhe Zerqani), ashtu siç i kishte zotëruar edhe nën sundimin bizantin.
Ndërkohë që në vitin 1380, një Gropaj tjetër përmendet si sundimtar (zhupan) i Ohrit dhe dhurues i një kishe të pasur. Në dokumentacion pasardhësit e tyre i gjejmë të lidhur edhe me Skënderbeun. Fjala është për Zaharij Gropajn, i cili si një komandant i shquar i asaj periudhe është dalluar në një sërë luftimesh në betejen e Sfetigradit dhe në betejën e Vajkalit.
Padyshim që pjesëtari më i shquar i familjes fisnike shqiptare të mesjetës ka qenë Andrea Gropa, i cili ka sunduar me Ohrin gjatë viteve 1371-1385 dhe njëherësh ka qenë njëri ndër burrat më në zë të këtij qyteti. Gjatë qeverisjes së tij, kah gjysma e shekullit XIV, qyteti i Ohrit, ka përjetuar një lulëzim të vërtetë arkitektonik. Dëshmitë flasin se gjatë asaj kohe janë ngritur ose ka përfunduar ndërtimi i shumë kishave dhe objekteve të tjera të kultit krishterë, por edhe ndërtimeve të tjera me karakter publik. Dihet se Andrea Gropa në vitin 1378/9 bëhet ktitor (mbrojtës) i kishës Shën Klimenti (Shën Marai Preivlebta), të themeluar nga Progon Zgurraj.

Nuk ka dyshime se fortifikimi është vepër e Andrea Gropës

Por, ajo që është më e rëndësishme të theksohet është konstatimi i prof dr. Ivan Mikulçiqit se meqenëse në mesjetën e hershme vendbanimi i Ohrit nuk ka qenë i fortifikuar, kështjellën që sot e shohim i përket mesjetë së vonshme. Nuk ka dyshim se fortifikimi i Kalasë së Ohrit, të njohur ndryshe ndër popullatën maqedonofolëse edhe si Kalaja e Samoilit, është ndërtuar në shekullin XIV. Gjithashtu nuk ka dyshime se fortifikimi është vepër e Andrea Gropës, e ndërtuar sipas traditës ndërtimore të ndikuar nga viset evropiane nëpërmjet bregdetit Adriatik. Kjo traditë dhe teknikë e fortifikimit është e përafërt edhe me teknikën e murimit të Manastirit të Mespotamit në afërsi të Sarandës në Shqipëri.
Andrea Gropa është ai i cili pikërisht në qytetin e Ohrit ka farkuar monedhën e tij që dëshmon se familja Gropaj ishte konsoliduar fuqishëm në këtë qytet. Deri më tani dihet për katër monedha, nga të cilat në tre prej tyre emri i tij është shoqëruar me titullin zhapnit (të madh), kurse në njërën nuk është shënuar titulli, për të cilën supozohet se është farkuar në kohën kur akoma ka qenë vasal i Vukashinit. Gropajt kanë qenë mbrojtës së selisë së Arqipeshkvisë së Ohrit.
Pas vdekjes së Skënderbeut edhe familja Gropaj shtegton në Italinë e Jugut

Pas vdekjes së Skënderbeut me Gropajt u përsërit ajo që u ka ndodhur shumë familjeve të rëndësishme shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre e kaluan detin dhe u vendosën në Italinë e Jugut dhe viseve tjera të Evropës. Ndërkaq, një pjesë tjetër është islamizuar dhe, duke i ruajtur pronat, janë bërë pashallarë në Ohër, Dibër, Strugë, etj.
Asimilimi dhe mohimi
Komuniteti ortodoks shqiptar në Maqedoni shekuj me radhë ka qenë i nënshtruar ndaj dy rrebesheve të pandalshëm. Njeri ka të bëje me asimilimin dhe tjetri me mohimin. Asimilimi është një proces i kushtëzuar nga më shumë rrethana dhe si i tillë bëhet shkaktar kryesor në zhdukjen e cilitdo komunitet, siç ndodhi edhe me komunitetin ortodoks shqiptar në Maqedoni. Kështu duhet shpjeguar edhe proceset asimiluese dhe shkrirjet etnike që kanë ndodhur për shekuj me radhë në Maqedoni, që ndërlidhen me aspektet historike, kulturore, fetare dhe etno-politike. Por, mohimi është një fenomen tjetër, sepse ai bëhet qëllimisht nga institucione apo individë të ndryshëm për të ruajtur ose për të plasuar “të vërtetën” e tyre.

Shteti maqedonas mohon çdo gjurmë  shqiptare

Duke i shfrytëzuar proceset asimiluese, shteti i ri maqedonas po forcon idenë e ndërtimit kompakt të identitetit etno-kulturor e fetar, mohon pothuajse çdo gjurmë tjetër, sidomos ato shqiptare. Si rezultat e këtij mohimi sot është anatemuar plotësisht komuniteti ortodoks shqiptar, duke e mohuar pothuajse edhe kontributin e familjes Gropaj. Të gjitha ato të mira kulturore dhe fetare, në emër të ortodoksisë, sot po trashëgohen nga maqedonasit, por vetëm për shkak të prejardhjes shqiptare të Gropajve, shumëçka që lidhet më këtë familje fisnike nuk afirmohet. Kjo flet shumë për irracionalitetin e “strategëve” maqedonas, përfundon shkrimi Monuments of Albania.

Ngritja e flamurit shqiptar në kalanë e Ohrit, sanksionohet me ndëshkim!

Do theksuar edhe rastin, kur mërgimtari ynë nga Zvicra, Gjergj Prenkoçaj, me prejardhje nga Malësia e Madhe, merr guximin atdhetar dhe ngrit flamurin shqiptar në këtë kala, Gjykata e Ohrit, e dënon atë me 1100 euro,dhe me një masë ndalese prej 5 vjetësh për mos hyrje në Maqedoninë e Veriut, shtet “demokratik” ky që pretendon ti bashkohet familjes së madhe Evropiane e në anën tjetër sillet posi Serbia e Greqia sa i përket simboleve kombëtare shqiptare. Në fakt shteti maqedonas përpiqet të mohojë çdo përkatësi shqiptare, madje edhe kur është fjala për monumente historike, siç është rasti edhe me kalanë e Ohrit.