Kalaja e Novobërdës në rrezik

62

Pavarësisht vlerave historike që bart në vete Kalaja e Novobërdës, ajo si pasojë e punimeve joprofesionale që janë bërë mbi të, rrezikon që për një kohë shumë të shkurtër të shembet.

Kompania serbe, e cila po bënë restaurimin e kësaj fortifikate, po e dëmton dhe rrezikon seriozisht shembjen e saj thonë njohësit e fushës së konservimit të objekteve më rëndësi historike.

Muret e kësaj kalaje, renovimi i së cilës kishte nisur në vitin 2015/2016 janë rrëzuar pjesërisht, dy vite pasi ka përfunduar renovimi nga  kompania serbe “Koto”.

UNESCO përmes së cilës është realizuar projekti nuk ka reaguar karshi shkatërrimit që i është bërë kalasë.

Qazim Namani, doktor i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore ka rrëfyer për Telegrafin se si vite më parë një ekspert nga Shqipëria i fushës së konservimit ka treguar se me shumë pak mjete do të mund të bëhej konservimi i kësaj kështjelle.

Ai ka treguar se mënyra e konservimit si është bërë nga kompania serbe, është në kundërshtim me standardet dhe doktrinat e konservimit që aplikohen në mbarë botën.

“Për kah teknika e murimit të objektit, shihet se është përdorur një teknikë që nuk është përdorur që nga fazat fillestare te murimit me gur. Vërehet se kemi një fasadim të jashtëm me gur të palatuar dhe pa kurrfarë përforcimi, që për dy tri vite, në saje të kushteve atmosferike, kemi fryrje të mureve dhe çarje të mureve që kanë rënë poshtë”, ka shtuar Namani.

Ai ka thënë se veprimi i forcës nga ngritja e mureve ka krijuar çarje vertikale dhe tash këto çarje sipas tij, nuk ka shancë të konservohen, apo t’i zgjatet jeta këtij muri deri në momentin e rrënimit, e që nuk dihet sa do të zgjas.

“Mirëpo, duhet te jemi të kujdesshëm që tërmeti  i parë që bie në këto mure do të rrënohet”, ka shtuar Namani.

Ai ka theksuar se është vështirë që do të gjendet ndonjë metodë e konservimit dhe t’i zgjatet jeta kalasë.