Kalaja e Janinës nga luftoi “Ali Pasha me shtatë zemra”!

 

Në vazhdën e prezantimit të kalave të shtunave në “prointegra”, kësaj radhe për Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, që deri më 1820 ishte rezidenca e dytë e “Luanit të Janinës”, ku mund të gjesh edhe varrin, konakun e shtëpinë e tij muze me shumë artefakte muzeale, por asnjë rresht për përkatësinë e tij shqiptare!

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në Kalanë e  Ali Pashë Tepelenës gjatë rrugëtimeve të mija kushtuar trojeve aktuale apo edhe ish trojeve shqiptare, isha më 1 Maj 2016 dhe me 15 Gusht 2016. Derisa herën e parë ndonëse kalanë e hasëm me bedenat e saj të lartë me të hyrë në qytet buzë liqenit, mezi një plak që shiste disa artefakte të vjetra mundi të na thotë se ku gjendet varri i Ali Pashës dhe hyrja bashkë me oborrin e kalasë. Thuaja se tinëzisht na i ofroi ca panorama për blerje me portretin e Ali Pashë Tepelenës!

Herën e dytë, sërish gjatë një vizite familjare nuk e patëm vështirë të gjejmë as kalanë e le më shtëpinë- muze të Ali Pashë, deri tek e cila arrihet me një barkë mu në mes të liqenit të Janinës, në një objekt shumë atraktiv, por që duhet paguar edhe hyrjen e edhe lundrimin. Edhe një përfitim nga të tjerët nga figurat tona të shquara kombëtare!

Mësojmë se Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, që ndodhet në veri të qytetit në një pozicion gjeografik që ndihmonte pashain në mbrojtjen e kësaj fortifikate nga burimet historike, thuhet se është vizonuar nga vetë Pashai, i cili edhe ka inspektuar etapat e ndërtimit të kësaj perle të rajonit.

Kalaja aktuale, brenda së cilës është edhe varri i pashait me trupin e tij të pa kokë (pasi që kokën ia dërguan në Stamboll) u rindërtua prej vet Ali Pashës më 1819 me një sipërfaqe 4-5 hektarësh. Nga ajo që pamë gjatë dy vizitave kalaja ka tre hyrje dhe 3 kulla.

Kjo kala që ishte rezidenca e dytë e Ali Pashë Tepelenës edhe atë deri më 1820 mendohet se është ndërtuar qysh në vitin 539 nga perandori Justinian, porse u rindërtua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1815, i cili sundoi në Janinë që nga viti 1789 e deri sa vdiq më 1822.

Karakteristike është se, brenda kështjellës gjenden dy kala, ajo në veri-lindje njihet si kalaja e Aslës dhe jug-lindorja si kalaja e Its Kale. Në një njoftim thuhet se : “Ju gjithashtu mund të vizitoni edhe konakun e Ali Pashës me muzeun bizantin, thesarin, kishën e Shën Anargyroi-t, xhaminë e Fethiye-s, varrin e Ali Pashës, xhaminë e Asllan Pashës, bibliotekën turke, konakun Soufrai, banjat bizantine, hamamin si dhe sinagoget çifute”, por askund nuk përmendet se mund të vizitoni diçka shqiptare, sepse qarqet greke bëjnë përpjekje që me çdo kusht, të shlyejnë çdo gjurmë shqiptare, madje edhe vet përkatësinë kombëtare të Pashait të Janinës- Ali Pashë Tepelenës, që ngriti kala, kështjella e fortifikata si në Shqipëri ashtu edhe në Çamëri, aktualisht në Greqi, që ka shlye nga hartat edhe vet emrin e Çamërisë!

Por ajo që nuk i pengon grekët janë turistët prej nga do që vijnë, qofshin ata shqiptarë nga cili do cep i shqiptarisë, me rëndësi me lënë lekun aty. Ashtu siç përfitojnë edhe nga konaku, muzeu dhe vet varri i Ali Pashë Tepelenës!

Si shembull konkret po përmendi se kur gjatë vizitës së dytë më 15 Gusht 2016, deshëm të drekojmë në një restorant përballë kalasë, pronari na pyeti se nga ishim dhe kur i thamë nga Kosova ai shkoi ne kuzhinë dhe e thirre një punëtore shqiptare që punonte aty që të na njoftonte me menynë e ushqimit.

Përndryshe për kalanë e Janinës dhe Ali Pashën kisha dëgjuar nëpër odat e vendlindjes sime këngëtarët e lagjes Qamil Luzhën dhe Hamdi Elmazin kur e këndonin me shumë afsh këngën e Ali Pashë Tepelenës dhe atë kohë e sot diku, 65 vjet më parë, më kujtohet strofa që më është ngulit në kokë: Lum kalaja ka ka mrena!/ Ali Pashën me shtatë zemra./ !

Sidoqoftë ia vlen të vizitohet Janina, sepse sado që dikush përpiqet të shlyej gjurmët shqiptare, historia është ajo që ka lënë gjurmë në çdo gurë, në çdo beden, e edhe brenda e jashtë kësaj kalaje ku figuron jehona e famës së pashait që i bëri ballë si sulltanit ashtu edhe Napoleonit, e që në konakun e tij gjatën bujarinë shqiptare edhe emra të mëdhenj piktorësh e poetësh në mesin e tyre edhe vet Bajroni.