Kalaja e Harilaqit, një trashëgimi arkeologjike me rëndësi turistike

 

Në këtë kala që ndodhet rreth 9 km në juglindje të Fushë – Kosovës, ka indikacione edhe të periudhave parahistorike, e në veçanti të kohës së metaleve, antikës e mesjetës, si dëshmi e vazhdimësisë së jetës në kala, për të qenë kështu një nga pikat më të veçanta turistike jo vetëm për këtë komunë por edhe në Kosovë e më gjerë.

Në vazhdën e prezantimeve që bënë çdo fundjavë (të shtune), portali proinegra, po prezantojmë kalanë Harilaqit, një nga kalatë më të njohura dhe më të vjetra në Kosovë.

Kalaja e Harilaqit, që i takon periudhës së shekujve IV-VI,  gjendet mbi një kodër të njohur si Gradina e Harilaqit, e ngritur në një pozitë mjaft dominante, në perëndim të fshatit Harilaq. Është e vendosur në lartësinë mbidetare prej 766 metra dhe ndodhet rreth 9 km në juglindje të Fushë – Kosovës, me një sipërfaqe rrethore me mure mbrojtëse prej 1.3 ha.

Gërmimet arkeologjike në këtë kala kanë filluar në vitin 2005 dhe kanë vazhduar sistematikisht deri në vitin 2010, por janë kryer edhe disa konservime dhe konsolidime të mureve me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.

Gjatë gërmimeve arkeologjike të zhvilluara në gjashtë sezone kanë dalë në pah gjurmë të shumta të rrënojave të objekteve sakrale, profane dhe utilitare. E tërë faqja e jashtme e murit rrethues të kalasë me kullat në akse, pastaj kisha me tri nefe dhe sakristi, si dhe dy struktura pothuajse identike në formë unazore të një kompleksi sakral.

Mësojmë gjithashtu se aty është gjet material i bollshëm i lëvizshëm arkeologjik si vegla pune, stoli, monedha, tulla, fragmente qelqi dhe struktura arkitektonike që posaçërisht theksojnë periudhën e antikitetit të vonë, e në veçanti atë të kohës së Justinianit.

Bazuar në vlerat arkeologjike, historike, shoqërore dhe shpirtërore, aseti Kalaja e Harilaqit në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Nga faqja zyrtare e komunës së Fushë Kosovës mësojmë se së voni : “ Filloi realizimi i projektit në lokalitetin arkeologjik ‘Kalaja e Harilaqit’ dhe se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) e komunës së Fushë-Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës (IAK), filloi realizimin e projektit madhor ‘Hulumtime, Gërmime, Restaurime dhe Konservime Arkeologjike’ në lokalitetin arkeologjik ‘Kalaja e Harilaqit’. Punimet e këtij projekti po realizohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës bazuar në Programin e Punës të vitit 2018.
Punimet parapërgatitore dhe profesionale kanë filluar më 25.05.2018 dhe do të vazhdojnë sipas dinamikës së Planit të Punës të IAK-së për këtë vit si dhe në bazë të marrëveshjes në mes të IAK-së dhe DKRS-së të Komunës së Fushë-Kosovës”.

Krejt në fund do konstatuar se Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë Kosovës por e tërë vendit, ndaj edhe duhet të gëzojë interesimin dhe mbështetjen si të qytetarëve ashtu edhe të institucioneve më të larta të vendit, në mënyrë që të krijohen parakushte për një numër sa më të madh të vizitorëve.