Kalaja e Beratit, fortesa arbërve, që mbijetoi mileniumet

 

Lashtësia e një qytetërimi prej 24 shekujsh, por edhe historia dhe tërësia arkitektonike, kanë bërë që Berati të hyjë në listën e trashëgimive botërore të UNESKO-s-, ndërsa që vet kalaja paraqet një kurorë bukurie të këtij qyteti antik

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Dy-tri herë vizitova qytetin e Beratit këtë qytet antik që tërheq si me pamje ashtu edhe me mikpritjen e  banorëve të saj. Por kësaj radhe, në kuadër të prezantimit të kalave, që bënë portali ynë “prointegra.ch”, ky shkrim do të bëjë fjalë për këtë fortifikatë madhështore të qytetit të “njëmijë një mbi dritareve”. Me këtë rast shfrytëzova edhe ca detaje nga shkrimet e ndryshme nga burime monumenteve historike e burimeve turistike. Ndërsa që vet edhe në shoqërim të mërgimtarëve vizitova kalanë me gjithë shtëpitë e banimit që gjenden në te.
Mësojmë se kalaja e Beratit është ngritur në një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së lumit Osum. Fillimisht, një vendbanim protourban, në shekullin e VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndësishme, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1.400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha.

Fortesa e Arbërve

Burimet historike dëshmojnë se kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme. Në dokumente historike të kohës qyteti u thirre me një sërë emrash: Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s. , ndërsa që nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve).

Një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit. Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi ajo ngrihet mbi një kodër të lartë 187 m, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij (Hëna Spahiu, Qyteti Iliro-Arbëror i Beratit. Tiranë 1990, fq. 9-11). Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qënë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin.

Kalaja e pajisur me 24 kulla

Muret kanë një perimetër prej 1400 m brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620 m ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 m (Berati, Historia dhe arkitektura Tiranë 1988, fq. 34). Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla të cilat emërtohen sot me emrin turk TABJE së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV Pk dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821).

Kalaja e Beratit është kurora e këtij qyteti të lashtë Qëndron që prej shekullit të 4-ët para Krishtit, vendosur në majë të një kodre, po aq madhështore sa edhe delikate, Kalaja e Beratit është kurora e këtij qyteti të lashtë. Nga oborri i fortifikuar i kalasë shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës.

Kalaja e Beratit nga më të bukurat në Shqipëri

Një udhëtim në Berat nuk do të kishte kuptim pa vrojtimin e peizazhit nga lartësia e kalasë. Porta e madhe, e ndërtuar mbi gurë gjigandë, tregon një siluetë solmne të rrallë për çdo vizitor që shkel për herë të parë në Kala. Duhet një moment qetësie për të vlerësuar këtë kala para hyrjes brenda saj. E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri. Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 p.e.s, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea.

Jeta brenda mureve vazhdon edhe sot

Si në asnjë kala tjetër, jeta brenda mureve të lashta të kalasë vazhdon! Është ky elementi më i habitshëm i kalasë, e cila brenda saj ruan jetët e banorëve, jetë këto po aq të izoluara sa edhe te privilegjuara ne këtë pozicion mbi qytet. Ajo që ekziston brenda mureve është vërtet një qytet tjetër me shtëpi, lokale e restorante, kisha e pazare, muze e monumente, të rrethuara nga një natyrë e gjelbër dhe e freskët. Pamje e pabesueshme! Shtëpitë janë vendosur pothuaj në një anë të kalasë, andej nga shihet lumi dhe qyteti. Turistët mahniten më këtë peizazh megjithëse për banorët e kalasë është diçka e zakonshme. Banorët, pa dyshim figurat më interesante të Kalasë, janë edhe historianët më të mirë të qytetit, ndonëse të padeklaruar. Ata dalin e presin turistë në prag të derës, e ndajnë me ta historitë e kalasë e të kishave, disa prej të cilave sot janë rrënoja.

Muzeu Ikonografik Onufri

Brenda klasë gjithsesi do vizituar edhe Muzeu Ikonografik Onufri,  ngjyrat e të cilit duhen parë me vëmendje nga afër për tu vlerësuar plotësisht. Ndër të tjera, Kisha e Shën Triadhës dhe ajo e Shën Mëhillit, të ndërtuara mbi shkëmbinj, të ftojnë ti shohësh nga pozicioni i tyre dominues dhe arkitektura bizantine. Një prej bukurive më të papritura përgjatë ecjes në rrënojat e kalasë, është busti që nderon Konstandinin e Madh, perandorin romak me origjinë ilire i cili është shpallur edhe shenjt nga Kisha Katolike.

Nga ilirët deri te osmanët

Një nga kullat quhet «Tabja» e cila përdoret në turqisht, një fjalë që vje

n nga arabishtja dhe do të thotë «vendi që është ndërtuar veçanërisht për të mbrojtur një vend dhe fortifikim i pajisur me armë».

Brendësia e kalasë përveç veprave të ndryshme që i posedon, me disa sheshe pothuajse i ngjan një qyteze të vogël. Nga muret e fortifikuara të kalasë mund të shihet qyteti i Beratit, lumi Osum, një nga degët e lumit Seman i cili derdhet në Detin Adriatik, si dhe ura historike e Goricës mbi lumin Osum. Kalaja me kohë ka qenë nën kontrollin e ilirëve, bizantinëve, bullgarëve, serbëve si dhe osmanëve.

Një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit

Në përmbyllje të këtij shkrimi, do përmend edhe të dhënën që figuron në disa shkrime, se: Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum shkruan.  Kalaja është ngritur sipas një plani ne forme trekëndëshi. Kjo kala po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekullin e IV-II p.e.re.

Atraksion turistik që tërheq turistë të shumtë

Monumentet e kulturës në Shqipëri çdo ditë e më shumë po tërheqin vëmendjen e turistëve e sidomos atyre të huaj gjatë kësaj periudhe e cila përkon dhe me çeljen e sezonit të ri turistik. Ndër këto monumente që tërheq interesimin është edhe vet kjo kala bashkë me qytetin e Beratit, që është një ndër qytetet me interesante dhe atraktive. Kjo rrjedh edhe nga vet fakti se Berati paraqet trashëgimi botërore të UNESCO-s.

 (Fotot në kalanë Beratit i kam shkrep më 30 Korrik 2014, gjatë një seminari të mësuesve të mërgatës)